29 Mars 2024

Gjermania e Kosova partner në fushën e shëndetësisë

Prishtinë, 15 korrik - “Gjermania është një nga vendet që ka dhënë më së shumti kontribut në pavarësinë e vendit dhe në procesin e shtet ndërtimit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta fuqizuar këtë marrëdhënie, duke e konsideruar shtetin gjerman si partner serioz dhe afatgjatë, në të gjitha fushat”, kështu tha Kryeministri Haradinaj, pasi priti në takim ministrin e Shëndetësisë të Gjermanisë, Jens Spahn.

Në këtë takim Kryeministri Haradinaj e informoi ministrin Spahn për zhvillimet e fundit në vend, duke vënë theks në përparimet në fushën e shëndetësisë.

“Qeveria e Kosovës, me të drejtë e ka rritur rreth 20 për qind buxhetin për shëndetësinë, në të gjitha nivelet e saja për vitin 2019-të, si përpjekje për ta përmirësuar këtë sektor dhe për të përmirësuar shërbimet në fushën e mjekësisë dhe shëndetësia është ndër sektorët me prioritet në vend dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë angazhimin tonë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke e potencuar faktin që në këtë rrugëtim, partner si Gjermania janë tejet të rëndësishëm dhe se Kosova është vend që përveç ekspertëve të mjekësisë, mund të ofrojë më shumë edhe në aspektin e shërbimeve mjekësore, nga këtu për vendet evropiane, me theks të veçantë për tregun shëndetësorë në Gjermani.

“Kosova ka kapacitete për të ofruar shërbime shëndetësore dhe përcjellëse edhe për Gjermaninë. Ne kemi qenë dëshmitarë që ekspertët tanë tashmë kanë shënuar rezultate dhe suksese në Gjermani dhe vende të tjera, po ajo çka mund të bëjmë është, bashkëpunimi konkret, që nga këtu, me ekspertë tanë, t’i ofrojmë këto shërbime për Gjermaninë dhe ky lloj partneriteti do të jetë në interes të të dyja palëve”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, falënderoi ministrin Spahn për përkrahjen në vazhdimësi të shtetit të tij dhënë për fushën e shëndetësisë në të gjitha fazat e zhvillimit të këtij sektori në Republikën e Kosovës.

“Që nga paslufta, Kosova ka marrë më shumë se 650 milionë euro donacione nga Gjermania dhe një pjesë e tyre kanë qenë të dedikuara për sektorin e shëndetësisë. Vizita juaj sot është një dëshmi se kjo marrëdhënie duhet të përqendrohet më shumë në një partneritet. Nënshkrimi i një Deklarate të Përbashkët të qëllimit, në të cilën, shkëmbimi i përvojave në fusha të tilla si sigurimi shëndetësor, menaxhimi shëndetësor, kualifikimi i profesionistëve të shëndetësisë dhe mbështetja për akreditimin dhe certifikimin e stafit infermierë janë fusha me interes, për të cilat shprehim angazhimin tone te plote ", tha Kryeministri Haradinaj, duke përmendur, ndër të tjera, Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, i cili është një investim gjermano-kosovar dhe mund të shërbejë edhe në këtë partneritet.

Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar Ministrin e Shëndetësisë së Gjermanisë për vizitën ka treguar që Qeveria, prej muajsh ka nisur reforma të përgjithshme në vend, të cilat përfshijnë edhe reformat në shëndetësi dhe arsim, me qëllim të avancimit të këtyre sektorëve dhe vizita e sotme është rast i mirë për t’i parë nga afër këto të arritura dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërshtetërorë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)