16 Prill 2024

Menaxhimi i integruar i sëmundjeve të fëmijëve

Prishtinë, 22 qershor - Organizuar nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe mbështetur nga UNICEF-i dhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, sot në Prishtinë i ka filluar punimet mbledhja katër ditore për rishqyrtimin e  rezultateve në Menaxhimin e Integruar të Sëmundjeve të Fëmijëve (MISF).

Në këtë takim, përveç zyrtareve vendorë, po marrin pjesë edhe konsulentë ndërkombëtarë të OBSH-së për Evropë, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë nga Izraeli si dhe përfaqësues të nivele të ndryshme të kujdesit shëndetësor në Kosovë.

Menaxhimi i Integruar i Sëmundjeve të Fëmijëve (MISF) është një nga tre strategjitë e zgjedhura dhe zbatuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) për arritjen e Synimit të 4-të Zhvillimor të Mijëvjeçarit.

Dr. Sami Uka, nga Zyra e OBSh-së në Prishtinë, tha se OBSH për Evropë i qaset kujdesit të fëmijëve përmes Strategjisë së MISF-it, e cila synon të zvogëlojë vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë prej sëmundjeve më të shpeshta të fëmijërisë dhe promovon rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve të vegjël.  “MISF-i ka të bëjë me fëmijët në shtëpi, si dhe reformimin e sistemit shëndetësor në nivelin parësor të kujdesit shëndetësor: mjeku familjar dhe shërbimet tjera shëndetësore lokale”, tha ai.

Dr. Lulzim Çela, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, tha se Kosova ende konsiderohet si një vend që ballafaqohet me problemet e tranzicionit, dhe kjo reflekton edhe në indikatorët vital të shëndetit.  Duke vlerësuar se Kosova ka shumë sfida dhe ende konsiderohet vend ma shkallë të lartë të vdekshmërisë perinatale, vdekshmëri të lartë të foshnjave e nënave..., ai tha se në kuadër të zbatimit të Strategjisë Sektoriale 2010-2014, zvogëlimi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës është një prej objektivave kryesore.  Deri sot, tha Çela, përkundër vështirësive janë arritur rezultate në mbrojtjen shëndetësore, është zvogëluar numri i sëmundjeve ngjitëse, është arritur nivel shumë i lartë i imunizimit, por mbetet ende që të punohet në arritjen e atyre që janë përcaktuara edhe si objektiva të Mijëvjeçarit.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Johanes Wedening ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së integruar shëndetësore për fëmijët, ndërsa sipas organizatës që përfaqëson ai, çelësi i suksesit është koordinimi i aktiviteteve të gjitha faktorëve në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, jo vetëm nga nëna, por edhe nga të tjerët.

Dr. Aigul Kutumuratova (OBSH/EURO), ka prezantuar objektivat e MISF si një mbrojtje e dizajnuar për të siguruar shëndetin e fëmijës, derisa dr. Merita Berisha –Koçinaj, shefe e Obseravatorit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës-IKSHP , ka prezantuar fakte lidhur situatën në këtë fushë në Kosovë, ku ka shquar shpërndarjen e mirë demografike të institucioneve shëndetësore në vend si dhe rezultatet e arritura në uljen e prevalencës për HIV/AIDS, zvogëlimin e incidencës së sëmundjeve ngjitëse, imunizimim në shkallë të lartë, shpalljen e Kosovës si vend të lirë nga Polio nga ana e OBSH-së, etj.

E prezantuar në Rajonin Evropian të OBSh-së në vitin 1999, MISF-i është zbatuar në 15 shtete anëtare, përfshirë ato me vdekshmëri më të lartë dhe burime të kufizuara. Kjo strategji është prezantuar edhe në Kosovë dhe ka filluar të zbatohet që nga viti 2000. Përkundër rezultateve fillestare pozitive dhe premtuese, vizitat mbikëqyrëse të vitit 2008 gjetën një shkallë të ulët të zbatimit të MISF-it.

Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe ditët vijuese.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)