28 Mars 2024

Fëmijët vazhdojnë të kenë qasje të limituar në kujdesin shëndetësor

Prishtinë, 1 dhjetor - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF ka mbajtur konferencën për media për publikimin e dokumentit “A po realizohet e drejta ime për Shëndetin më të mirë?” Ky dokument është hartuar në kuadër të Grupit Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi.

Dokumenti ofron një pasqyrë të disa prej fushave kryesore që duhet të merren parasysh në zhvillimin dhe zbatimin e politikave. Dokumenti paraqet të dhënat vitale për fëmijët, lindshmërinë dhe vdekshmërinë e foshnjeve, lindjet nën peshë, vaksinimin, gjidhënien dhe gjendjen e të ushqyerit, trajtimin e fëmijëve me sëmundje të rënda, mungesën e barnave nga lista esenciale, menaxhimin e buxhetit.

Dokumenti u prezantua nga anëtarët e Grupit Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi, Arbnora Kllokoqi nga KOMF, Mrika Aliu nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Zana Shabani nga Save the Children dhe Besim Kodra nga Shoqata e të drejtave të pacientëve në Kosovë.

Arbnora Kllokoqi nga KOMF deklaroi se fëmijët vazhdojnë të kenë qasje të limituar në kujdesin shëndetësor.

"Shërbimet e ofruara në nivelin e Qendrave të Shëndetit Parësor nuk janë të fokusuara në përmbushjen e nevojave të grupeve të cënueshme, poashtu ka eksperiencë të kufizuar në atë se si të inkurajohet përfshirja sociale si dhe sigurimi i qasjes në shërbimet bazë për grupet e cënueshme. Vlen të theksohet se pak shërbime ofrohen për personat të cilët nuk janë në gjendje të marrin pjesë fizikisht në institucionet shëndetësore.”

Mrika Aliu nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë foli për të dhënat vitale për fëmijët. “Edhe pse shkalla e vdekshmërisë së foshnjeve ka rënë, Kosova vazhdon të mbetet vendi me vdekshmërinë më të lartë të foshnjeve në Europë.

Shkalla e vdekshmërisë neonatale, e fëmijëve dhe porsalindurve është pothuajse dy herë më e lartë si vlerë për të varfërit.

Prematuriteti vazhdon të jetë shkaku më i shpeshtë i vdekjeve të hershme neonatale me 56%, pasuar nga anomalitë kongjenitale me 15% dhe asfiksioni me 13% kurse infeksionet janë përgjegjëse për 7% të vdekjeve të hershme neonatale.”

Zana Shabani nga Save the Children foli për gjidhënien dhe gjendjen e të ushqyerit të foshnjeve.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 45% e të posalindurve ushqehen me gji brenda orës së parë pas lindjes dhe derisa më shumë se katër të pestat (86%) ushqehen me gji brenda ditës së parë pas lindjes, të ushqyerit vetëm me gji është prevalent për vetëm 40% të fëmijëve nën moshën 6 muajsh që kontribuon në shkallën e të ushqyerit me gji adekuat për më pak se gjysmën e fëmijëve të moshës 0-23 muajsh (46%).

Ajo poashtu foli për rëndësinë e fortifikikimit të miellit me hekur dhe acid folik, ku sipas rezultateve laboratorike nga kontrolli për zbatueshmërinë e Ligjit mbi Pasurimin e Miellit me Hekur dhe Acid Folik, në vitin 2016 dhe 2017, tregojnë se vetëm gjysma e miellit i cili shitet në Kosovë, pasurohet me këto dy materie.”

Besim Kodra nga Shoqata e të drejtave të pacientëve në Kosovë, foli për financimin e sektorit të shëndetësisë, mungesën e barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – QKUK dhe trajtimin e fëmijëve me sëmundje të rënda jashtë vendit.

Besim Kodra tha se Kosova e ka 2.79 për qind të GDP- së e ndan për shëndetësi që është më ulëta në rajon; vetëm 139 euro për kokë banori. 

Rreth 50 për qind e buxhetit shkon për paga, 26 për mallra dhe shërbime, 8.38 për subvencione dhe transfere. Vetëm 32 për qind e buxhetit i dedikohet pacientit. 86 për qind të barnave pacientët janë duke i blerë vetë, që është padrejtësi e madhe këtu preken edhe  fëmijët.

Donjeta Kelmendi nga KOMF foli për vaksinimin e fëmijëve. “Bazuar në dokumentin e hartuar, ajo prezantoi të dhëna për vaksinimin e fëmijëve duke thënë se, 95% e fëmijëve janë të vaksinuar me DTP3, 79% janë vaksinuar plotësisht përderisa vetëm 1/3 e fëmijëve janë plotësisht të vaksinuar në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Arsyeja kryesore mbetet mungesa e njohurive dhe ndërgjegjësimit tek prindërit për pasojat shëndetësore tek fëmijët që nuk vaksinohen.

Qendrat e Mjekësisë Familjare rekomandohen të realizojnë shërbimin e vizitave mjekësore sipas nevojës, në shtëpi për evidentimin e fëmijëve të pa vaksinuar dhe zbulimin e sëmundjeve të fëmijëve që shpeshherë mund të jenë me pasoja fatale për shëndetin e fëmijës.”
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)