18 Gusht 2019

Kriza në shëndetësi kërkon adresim urgjent

Prishtinë, 6 gusht - Lëvizja Vetëvendosje! e ka vlerësuar jetike që shërbyesit civil të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin sa kohë nuk ka qeveri.

Kjo u vlerësua në konferencën e mbajtur sot për media, ku doktorët Arben Vitia dhe Baton Kelmendi nga Komiteti për Shëndetësi në Lëvizjen Vetëvendosje! folën për gjendjen e institucioneve shëndetësore duke ritheksuar se çdokush që merr vendime në këtë kohë jashtë mandatit, apo shfrytëzon këto momente të boshllëkut do të ketë pasoja ligjore.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të domosdoshme për Kosovën. Kështu edhe i jipet fund keqqeverisjes në shëndetësi tha Vitia. Është tentuar t’ju lihet faji profesionistëve shëndetësorë, ose mungesës së strategjisë për zhvillimin e shëndetësisë kur në fakt ka “strategji” për ta dështuar rregullin e zhvillimin në të.

“Instrumenti që përdoret për ta zbatuar këtë strategji të mbrapshtë është edhe sistemi i prokurimit. Kështu po shkaktohen padrejtësi të shumëfishta karshi pacientëve, të cilëve u pamundësohet trajtimi i dinjitetshëm, stafit shëndetësor, të cilëve u është kthyer në sfidë puna e përditshme në mungesë të mjeteve bazike, kompanive të specializuara, të cilëve u është mohuar puna nëse nuk japin ryshfetin e kërkuar, tha Vitia. Raste që e ilustrojnë këtë fenomen ka shumë, por dr. Vitia u ndal në rastin e furnizimit me stenta, të blerjes së shtretërve dhe hemodializës.

“Aty janë shpërblyer kompani të cilat nuk garantojnë minimumin e cilësisë përmes certifikatave bazike. Janë blerë stenta të cilët sipas dokumentacionit nuk garantojnë cilësinë e duhur. Paramendoni, “stenta” vendoset në arteriet koronare në zemër e pacientit. Pikërisht ato nuk e kanë të garantuar cilësinë dhe sigurinë përmes certifikimeve”, tha ai.

“Rasti i furnizimit me shtretër për pacientët ku u porositen mbi 700 shtretër për persona me peshë deri në 300 kg. Standardi është maksimumi deri në 250 kg”. Ky furnizim shkaktoi situata komike ku dyert nuk kishin dimensionet e shtretërve. E tragjike mbetet fakti se në fund, pacientët mbesin pa shtretër, gjersa blerja e tyre është bërë mbi vlerën reale të tregut. Bëhet fjalë për mbi 1 milionë euro.

Tutje, Vitia tha se “simulohet një situatë emergjente e furnizimin për produktet e hemodializës, shfrytëzohet për tenderë me procedurë emergjente të negociuar. I jepet tenderi një kompanie të formuar në kohën e qeverisë së rrëzuar tashmë. Rastësia e sjell që kompania ka për themelues dy persona të afërt me ish-qeverinë. Domethënë, produkte shumë të nevojshme dhe delikate të cilat futen në organizmin e njeriut, fillimisht rrezikohet të mbetet pa to për shkak të mungesës së planifikimit dhe pastaj përmes një procedure emergjente që lë për të dëshiruar, blihen me çmime edhe më të larta.”

Këto mund të evitohen sikur ta kishim të funksionalizuar Sistemin Informativ Shëndetësor, por këtë sistem e kanë dështuar po të njëjtët, përkundër investimeve milionëshe tha ai.

Për të dëshmuar konkretisht se me çfarë përballen mjekët brenda QKUK-së Doktor Baton Kelmendi, shpjegoi sfidat e përditshme për pacientët e mjekët.

“Situata në Qendrën Klinike Universitare është shembulli më përfaqësues ku cinizmi ka mbërritur deri aty sa marketingu personal i ish ministrit Ismajli merret me përurime të punëve që janë kontraktuar ose kanë filluar të punohen vite më parë, ngjyrosjen e vijave të bardha pak para se të përurohet asfaltimi në parkingun e QKUK, e të tjera si këto”, tha Kelmendi.

