20 Gusht 2019

Në QKUK fillon vlerësimi i rrezikshmërisë në punë

Prishtinë, 29 korrik - Sektori për Mbrojtje dhe Sigurinë në Punë, i cili funksionon në kuadër të SHSKUK-së, ka realizuar për herë të parë vlerësimin e rrezikut në vendet e punës në Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare- në QKUK, bazuar në nenin 16 të Ligjit Nr. 04/L-161, për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, aktet tjera normative në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare 

 Duke marrë për bazë natyrën e punës së këtij shërbimi, fillimisht është bërë vlerësimi i rrezikut në këtë shërbim dhe gradualisht do të përfshihen të gjitha vendet e punës të njësive përbërëse të QKUK-së dhe SHSKUK-së, konform standardeve të kërkuara.

 Metodat e vlerësimit të rrezikut japin mundësi të identifikohen të gjitha objektet specifike, të cilat mund të dëmtojnë personat dhe mund të shkaktojnë pasoja të padëshirueshme në punë. 

Ato japin mundësinë të vlerësohet serioziteti i një ngjarjeje të tillë të mundshme, si dhe të identifikohen zgjidhjet më të përshtatshme për mbrojtjen kundër këtyre pasojave.

 Qëllimi është që përmes vlerësimit të rrezikut për Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare dhe shërbimet tjera në QKUK-SHSKUK-së, të përcaktohen masat e nevojshme për sigurinë në punë, si dhe përgjegjësitë për të krijuar kushtet më të sigurta dhe më të shëndetshme në të gjitha aspektet e punës.

Gjatë  aktit të vlerësimit të rrezikut, është bërë edhe trajnimi i punëtorëve nga moduli për aftësimin e punëtorëve për kryerjen e punëve në mënyrë të sigurt, nga lëmia e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, ku edhe janë certifikuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)