20 Prill 2024

MSh në proces të krijimit të kornizës ligjore për ujin e pijes

Prishtinë, 28 shkurt - Organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sot në Prishtinë i filloi punimet punëtoria dy ditore me temën:  “Transpozimi i  direktivës së ujit të pijshëm në Kosovë:  korniza legjislative dhe roli i palëve”.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani tha në këtë takim se duke ditur problematikën e ujit të pijes në Kosovë dhe nevojën që popullatës t’i ofrohet uji i pijes kualitativ, MSh është në proces të krijimit të kornizës ligjore, e cila inkorporon edhe Direktivën e ujit të pijes 98/83/EC që është transponuar në legjislacionin e Kosovës përmes Udhëzimit Administrativ përkatës që është hartuar në MSh dhe do të hyjë në fuqi së shpejti.

Ministria përmes legjislacionit dhe asistencës teknike që është duke iu ofruar IKSHP-së, theksoi Ministri, do të kërkojë nga Instituti  të zbatojë direktivat e BE-së për ujin, ashtu që uji të jetë në funksion të shëndetit të qytetarëve e jo burim i infeksioneve.

Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se nga aspekti i shëndetit publik, cilësia e ujit ka rol të veçantë, prandaj theksoi ai,  menaxhimi i cilësisë së ujit zbatohet me rregullore dhe standarde të veçanta ndërkombëtare dhe kombëtare, ndërsa IKSHP do të jetë në funksion të zbatimit të legjislacionit të ri që do të mundësojë monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm,rrjedhimisht në mbrojtjen dhe përparimin e shëndetit publik.

Mentor Sadiku, drejtor i Departamentit të Integrimeve Evropiane në MSh ka bërë thirrje nga institucionet shëndetësore që ta shfrytëzojnë më shumë asistencën teknike që ofrohet nga Zyra Ndërlidhëse e KE përmes instrumentit TAIEX-it. Gazmend Salimi nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së tha se kjo zyrë ka ofruar dhe do të ofrojnë asistencë teknike për IKSHP-në për monitorimin e cilësisë së ujit të pijes dhe përmirësimin e kësaj cilësie.

Ndërsa, Graham Cleverly ka paraqitur rezultatet e studimit të fizibilitetit për cilësinë e ujit të pijshëm në Kosovë, ku rëndësi e veçantë i kushtohet forcimit të kornizës ligjore dhe kapaciteteve të IKSHP-së, për monitorimin e cilësisë së ujit.

Direktiva e ujit të pijshëm 98/83/EC  është transpozuar në Ligjin e Kosovës për ujërat nëpërmjet Udhëzimit Administrativ  të paraqitur aktualisht në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pritet të hyjë në fuqi së shpejti. Udhëzimi i ri administrativ do ta zëvendësojë UA IA 2/99.

Punëtoria që vazhdon edhe nesër 2 ditore ka për qëllim të punoj me të gjithë palët relevante ku MSH dhe IKSHPK janë bartës të transpozimit  dhe zbatimit të Direktivës së ujit të pijshëm, përmes shkëmbimit të njohurive të ekspertëve vendor dhe të jashtëm nga shtetet anëtare të BE.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)