20 Shtator 2020

Gjilani po vazhdon me dezinfektimin për të parandaluar Covid19

Gjilan, 23 mars - Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka vizituar sot Qendrën Regjionale të Shëndetit Publik, ku është konstatuar se nuk ka raste të reja dhe ato të deritanishmet janë duke u trajtuar nga institucionet shëndetësore, duke monitoruar edhe vetizolimin e familjeve me të cilat kanë pasur kontakt të prekurit.

Ismajli, në këtë takim të rregullt, potencoi rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha hallkat shtetërore që janë duke u marrë intensivisht me parandalim dhe kontrollin e gjendjes, për të mos lejuar përhapjen e rasteve me pandemi në rreze më të gjerë.

“Jemi duke punuar të gjithë së bashku që këtë situatë ta kalojmë me lehtësi. Janë të mobilizuara të gjitha institucionet me kujdestari 24 orëshe për të garantuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët që kërkojnë mbështetjen dhe trajtimin mjekësor”, ka thënë nënkryetari Ismajli pas kësaj vizite.

Ai, gjithashtu, ka konfirmuar se Komuna e Gjilanit, në kuadër të angazhimeve në këto raste emergjente, ka bërë dezinfektimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Zhegër, në Cërrnicë dhe në klubin e gazetarëve “Beqir Musliu”. Gjithashtu, në ditët në vijim është konfirmuar se do të bëhet dezinfektimi i objekteve të vjetra të banimit kolektiv në qendrën e qytetit, me kërkesën e banorëve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Shtator 2020

- Forumi Ballkanik në emër të Platformës së Shoqërisë Civile për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut mban konferencë për shtyp në të cilën publikon raportin hulumtues, që është një vështrim mbi progresin e bërë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor drejt zbatimit të zotimeve të tyre që nga Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër (2018) dhe Poznań (2019), të zhvilluara në kuadër të Procesit të Berlinit të nisur në vitin 2014. (Zyret e Forumit Ballkanik Rr. Tirana, C4/2 LAM B-N2 11-1, banesat e bardha të Prime Group, afër Euro Printy, ora 13:00)
 
- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 14:00)