02 Qershor 2020

Nga sot Kosova hyn në fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër koronavirusit

Prishtinë, 18 maj - Nga sot Republika e Kosovës hyn në fazën e dytë të lehtësimit të masave kundër koronavirusit të ri COVID-19.

Në fazën e dytë parashihet të rihapen floktarët dhe sallonet e bukurisë, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregjet e gjelbërta, restorantet dhe kafenetë me sistemin e sportelit, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial si dhe hapja e galerive dhe muzeve.

Qytetarët do të vazhdojnë të dalin dy herë në ditë, nga 2 orë, sipas shifrës së parafundit në numrin e kartës së identitetit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se faza e dytë nënkupton hapje edhe më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve, e që nënkupton edhe mundësi më të madhe të infektimit. Prandaj sipas tij duhet ta shtohet dyfish kujdesin.

Ai ka theksuar po ashtu se bashkë me kalimin në fazën e dytë lehtësuese, nga sot do të ketë një plan mobiliteti me më shumë policë, me më shumë vullnetarë e më shumë inspektorë në terren.

Kryeministri Kurti ka theksuar po ashtu se deri më 25 maj do të përcillet me kujdes lakorja e të infektuarve, ndërsa nëse do të rritet numri i të infektuarve atëherë duhet të kthehemi prapa dhe kjo do të ishte vërtetë zhgënjyese pas këtij suksesi që kemi bërë.

Faza e tretë dhe e fundit nga këto masa lehtësuese që parashihet të zbatohet, do të fillojë më 2 qershor deri në një vendim të radhës dhe do të përfshijë hapjen e transportit urban dhe ndërurban, taksitë, restoranet dhe kafenetë, provimet ne arsimin e lartë, testin e maturës dhe arritshmërisë, hapjen e kinemave, hapjen e teatrove, si dhe hapjen selektive të aktiviteteve sportive.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Qershor 2020 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e 61 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 10:00 - mbledhja do të mbahet pa prezencën e mediave)

- Lëvizja Vetëvendosje nisë mbledhjen e nënshkrimeve për peticion “Duam Zgjedhje” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 10:00)

- Mbahet seanca e tretë e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Holli i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ora 10:00) 

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Dardania. (Lagja Dardania, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, C203, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pas mbledhjes, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 16:30)