16 Prill 2024

KOMF: Duhani, kërcënim për fëmijët

Prishtinë, 31 maj - Me rastin e shënimit të Ditës Botërore Kundër Duhanit, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, bën thirrje që të merren masa parandaluese për vetëdijesimin dhe ndalimin e konsumimit të duhanit nga fëmijët, ekspozimit të fëmijëve ndaj tymit të duhanit, si dhe kufizimin e qasjes së fëmijëve për blerjen e duhanit. KOMF konsideron se Kosova duhet ta vë si prioritet kryesor mbrojtjen e shëndetit publik, mbrojtjen e fëmijëve nga pasojat shkatërruese shëndetësore dhe sociale të konsumimit të duhanit.

Të dhënat çdo ditë e më tepër po dëshmojnë se tymosja e duhanit po rrezikon seriozisht shëndetin e përgjithshëm të popullatës, në veçanti të fëmijëve. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tri të katërtat (78%) e meshkujve dhe gjysma e femrave (47%) raportojnë të kenë përdorur ndonjëherë produkte duhani, 34% e meshkujve dhe 19% e femrave kanë tymosur cigare, apo kanë përdorur produkte duhani të tymosura apo të pa tymosura gjatë muajit të fundit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi i duhanit është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për një numër sëmundjesh kronike, duke përfshirë kancerin, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet kardiovaskulare. Përveç kësaj rrezikut të përgjithshëm nga konsumimi i duhanit, fëmijët në Kosovë janë të rrezikuar edhe nga pirja pasive e duhanit. Pirja pasive e duhanit nënkupton thithjen e tymit që vjen nga dikush tjetër që pi duhan, qoftë në familje, lokale afariste apo ambiente të tjera. Fëmijët e ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit rrezikohen nga infeksionet dhe sëmundjet e mushkërive, duke përfshirë bronkitin, pneumoninë si dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Përkundër faktit se në vitin 2008 Kosova ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit, qytetarët e Kosovës, madje edhe institucionet publike vazhdojnë të shkelin këtë ligj, duke mos i dhënë prioritet mbrojtjes së shëndetit publik.

Me këtë rast, KOMF i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunave të Kosovës të marrin masa dhe të zhvillojnë programe për parandalimin e përdorimit të duhanit nga fëmijët. Kjo mund të realizohet përmes krijimit dhe sponsorizimit të shërbimeve në nivel qendror dhe komunal që mundësohen nga ofruesit shtetëror dhe privat, për të ofruar një shumëllojshmëri të shërbimeve dhe avokimit për vetëdijesimin e publikut të gjerë me theks të veçantë fëmijët, për pasojat e konsumimit të duhanit dhe substancave të tjera narkotike.

KOMF i bën thirrje prindërve që të mbrojnë fëmijët nga duhani duke eliminuar plotësisht konsumimin e tij në prezencën e fëmijëve.

KOMF i bën thirrje subjekteve afariste që operojnë në Republikën e Kosovës për respektimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

KOMF i bën thirrje organeve të mbikëqyrjes dhe ekzekutimit të kontrollit të përdorimit të duhanit, që të inspektojnë dhe ndalojnë pirjen e duhanit në të gjitha ambientet e ndaluara me ligj.

Kjo do të ndihmonte në ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe parandalimin e sëmundjeve të fëmijëve të cilat ndodhin si pasojë e konsumimit të duhanit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)