25 Prill 2024

KDI: Prokurimi Publik në MSH është i lënduar

Prishtinë, 20 tetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik”, ka publikuar Raportin Analitik për prokurimin publik në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).

Në raport përfshihen të gjeturat nga monitorimi dhe hulumtimi gjashtëmujor që KDI/TIK është duke bërë në disa sektorë qeveritarë, nga analizimi i dosjeve të disa tenderëve për periudhën mars 2011 – mars 2012, si dhe analizimi i zbatimit të legjislacionit në praktikë.

KDI/TIK vlerëson se Prokurimi Publik në MSH përgjatë periudhës mars 2011 – mars 2012 është karakterizuar me probleme të ndryshme. Në shumë raste janë shfaqur dyshime konkrete, për mënyrën e shpenzimit të parasë publike nga ky institucion.

 Hulumtimi i KDI-së nxjerr në pah se problemet në këtë dikaster qeveritar paraqiten kryesisht për shkak të moszbatimit të legjislacionit. 

Nga analizimi i dimensioneve të përcaktuara në këtë hulumtim që lidhen me tërë procesin e tenderimit, janë evidentuar parregullsi dhe dyshime në menaxhimin e parasë publike, planifikimin buxhetor, probleme në zbatimin e kontratave, raste të konfliktit të interesit dhe mungesë të transparencës e shkelje të tjera.

Një ndër problemet kryesore i evidentuar është procesi i tenderimit dhe i zbatimit të kontratave që lidhen me Listën e Barnave Esenciale.

Shumë dyshime lidhen me mënyrën e përzgjedhjes së barnave, komisionit që bënë këtë përzgjedhje, si dhe transparencën e MSH-së në këtë proces Ndërsa, për listën e barnave esenciale, mjekët ankohen se kjo listë nuk i përmbush as 30% të nevojave.

Dyshime shfaqen edhe në çmimet e barnave që MSH paguan, të cilat sipas këtij hulumtimi, barna të caktuara paguhen shumëfish më shtrenjtë, se sa që paguajnë vendet në rajon e edhe ato evropiane.

Ndërsa, dyshimet rriten kur, me gjithë çmimet e larta që paguhen për produkte medicinale, mjekët ankohen se ka një kualitet të dobët të produkteve medicinale të cilat ata duhet t’i përdorin.

Mungesa e një liste të çmimeve referente, duke u bazuar në tregun rajonal apo edhe në atë evropian, gjithashtu është një element që tregon se ka tendencë të fryrjes së çmimeve në këtë sektor.

Konflikti i interesit dhe keqpërdorimi i detyrës në MSH janë të gjetura të tjera në këtë raport. Një e dhënë nga ky hulumtim flet se si Operatorët Ekonomikë me emra të ndryshëm, por me pronarë të njëjtë marrin disa kontrata nga MSH, dhe atë për Menaxhimin e Depove dhe për furnizim me barna të ndryshme.

Gjatë hulumtimit është evidentuar se operatorë të ndryshëm ekonomik - furnizues të MSH-së, nuk i kanë zbatuar kontratat në përpikëri, duke zvarritur kështu furnizimin me produkte , madje edhe të atyre që janë shumë urgjente. 

Ndërsa nga institucionet që kanë për qëllim të evitojnë shkeljet dhe korrupsionin në këtë sektor, rreziku shfaqet në humbjen e besimit tek këto institucione, sidomos tek institucioni i vetëm për ankesa – OSHP. Për KDI-në kjo  është  një e gjetur mjaftë  shqetësuese, ku nga kontaktet me operatorët ekonomik, ata theksojnë se për shkak të mos besimit që kanë në këtë institucion janë pasivë në parashtrimin e ankesave. Gjithashtu operatoret ekonomik kritikojnë se numri i ekspertëve që i vlerësojnë ankesat në OSHP për fusha të caktuara  nuk është i mjaftueshëm, e mungojnë ekspertë në fushën e shëndetësisë.

Ndërsa, sa i përket kritereve të përzgjedhjes, në  analizimin e dosjeve të 11 tenderëve të caktuar, ka dalë se vetëm për një tender është përdorur kriteri për përzgjedhjen e operatorit, ekonomikisht më të favorshëm, gjë që rezulton me ofrim të cilësisë së dobët produkteve medicinale. Sikur autoriteti kontraktues të përdorte kriterin e parë - ekonomikisht më të favorshëm, potencialisht do të rriste edhe gjasat për shpenzim më racional të parasë publike.

Përpos këtyre, raporti analitik evidenton parregullsi dhe shkelje të tjera, ku ndër to janë edhe mos ofrimi i kushteve adekuate për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e barnave në depot e operatorëve ekonomik, të cilët furnizojnë MSH-në. E gjithë kjo tregon se bizneset kosovare që shesin produkte medicinave,  nuk inspektohen si duhet nga MSH.

Rekomandimet për institucionet përgjegjëse:

Duke parë funksionimin e prokurimit publik në MSH, KDI/TIK rekomandon që të përcaktohet me ligj nxjerrja e një liste referente të çmimeve të produkteve medicinale - e bazuar në çmimet e tregut rajonal dhe evropian, të përcaktohen me ligj afate kohore të veçanta (më të shkurtra) për produktet medicinave, si dhe të përcaktohet me ligj çështja e asgjësimit të barnave.
 
Ndërkaq, sa i përket MSH-së, ky institucion do të duhej të dëshmojë parimet e transparencës dhe llogaridhënies, të publikojë në ueb faqen e saj zyrtare emrat e anëtarëve të komisionit përpilues të Listës së Barnave Esenciale, të përdoret më shumë kriteri “ekonomikisht më i favorshëm”, si dhe të investojë më shumë në planifikimin, menaxhimin dhe shpërndarjen e produkteve nga Lista e Barnave Esenciale nëpër spitalet dhe institucionet shëndetësore përkatëse.

Ndërkohë, sa i përket operatorëve ekonomikë, rekomandohet që të rrisin raportimet për parregullsitë tek institucionet përkatëse, si dhe të kenë trajnimin e mjaftueshëm për procedurat e tenderimit dhe të njohin legjislacionin.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)