24 Prill 2024

MSh nënshkroi kontrata me spitale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore

Prishtinë, 25 janar - Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës nënshkroi sot kontratat për ofrimin dhe pagesën e shërbimeve klinike /spitalore për tre -mujorin e parë 2013 me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale.

Sipas këtyre kontratave, QKUK dhe spitalet rajonale do të ofrojnë shërbime të pakos themelore të shërbimeve klinike/spitalore të nivelit dytësor dhe tretësor shëndetësor të kujdesit shëndetësor për popullatën, në pajtueshmëri me Ligjin për Shëndetësi, sipas çmimeve të përcaktuara nga ana e Ministria e Shëndetësisë, ndërsa përveç buxhetit të rregullt, ato, tash e tutje, do të paguhen edhe për performancë.

Për ofrimin e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve të përcaktuara me këtë kontratë, klinika/spitali do të marr alokimin e rregullt buxhetor dhe pagesën për performancë, në bazë të një rregulloreje të cilën Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë si paraardhës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore do ta zbatojë.

Ministri i Shëndetësisë, prof. dr. Ferid Agani, tha me rastin e nënshkrimit të këtyre kontratave se spitalet publike do ta kenë alokimin e tyre buxhetor të rregullt bazuar në buxhetin për këtë vit, ndërsa ato do ta marrin pagesën për performancë, duke u bazuar në përmbushjen e indikatorëve të performancës.

Mjetet që këto institucione publike shëndetësore do t’i marrin për performancë, do të mund t’i përdorin për punësimin e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor, stimulimin e kuadrit të vet profesional, përmirësimin e kushteve të punës, përmirësimin e higjienës dhe ngritjen e kualitetit të shërbimeve shëndetësore.

Ministri Agani theksoi se me pagesat për performancë, institucionet shëndetësore në Kosovë stimulohen për herë të parë në historinë e tyre për punën që do ta bëjnë.

Ai tha se institucionet shëndetësore publike në kuadër të reformës shëndetësore do të përkrahen që të jenë sa më të fuqishme, ndërsa MSh-ja do të jetë në funksion të fuqizimit të sektorit publik, duke krijuar mundësi për konkurrencë të shëndoshë e të barabartë si dhe bashkëpunim  me sektorin privat.

Kontratat e nënshkruara sot midis MSh-së me QKUK dhe spitalet rajonale shprehin synimin e qartë të MSh-së për zbatimin e reformave  në shëndetësi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)