26 Prill 2024

Politika shkatërron QKUK-në

Prishtinë, 3 tetor - Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka disa vite që është shndërruar në teatër të “tragjikomedive”. Përveç mostrajtimit të duhur të pacientëve, QKUK ka rënë në hall edhe me zgjedhjen e drejtorëve të klinikave.

Kjo për faktin se brenda katër vitesh, disa herë është shpallur konkursi për drejtorë, është mbyllur, janë zgjedhur drejtorët, është anuluar konkursi, është rishpallur dhe në kontinuitet ka vazhduar e njëjta lojë monotone, shkruan “Zëri”.

Dy ditë më parë, ndërkaq është anuluar edhe konkursi i fundit për drejtorë të klinikave. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), këtë anulim e ka quajtur, një dëshmi të ndërhyrjes së politikës dhe grupeve kriminale në sistemin shëndetësor.

Ndërkohë, pozita e kontestuar e drejtorëve, nuk ka penguar drejtorin ekzekutiv të QKUK-së, që të marrë vendim që të caktohen ushtrues detyre për drejtorë të Klinikave, Instituteve dhe shërbimeve të gjithë ata drejtorë që janë zgjedhur se fundmi me konkurs, deri në konkursin e radhës.

Megjithëse u kundërshtua vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMK) për anulimin e këtij konkursi me arsyetimin se janë shkel rregullat procedurale që parashihen me ligjet në fuqi në Kosovë, kjo qendër kishte refuzuar të pranonte këtë vendim.

Megjithëkëtë, bazuar në shkresën e u.d.sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Nijazi Gashi, mori një ditë më parë vendim për anulimin e konkursit për Drejtorë të Klinikave, Instituteve dhe Shërbimeve të QKUK-së. Kurse, një ditë më pas, të martën, ai vendosi që të caktohen UD.

Këtë e ka konfirmuar për “Zërin”, zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu. Sipas tij është vendosur që ata të jenë UD, në mënyrë që të vazhdohet kontinuiteti i punës dhe mos të ketë vakum institucional brenda klinikave në QKUK.

Ndërkaq, FSSHK-ja konsideron se tash është koha që institucionet të nxjerrin para përgjegjësisë personat që kanë në kompetencë zgjedhjen e drejtorëve të QKUK-së.

Blerim Syla, kryetar i kësaj federate, ka thënë se prej 2009-së ky konkurs shpallet dhe anulohet, prandaj, sipas tij, haptas po vërehet se këtu po ndërhyn politika dhe grupet kriminale.

Syla ka paralajmëruar një krizë kadrovike në QKUK, duke marrë për bazë situatën, e cila sipas tij, do të ndikojë që “shumë mjek me aftësi menaxheriale të hezitojnë të konkurrojnë pasi tashmë veç janë njoftuar qartë se këtu po ndërhyn politika dhe krimi i organizuar”.

Suzana Novobërdaliu, kryetare e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, ka thënë se deri më tash nuk kanë marrë ndonjë peticion nga ana e mjekëve për të ngritur këtë çështje në nivel të komisionit, megjithëse ka theksuar se kjo çështje mund të hyjë në rend dite tek çështjet e ndryshme në një mbledhje të ardhshme të komisionit.

Kurse, Mehdi Geci, nga KPMK-ja ka theksuar se do të reagojë kurdo që vëren se shkelen çështjet procedurale, të cilat obligohet QKUK-ja të zbatojë sipas ligjit në fuqi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)