26 Prill 2024

Kosova e Shqipëria nënshkruan bashkëpunimin në farmaceutikë

Prishtinë, 6 prill - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Dr. Ferid Agani dhe Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Shqipërisë, Dr. Petrit Vasili, nënshkruan sot në Prishtinë Memorandumin e bashkëpunimit midis dy ministrive në fushën e farmaceutikës.

Po ashtu, Memorandumi i bashkëpunimit në këtë fushë është nënshkruar edhe në mes Drejtorit të Qendrës Kombëtare për Kontrollin e Barnave të Shqipërisë, z. Besnik Jakaj dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Agjensionit Kosovar për Produkte Mjekësore të Kosovës, z. Ilir Dushi.

Me këtë Memorandum të bashkëpunimit, institucionet homologe të shëndetësisë nga Kosova dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë, komunikojnë, shkëmbejnë informacione dhe eksperienca në fushën e legjislacionit farmaceutik; kontrollit të cilësisë së barnave; inspektimit të kushteve të mira të fabrikimit (GMP); farmakovigjilencës dhe aktiviteteve të përbashkëta shkencore, edukuese, informuese, etj.

Ministri Ferid Agani e ka falënderuar homologun e tij Vasili për ndihmën e pakursyer që Shqipëria po i jep sistemit shëndetësor të Kosovës në procesin e filluar të reformave dhe i ka vlerësuar raportet si jashtëzakonisht të mira.

“Marrëdhëniet tona janë larg prej marrëdhënieve formale, kemi një bashkëpunim shumë të hapur e të sinqertë, takohemi sa herë që kemi nevojë për t’u konsultuar për çështjet me interes të dyanshëm dhe pa protokoll dhe jemi shumë falënderues për ndihmën që i është dhënë MSh-së nga ana e Shqipërisë në fushën e shëndetësisë”, tha Ministri Agani.

Ai vlerësoi se me nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit, do të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e përafrimit të legjislacionit në farmaceutikë dhe në aspekte të tjera të këtij sektori shumë të ndjeshëm, ndërsa përfitues të këtij bashkëpunimi do të jenë qytetarët e të dy shteteve.

“Bashkëpunimi në këtë mënyrë do të mundësojë që popullata në dy shtetet të ketë barna të sigurta e cilësore dhe shërbime sa më të mira shëndetësore”, theksoi Ministri Agani.

Ministri Patrit Vasili tha se Shqipëria e Kosova janë në proces të integrimit të sistemeve shëndetësore dhe, Kosova, vlerësoi ai,  është në rrugën e drejtë të reformës shëndetësore.

“Reformat janë në rrugën e duhur, ndërsa eksperiencat e vyera do t’i vëmë në funksion të implementimit të reformës shëndetësore në Kosovë”, tha ai.

Ministri Vasili theksoi se edhe vet qëllimi i vizitës në Kosovë dhe nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit është eliminimi i barrierave burokratike në sektorin e farmacisë dhe rritja e transparencës në këtë sektor.

“Tashmë Kosova dhe Shqipëria flasin me një gjuhë tjetër edhe në fushën e përafrimit të legjislacionit dhe të dy sistemet shëndetësore të vendeve tona janë në fushën e reformimit pozitiv”, theksoi Ministri Petrit Vasili.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)