Ai theksoi se pa vendimmarrje të drejtë dhe transparencë që sjell krijimin e kushteve minimale për punë e kurim, është e kotë lyerja e korridoreve dhe promovimi i sallave nga disa herë, duke përmendur sallën e dytë të kardiokirurgjisë që u promovua dy herë para se të vihej në punë.

“Shumë prej jush jeni përballur dhe ende po përballeni me skena e pasoja të rënda gjatë kurimit aty. Njëjtë edhe mjekët e punëtorët shëndetësorë”, shoti ai, para se t’i rendis problemet për të cilat tha se uron të jenë të fundit me të cilat përballet Qendra Kryesore e Shëndetësisë Publike.

Çfarë janë pra problemet me të cilat përballen pacientët dhe mjekët në QKUK?

1. Ende nuk kemi një raport zyrtar për vdekjet e supozuara nga gazi në QKUK. Ditën e parë të komplikimeve është alarmuar menaxhmenti dhe drejtorët e klinikave përkatëse. Në vend se të fillojnë hetimet është tentuar të fshehët ngjarja.

“Pyetja është pse nuk u lajmëruan organet kompetente të policisë dhe prokurorisë që në ditën e parë me 7 shtator 2017? Ligji për rastet e vdekjeve të dyshimta e obligon këtë lajmërim. Që në oret e para duhet të merren analizat përmes së cilave verifikohet toksiciteti i gazrave apo medikamenteve të përdorura. E kundërta ndodhi. Menaxhmenti nuk njoftoi me kohë policinë dhe prokurorinë dhe me datë 8 shtator 2017 bëri presion që të fillonte puna në salla operatore. Kjo kërkesë u refuzua kategorikisht nga ana e kirurgëve dhe anesteziologeve, janë dhe dëshmitë, pra, protokollet ku vërehet se në ditët në vijim nuk është punuar asnjë rast”, tha Kelmendi duke shtruar pyetjen se përse nuk u mbyllën sallat por qëndruan të hapura gjatë vikendit me datë 9 dhe 10 shtator 2017?

Sipas tij, aty ka pasur lëvizje të njerëzve, ku mundësia e manipulimit me dëshmi ka qenë e madhe.

Tutje, duke folur rreth këtij rasti, ai shtroi pyetjen se përse nuk janë marrë mostrat për analiza gjatë atyre ditëve?

“Pse u dorëzuan trupat që të merren nga familjarët, të varrosen, kur është e ditur se kemi pasur te bëjmë me një situatë të jashtëzakonshme, dhe pastaj të shkaktohet trauma e dytë me zhvarrosje dhe obduksion, kjo pasi që kanë kaluar disa ditë, dhe shumica e dëshmive mund të jenë dëmtuar?”

“Fshehja e rasteve dhe lënia e mundësisë për manipulim cilësohet si bashkëpjesëmarrje ne krim. Ende sot, dy vite pas, nuk ka përgjigje dhe përgjegjësi për këtë rast”, tha ai.

2. QKUK është ndoshta vendi i vetëm në botë ku sallat operatore janë pa filtër steril. Filtri steril është ajrosja, ndërrimi i plotë i uniformës para hyrjes në salla të operacioneve. Ky është një proces pa të cilin nuk imagjinohet kirurgjia. Revolucioni ne këtë fushë daton 1867, kur dhe ka filluar me aplikimin e antisepses dhe Asepses. Është e turpshme dhe kriminale te behën investime marramendëse ne lyerje te objekteve ndërsa sallat funksionojnë pa filtër dhe te ndotura. Për këtë, në çdo vend normal sallat e operacioneve mbyllen", tha ai duke shtuar se nuk kemi filtër steril ngase nuk përbënë investim milionësh.

