19 Mars 2024

Fëmijët kosovarë operohen nga kardiokirurgët italianë

Prishtinë, 19 mars - Kardiokirurgë nga Italia po qëndrojnë këto ditë në Prishtinë dhe, bashkë me kardiokirurgë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po operojnë fëmijët me probleme në zemër.

 Kardiokirurgu në Klinikën e Kardiokirurgjisë, dr. Arbër Kutllovci, e vlerësoi lart bashkëpunimin me mjekët italianë. Kutllovci tha se me ndihmën e tyre, në QKUK po kryhen operacione komplekse .

“Për ne, kardiokirurgët që punojmë këtu, është një punë jashtëzakonisht profitabile, për shkak se mendojmë t’i vëmë bazat e Kardiokirurgjisë Pediatrike”, theksoi Kutllovci.

Sipas tij, të gjithë pacientët e operuar janë liruar në shtëpi, me gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht se ishin raste komplekse.

“Kardiokirurgjia Pediatrike do një përkushtim të madh të krejt ekipit, jo vetëm të kardiokirurgëve, por të gjithë stafit mjekësor. Ne e kemi një eksperiencë modeste, të cilën do të mundohemi ta praktikojmë, pastaj, pas një kohe, do ta avancojmë atë deri në nivelin që është kardiokirurgjia për të rritur” tha Kutllovci.

Në anën tjetër, kardiokirurgu italian, Bruno Murzi, është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin me mjekët kosovarë.

Ai tha se mjekët në Kosovë po bëjnë një punë të mirë, derisa foli edhe për operacionet, të cilat janë paraparë të kryhen deri në ditën e premte.

 “Nuk e dimë akoma. Ne do t’i kryejmë 5 ose 6 operacione deri të premten. Siç e dini, secili nga operacionet merr 6 deri në 7 orë kohë, kështu që nuk është e mundshme që të kryhet një apo dy operacione çdo ditë. Por, deri tani, bashkëpunimi i ekipit italian me atë kosovar është shumë miqësor dhe aktiv”, tha Murzi.

Një ekip i mjekëve nga Italia, të udhëhequr nga dr. Carlo Barzaghi dhe dr. Maurizio Levantino, nga Spitali i Toskanas në Itali, të asistuar nga mjekët kardiokirurgë nga Kosova, javën e kaluar, kanë kryer disa operacione tek pacientët e moshës së rritur me probleme kardiokirurgjike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)