16 Prill 2024

OBSH paralajmëron për valë të tretë të koronavirusit

Gjenevë, 23 nëntor - I dërguari special i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për COVID-19, David Nabarro, ka kritikuar reagimin e Evropës ndaj koronavirusit COVID-19, duke paralajmëruar se mund të shkaktojë një valë të tretë vitin e ardhshëm.

"Reagimi në Evropë ishte i pamjaftueshëm", tha Nabarro në një intervistë për gazetat në CH Media Group dhe për agjencinë zvicerane të lajmeve Keystone-SDA.

"Kishte një dështim për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme në muajt e verës pasi u vu nën kontroll vala e parë. Dhe tani ka një valë të dytë. Nëse infrastruktura e nevojshme nuk ndërtohet tani, do të ketë një valë të tretë në fillim të vitit të ardhshëm", paralajmëroi Nabarro.

I dërguari i OBSH-së tha se Evropa duhet të shikojë mënyrën se si vendet aziatike janë përballur me pandeminë.

"Ju duhet të reagoni shpejt ndaj virusit, me forcë dhe vendosmëri. Sidomos në fillim, kur virusi përhapet shumë ngadalë në komunitete të ndryshme. Nëse reagimi nuk është i plotë, problemi do të rritet shumë shpejt", tha ai.

Nabarro tha se shumë pak vendimmarrës politikë e kuptuan që virusi po përhapet në mënyrë eksponenciale.

"Rritje eksponenciale nënkupton që numrat mund të rriten 8 herë brenda javës, 40 herë në dy javë, 300 herë në tre javë, mbi 1000 herë në katër javë dhe kështu me radhë", tha ai.

Megjithatë, Nabarro tha se në Azi numrat janë relativisht të ulta "sepse njerëzit janë plotësisht të angazhuar, ata bëjnë veprime që e bëjnë të vështirë përhapjen e virusit".

"Ata mbajnë distancë, mbajnë maska, izolohen kur janë të sëmurë, lajnë duart dhe pastrojnë hapësirat. Ata mbrojnë grupet më të rrezikuara", theksoi Nabarro.

Ai gjithashtu tha se Azia nuk i zbuti masat restriktive para kohe, duke shtuar: "Ju duhet të prisni derisa numri i rasteve të jetë i ulët dhe të mbetet i ulët. Reagimi i Evropës nuk ishte i plotë."

Nabarro punon nga Gjeneva dhe tha se ka pasur mungesë të mbështetjes për disa njerëz të infektuar nga virusi në Zvicër.

"Zvicra ka një numër kaq të madh të rasteve, veçanërisht pjesa e Zvicrës ku flitet frëngjisht, sa që një strategji shumë më e fortë është e nevojshme nga autoritetet, së bashku me banorët", tha ai.

Gjatë shtatë ditëve, Zyra Federale e Shëndetit Publik të Zvicrës raportoi 615 vdekje nga COVID-19 me raste të konfirmuara nga laboratori, duke e çuar numrin e vdekjeve në 3.575 që nga fillimi i pandemisë. Kjo ishte java më vdekjeprurëse që nga paraqitja e virusit në Zvicër, duke përbërë 17 për qind të vdekjeve totale.

Gjatë kësaj jave në Zvicër u regjistruan 33.466 raste të reja me koronavirus, ndërsa u realizuan rreth 162 mijë teste.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)