3. Salla e emergjencës është ne korridorin kryesor të QKUK-së. Ambienti më i frekuentuar, nga ku nëpërmjet një dere të vetme është hyrë në sallën e operacionit. Unë vetë kam qenë prezent në raste kur qytetarët vizitorë janë futur gabimisht brenda në sallë ku po operohej pacienti.

4. Ndoshta jemi spitali i vetëm në botë, përjashto spitalet e luftës, ku rrobat e kirurgëve dhe të anesteziologëve pas operacioneve lahen në shtëpitë e këtyre të fundit. Shërbimi përkatës nuk sigurohet nga QKUK. Paramendoni, rrobat e ndotura me gjak, qelb, jemi të detyruar t’i dërgojmë në shtëpitë tona. Kjo është situatë tragjike dhe rrezikon shëndetin e familjareve te stafit shëndetësor."

5. Që nga paslufta nuk punon gypi C (C arm) në sallat e kirurgjisë. Mjeti elementar për të bërë diagnozë intraoperatore, pra gjatë operacionit. Asnjëherë nuk është marrë as mundimi më i vogël për ta rregulluar. Për rëntgenin mobil as nuk është diskutuar.

6. Sa është vlera totale e aparatit të koronarografisë? I njëjti u përurua kur mbërriti në aeroport para disa muajve, kur e sollën në QKUK, dhe promovimi final kur e vendosën në punë në repartin e kardiologjisë invazive. Ky aparat me vite ka qëndruar në depo në vendin e origjinës duke paguar qiranë e magazinimit sepse në Kosovë nuk ka pasur hapësirë adekuate ku të vendoset. Nga kush është bërë porosia dhe si është e mundur të porositet pa e pasur infrastrukturën bazë se ku do të vendoset?

"A është kërkuar përgjegjësi për këtë, dhe nga cilat struktura mbrohet një dëm e keqpërdorim i tillë i buxhetit?", shtroi pyetjen Kelmendi.

7. Sistemi shëndetësor është një zinxhir i plotë, i pashkëputur. Tek ne kanë mbetur vetëm hallkat e zinxhirit të palidhura me njëra-tjetrën. Shpesh merren vendime ad hoc nga klinikat. Shkaku është mungesa e protokolleve klinike. Ato janë si ABC-ja e trajtimit klinik. Për çdo sëmundje ekziston përshkrimi se si të trajtohet një rast sipas protokollit. Ai zyrtarizohet dhe standardizohet. Në vitin 2019, kur shkenca ka avancuar aq shumë dhe shpejt, në shumicën e klinikave tona nuk ekzistojnë protokollet. Kolegjiumet interdisiplinare ku specialistet e profileve të ndryshme konsultohen në baza të rregullta për trajtimin e pacientëve as që bëhet fjalë të funksionojnë. Në çdo spital sado modest, Kolegjiumet janë normë dhe takimet e tilla mbahen të paktën çdo javë.

8. Materiali shpenzues, përkundër premtimeve dhe shtimit te buxhetit, pra mungesa e mjeteve elementare vijon të jetë sfidë për ne dhe pacientët. Çdo herë diçka është mangut. Edhe kur njëri preparat është ne stok, tjetri mungon. Është e pabesueshme kur pacienti që ka nevoje urgjente për ndërhyrje kirurgjike, nuk mund t’i nënshtrohet operacionit pa u siguruar tubusat endtraheal, pa të cilin nuk mundet të hyj në anestezion. Tubusat prej numrit 3.5 mm deri në 8 mm kanë munguar për gati 1 vit.

Ka pasur mungesa të Ampulave Metilprednisolon që janë pjesë e antishok terapisë. Mungesa e tyre është rrezik i drejtpërdrejtë i jetës së pacienteve.

Ka pasur periudha të gjatë me mungesë të kontranstit për imazheri.

Në Mjekimin Intenziv Pediatrik, ka pasur po ashtu mungesa bazike të materialit shpenzues duke filluar nga “kalaqet”.

Javën e kaluar për shembull ka pasur mungesë të sistemeve për infuzion, apo gypave që përdoren për marrjen e infuzionit. Furnizimi me to kushton pak cent.

