19 Mars 2024

Përurohet Qendra Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim

Prishtinë, 28 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mori sot pjesë në ceremoninë e përurimit të  Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe atë të Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim, në Komunën e Prishtinës.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se është nder i veçantë pjesëmarrja e tij në këtë përurim të këtyre dy objekteve ku tani, sportistët tanë do të kenë më në fund, një qendër që ofron shërbime mjekësore të asaj cilësie të lartë të cilën ata e meritojnë.

‘’Tash e sa vjet, jemi dëshmitarë se sportistet dhe sportistët tanë po arrijnë standardet më të larta të mundshme nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare. Brenda një kohe të shkurtër, ata e kanë vendosur Republikën e Kosovës në hartën botërore të sportit, duke i shërbyer kështu jo vetëm avancimit të karrierave të tyre individuale, por edhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe të imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare’’, është shprehur kryeministri.

Hapja e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive sipas kryeministrit do na mundësojë, tani më shumë se kurrë, parandalimin e sëmundjeve dhe njëherit diagnostifikimin e sëmundjeve të sportistëve, përmes kontrolleve sistematike shëndetësore.

‘’Në këtë mënyrë, sportistëve të Kosovës do t'u jepet mundësia që të shkëlqejnë edhe më shumë gjatë viteve të ardhshme edhe në Kosovë edhe në botë’’, veçoi ai.

Po aq e rëndësishme është edhe hapja e objektit të ri e Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit.

Kjo klinikë, shtoi më tej kryeministri, është struktura e vetme e kujdesit terciar shëndetësor në Kosovë, e cila ofron shërbime të diagnostifikimit si dhe të trajtimit të veçantë të patologjive të ndryshme përmes terapisë fizikale dhe të rehabilitimit.

Paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës fizike, Qeveria e Republikës së Kosovës po punon intensivisht edhe në përditësimin e infrastrukturës ligjore në fushat e mjekësisë sportive dhe mjekësisë fizikale dhe rehabilituese.

Këto përditësime, tha më tej ai, po synohen të bëhen përmes një ligji të ri për shëndetësi nga njëra anë, dhe përmes procesit të planifikimit strategjik në fushën e sportit në anën tjetër.

Hapja e këtyre dy objekteve të reja sot është vetëm fillimi, kurrsesi përfundimi i bashkëpunimit tonë, tha ndër tjera kryeministri Kurti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)