20 Prill 2024

OBSH promovon Udhërrëfyesin për Kontrollin e Kancerit

Prishtinë, 2 shkurt - Me rastin e 4 Shkurtit-Ditës Ndërkombëtare kundër Kancerit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të publikojë nesër në Prishtinë udhërrëfyesin: "Programet Nacionale të Kontrollit të Kancerit".

Prezantimi i udhërrëfyesit do të bëhet nga shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë dr. Skënder Syla, në një ngjarje ku do të flasin edhe Ministri i Shëndetësisë dr. Alush Gashi, përfaqësuesi i Qeverisë së Luksemburgut, Pierre Weber, drejtori i IKSHP-së dr. Naser Ramadani si dhe kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, dr. Besim Sllamniku. Përvojat personale në përballje me kancerin ndërkaq, do t'i shpalos dr. Agron Gashi nga UNICEF-i.

Udhërrëfyesi që do të publikohet është një orientim i mirë për shtete të ndryshme për adaptimin e politikave dhe menaxhimin e tyre në krijimin e Programeve Nacionale në Luftë kundër Kancerit. Sipas të dhënave të OBSH-së, kanceri është një sëmundje që po bëhet gjithnjë e më tepër faktor në barrën globale të sëmundjeve, duke sfiduar shëndetin e miliona njerëzve anekënd botës.

Numri i përllogaritur i rasteve të reja për çdo vjet rritet prej 10 milionë në vitin 2000 deri në 15 milionë të supozuar në vitin 2020. Rreth 60 për qind të rasteve të reja ndërkaq, sipas OBSH-së, paraqiten në pjesët më pak të zhvilluara të botës. Kanceri aktualisht është shkaktari i 12 për qind të gjitha vdekjeve në botë.

Mu për këtë qëllim, shtete të ndryshme të botës po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje programeve për kontrollin e kancerit, duke ndarë fonde e zhvilluar programe që parandalojnë kancerin, gjegjësisht që përmirësojnë dhe zgjasin jetën e atyre që janë prekur nga kjo sëmundje, duke zvogëluar incidencën dhe vdekshmërinë.

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës i ka kushtuar gjatë vitit që shkoi vëmendje të posaçme luftës kundër kancerit, duke ngritur fondet prej 300 mijë euro sa ishin më 2008 në 4. 400 000 euro më 2009 për blerjen e citostatikëve. Po kaq mjete do të shpenzohen edhe sivjet për terapi kundër kancerit, ndërkohë që është çështje javësh, kur në Kosovë do të fillojë aplikimi i radioterapisë në Institutin Onkologjik, për të kompletuar kështu hallkën e mjekimit të kancerit në Kosovë, që deri tash është bërë në vendin tonë përmes Kimioterapisë, Trajtimit Kirurgjik dhe hormono-terapisë.

Udhërrëfyesi i OBSH-së, do të jetë një bazë e mirë për të nisur me hartimin e një Programi Nacional për kontrollin e kancerit në Kosovë. Dita Botërore kundër kancerit shënohet me moton: "Edhe kanceri mund të parandalohet". Promovimi i udhërrëfyesit do të bëhet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), të enjtën, më 4 shkurt duke filluar nga ora 11:30.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)