"Ka muaj që mungojnë penjtë në sallë (Vicryl 2.0, Vicryl 5.0 etj), si dhe elektrokauteri në sallën e 2 të emergjencës është në defekt. Praktikisht vetëm një sallë është e gatshme për operacione. Radhët e panevojshme për operacione urgjente e kanë edhe këtë si shkak. Merreni me mend nëse bëhet fjalë për ndonjë pacient që duhet ti nënshtrohet operacionit brenda minutave e salla është e zënë. Pra, gjithë QKUK me vetëm një sallë funksionale për operime."

Me 13 maj 2019 në disa salla operatore nuk ka punuar për shkak të mungesës së fentanilit, medikament për anestezion. Si është e mundur që nuk mbërrijnë të planifikojnë furnizimet me kohë por ditën e operacionit mjeku përballet me mungesën e tyre.

Kërkojmë sqarime se nga është planifikuar të sillet aparati i dytë ekstrakorporal, për operacionet kardiokirurgjike. Aparati i ri ka pasur defekt. Rastësia e solli, që pa filluar operacioni të ndodhë defekti. A servisohen me rregull aparatet nga kompanitë e specializuara për to?

9. Prej 2 vitesh nuk ka përgjegjës për vjedhjen në barnatoren qendrore të SHSKUK. Para dy vitesh janë vjedhur një numër i konsiderueshëm i Sevofluranit, medikament që përdoret për anestezion.

10. Drejtoria dhe bordi ka bërë partizim brutal në SHSKUK. Ky fenomen ka mbërritur kulmin aktualisht. Një ndër arsyet e dështimeve të shumta është mungesa e plotë e kritereve profesionale dhe etike të këtyre personazheve. Ndërtesa e administratës së SHSKUK më shumë i përngjan zyrës lokale të PDK-së për lagjen e spitalit se sa një institucioni përgjegjës për të vetmen Qendër Klinike Universitare në vend, dhe të gjitha spitaleve rajonale të Kosoves.

"Cilat ishin pra prioritet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxhmentit të Shërbimit Klinik Universitar? Ngjyroja e vijave të bardha në asfaltin e parkingut apo krijimi i kushteve elementare për punë dhe kurim të dinjitetshëm?", tha ai.

11. Ish ministri Ismajli vjen nga përvoja e menaxhimit të bizneseve dhe njëjtë veproi me sistemin shëndetësor në Kosovë. Por shëndetësia nuk ka asgjë të ngjashme me veprimtaritë e rëndomta biznesore. Aty reklama e shet produktin. Në shëndetësi duhet dhënë shërbime, të dinjitetshme, cilësore, në kohën e duhur dhe me etikë të lartë profesionale e njerëzore.

"Është i kotë promovimi nga tri ose katër herë i gjërave të njëjta si dhe dalja nëpër rrjete sociale -teksa në spitale mungojnë gjërat elementare dhe pacientëve nuk ju sigurohet një qëndrim i dinjitetshem në çastet më të vështira të jetës së tyre." tha Kelmendi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 gusht 2019

- Mbahet mbledhja e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Komuna e Rahovecit, ora 10:00)

- Shoqata "Miqtë e Amerikës" festojnë ditëlindjen e mikut të madh të shqiptarve e mbar njerëzimit ish Presidentit të SHBA, Billi Clinton . (Zyret e shoqatës "Miqtë e Amerikës", që gjendet afë Agjencisë së Statistikave të Kosovës përball Parlamentit, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia solemne e hapjes së punimeve të Seminarit XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. (Biblioteka Universitare, ora 11:00)

- Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëjn përurimin e Stadiumit Ndihmës në lokacionin Boka Boka. (Fshati Korishë në Prizren, ora 11:00)

- Bëhet shfaqja për media e filmit "Shpia e Agës" i Lendita Zeqirit (Kinema Cineplexx, ora 13:00)

-  Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me banorët e rajonit të Hasit dhe Anadrinit, me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shtëpia e Kulturës në Gjonaj, ora 19:00)