26 Prill 2024

LDK: Qeveria ka dështuar në sistemin e shëndetësisë

Prishtinë, 29 dhjetor - Edhe pse shëndetësia është sektor me rëndësi jetike për zhvillimin e një shteti,  edhe në vitin 2011, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës Qeveria aktuale nuk i ka dhënë prioritet dhe as vendin e merituar sektorit shëndetësor.

Përkundër buxhetit të premtuar prej 150 milion euro gjatë fushatës parazgjedhore, për vitin 2011 buxheti i gjithmbarshëm i shëndetësisë ka qenë vetëm 79 milion euro.

Edhe buxheti i paraparë për vitin 2012, përkundër një rritje simbolike, nuk parasheh asnjë rritje për investimet kapitale në shëndetësi. 

"Fatkeqësisht, edhe ky buxhet modest është menaxhuar keq, pa respektuar prioritetet e institucioneve kyçe shëndetësore të vendit. I tërë sistemi shëndetësor është në gjendje të rëndë ku dominojnë mungesa e kushteve themelore për punë cilësore dhe kaosi organizativ.  Kjo më së miri ilustrohet me tri institucionet kyçe shëndetësore siç janë Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), Agjensioni Kosovar për Produkte Mjekësore (AKPM)  dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i Kosovës (IKSHPK)", thuhet në vlerësimin e LDK-së.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) pothuajse gjatë tërë vitit është menaxhuar nga UD të drejtorit ekzekutiv.

Drejtori aktual është përzgjedhur pas dy anulimeve arbitrare të konkursit nga MSH e sipas kësaj partie për shkak të ndikimit të grupeve të interesit për të zgjedhur jo menaxher më të mirë por kandidatin e tyre.

Që nga viti 2010 dhe deri sot, të gjithë drejtorët e Klinikave dhe njësive tjera të QKUK janë UD dhe jo drejtor të zgjedhur.

LDK vazhdon në vlerësimin e saj se MSH në ndërkohë, pa respektuar procedurat ligjore në fuqi, në mënyrë krejt arbitrare e ka ndërruar Statutin në fuqi të QKUK.

Me këtë vendim arbitrar dhe në kundërshtim me Ligjin mbi shkollimin e lartë sipas tyre tentohet centralizimi i skajshëm i institucionit më të lartë dhe të vetëm shëndetësor dhe edukativ në vend dhe degradimi i tij në spital të nivelit dytësor.

Një vendim i tillë  thekson LDK është në kundërshtim të plotë me programin e propaguar të Ministrit aktual të shëndetësisë i cili është deklaruar për decentralizim të QKUK dhe formimin e qendrave referente shëndetësore.

"Qasja joserioze dhe menaxhimi joadekuat kanë shkaktuar mangësi të shumta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, siç është furnizimi i pamjaftueshëm me barëra dhe material mjekësor shpenzues, i cili gjatë tërë vitit nuk ka arritur kuotën mesatare prej 50% të nevojave."

Nxjerrja nga funksioni dhe  mirëmbajtja joadekuate e aparaturës së sofistikuar mjekësore dhe një raport jo i qartë në mes të spitaleve publike me ato private ka shkatërruar QKUK-në.

Të gjitha këto sipas LDK-së kanë ndikuar që numri i shërbimeve mjekësore dhe procedurave kirurgjike të jetë dukshëm më i vogël krahasuar me vitet e mëparshme. (numri i operacioneve me anestezion të përgjithshëm këtë vit ka rënë në rreth 10,000 krahasuar me 24,000 sa kanë qenë në vitin 2008).

Agjensioni Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM) menaxhohet nga UD i drejtorit që nga Maj 2010.

Emërimi i UD drejtorit të AKPM sipas LDK është kualifikuar si i jashtëligjshëm edhe nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës.

"Përpjekjet për zgjedhje të rregullt të drejtuesit të këtij Agjensioni gjithashtu kanë dështuar për shkak të interesave të grupeve. Në përgjithësi, sistemin farmaceutik në Kosovë e rëndojnë një mori lëshimesh dhe  të meta të cilat reflektojnë joprofesionalizëm dhe paaftësinë për të qenë në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarit."

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) sipas LDK-se përkundër rezultateve të mira në akreditimin ndërkombëtar të laboratoreve të këtij Institucioni me rëndësi vitale për shëndetësinë publike të Kosovës, raportet e përkeqësuara të nivelit menaxherial  në mes të MSH dhe IKSHPK, kanë ndikuar që të pësojnë shërbimet që ky institucion kryen në shërbim të mbikëqyrjes dhe kontrollit të shëndetit publik. Edhe IKSHPK aktualisht menaxhohet nga UD së Drejtorit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)