26 Prill 2024

KDI: MSH rëndon buxhetin për 1.2 milionë euro

Prishtinë, 23 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), gjatë monitorimit të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht të tenderit me numër 206-12-044-111 (Lloti 36), për Furnizim me Citostatik, ka parë disa ndryshime në listën e barërave esenciale të cilat në bazë të informacioneve të KDI-së, përveç që kanë qenë të panevojshme edhe e rëndojnë buxhetin e shtetit për 1.2 milionë euro. 

Në kuadër të këtij tenderi, sipas KDI/TIK Ministria e Shëndetësisë ka hequr nga Lista e Barërave Esenciale, përkatësisht nga Lista e Citostatikëve, llojin e barit Ondansetron dhe Granisetron (që ishin në përdorim në dy vitet e fundit) duke zëvendësuar ato me Palonosetron (që nuk është përdorur  më parë).

Përderisa, në tenderin e vitit 2010 për Furnizim me Citostatik me numër 71300-10-533-111, Lloti 39 (Ondansetron 4mg) MSH për 6.000 njësi, ka paguar çmimin 1.32 euro, e që në total ka kushtuar me 7.920 euro, në vitin 2012, në Tenderin për Furnizim me Citostatik, nr. 206-12-044-111, pasi që është hequr Ondansetroni dhe Granisetroni nga Lista Esenciale e Branave, për Palonosetron ka paraparë të paguhen 16.000 njësi me çmimin për njësi prej 77.99 euro, në total 1.247.840.

Dallimi ndërmjet tenderit të vitit 2010 dhe këtij të vitit 2012 është 1.239.920 euro. Po ashtu, nga Komisioni Hartues i Listës së Barnave Esenciale është rritur edhe sasia e këtij bari, nga 6 mijë në 16 mijë, kërkesë kjo orientuese për nevojat e shërbimeve shëndetësore. Sipas ekspertëve të konsultuar, kjo bëhet pa u bazuar në statistika ose të dhëna të këtyre institucioneve në lidhje me kërkesën që mund të kenë institucionet shëndetësore.

Për ta analizuar efektin e këtyre barërave, KDI/TIK ka konsultuar profesionist të fushës. Onkologët, farmacistët dhe farmakologët vlerësojnë se Ondansetroni, Granisetron dhe Palonosetroni janë të njëjtë dhe vijnë nga një familje e njëjtë e barnave (e njohur në gjuhën shkencore si “Me Too”), por që dallojnë shumë për nga çmimi.

Pra, këto barëra nuk janë shëruese, por suplementare (plotësuese) dhe shkojnë bashkë me Citostatik me qëllim të ndalimit të vjelljes së pacientëve që shkaktohen nga Citostatikët.

Sipas ekspertëve, Palonosetroni është një lloj bari i gjeneratës më të re dhe kushton më shumë. Në rastin në fjalë, nuk janë marrë parasysh kriteret për përzgjedhjen e një bari, e që janë: 1. Çmimi, 2. Profili Farmakologjik dhe 3. Profili Farmakokinetik.

Po të analizohej buxheti për vitin 2012, nga  më shumë se 18 milionë euro për barna, i bie se gati 10 për qind e këtij buxheti është parashikuar vetëm për llojin në fjalë.

Ndërkohë, nga një hulumtim që kemi bërë në lidhje me atë se cilat lloje të këtyre barnave përdoren në vendet e rajonit, vetëm dy shtete e përdorin Palonosetronin, Kroacia dhe Serbia, ndërsa shtetet tjera e përdorin Granisetron dhe Palonosetron, shumëfish me të lira. 

Kroacia si përdoruese e këtij lloji, së fundi është ballafaquar me një aferë të madhe korrupsioni. Siç është raportuar, hetimi ka zgjatur tre muaj nga i cili është konstatuar se me qindra mjek nga e gjithë Kroacia kanë marrë ryshfet në mënyrë që pacientëve t’u përshkruanin barëra të llojit të lartpërmendur.

KDI ka bërë kërkesë zyrtare për të marrë informata rreth ndryshimit të listës esenciale, si dhe për të pasur qasje në këto dy kontrata mirëpo akoma nuk kemi marrë përgjigje.

\"Edhe pse kemi të bëjmë me Kontratë Kornizë, KDI rekomandon dhe i bënë thirrje ministrit të shëndetësisë që mos të nënshkruaj kontratën, pa u bërë një analizë e thuktë dhe transparente për nevojën e ndryshimit të këtyre barërave dhe arsyeshmërinë e rritjes së buxhetit nga 7,000 euro në 1,200,000 euro.:

Duke parë dallimin e madh në mes të buxhetit dhe sasisë së barnave, nga vitet paraprake në këtë vit, në mënyrë që të sigurohet një shpenzim adekuat i buxhetit dhe të ketë transparencë më të madhe, KDI rekomandon që në proces të vendimmarrjes të përfshihen edhe profesionistë jashtë institucioneve publike, si mjekë, farmacistë, farmakologë dhe organizata profesionale joqeveritare. 

Ky aktivitet i KDI-së është zhvilluar në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik”, i cili bënë monitorimin e prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Infrastrukturës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)