09 Korrik 2020

Ekspozimi ndaj tymit të duhani arrinë në 84 për qind

Prishtinë, 31 maj - Duke njohur rëndësinë e të dhënave të përdorimit të duhanit për të udhëzuar qeverinë e një vendi për masat dhe veprimet që duhet të ndërmarrë për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga duhani, Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) ka realizuar një hulumtim të gjerë në shkallë vendi. 

Ky hulumtim ka për qëllim parësor matjen e nivelit të ekspozimit të popullatës ndaj tymit të duhanit, vlerësimin e efektivitetit të politikave të kontrollit të duhanit dhe hulumtimin e qëndrimeve të popullsisë së Kosovës ndaj këtyre politikave.

Metoda e zgjedhur për mbledhjen e të dhënave mbështetet në intervistat individuale “ballë për ballë” të realizuara prej 13 deri 23 shkurt 2020 me më shumë se një mijë persona të moshës 18 vjeçare e më të vjetër të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme në 15 komuna të Kosovës për nevojat e hulumtimit. 

Gjetjet e hulumtimit kanë vërtetuar se ekspozimi i qytetarëve ndaj tymit të duhanit është shumë i madh (81.4%) në bare, kafene dhe restorante. Derisa në vendin e punës ekspozimi ndaj tymit të duhanit është më i ulët (27%) dhe në shtëpi mbi 30%. 

Rezultatet e hulumtimit kanë treguar një nivel të lartë të përkrahjes së popullatës për masat e kontrollit të duhanit ku 84.7% e tyre janë shprehur në favor të ndalimit të pirjes së duhanit në bare, kafene dhe restorante dhe 98.5% në favor të ndalimit të pirjes së duhanit në institucionet publike.

Në pyetjen a ndikon ndikon pirja e duhanit në përzgjedhjen e lokaleve që i vizitoni, 40.7% e të anketuarve janë përgjigjur se përzgjedhin baret, kafenetë dhe restorantet ku nuk pihet duhan brenda, 28.7% e tyre janë shprehur që i vizitojnë ato lokale ku lejohet pirja e duhanit dhe për 30.6% e të anketuarve lejimi apo ndalimi i pirjes së duhanit nuk ndikon në vendimin e tyre për t’i vizituar ato.

Lidhur me punën e autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e ndalimit të pirjes së duhanit në vende publike, 94.5% e popullatës janë shprehur se janë të pa kënaqur me punën tyre. Nga ky numër 42.1% mendojnë që autoritetet përgjegjëse kanë bërë pak për zbatim të ndalimit të pirjes së duhanit, 23.9% mendojnë që kanë bërë tejet pak dhe 28.5% mendojnë aspak.

Sa i përket efektivitetit të vërejtjeve shëndetësore në pakot e duhanit qytetarët i perceptojnë vërjetjet me fotografi ilustruese më efektive se sa vërejtjet shëndetësore me tekst.

Për vërejtjet me teskt 20.9% e të anketuarve janë shprehur se janë shumë efektive, 25.6% disi efektive, 25.4% jo shumë efektive dhe 27.9% e të anketuarve janë shprehur aspak efektive. 

Ndërsa një numër më i madh i të anketuarve (30.5%) fotografitë ilustruese i percepton si shumë efektive, 39.2% disi efektive, 21.6% jo shumë efektive dhe 8.3% aspak efektive.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se niveli i përdorimi të cigareve elektronike në Kosovë është ende i ulët me 0.8% pinë për çdo ditë dhe 1.7% herë pas here.

Ndërsa përdorimi i shishes është më i madh me 1.5% që e përdorin rregullisht dhe 6.8% herë pas here. 

Niveli i lartë i ekspozimit ndaj tymit të duhanit dhe vlerësimi i ulët për punën e autoriteteve përgjegjëse janë një tregues i qartë i neglizhencës dhe mungesës së veprimit institucional për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga rreziqet e duhanit.

Të gjeturat e këtij hulumtimi duhet të shërbejnë si dëshmi të bazuara në prova për të orientuar dhe udhëzuar Qeverinë Kosovës dhe autoritetet përgjegjëse - zbatuese të ligjit në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për përmirësimin e implementimit të politikave të kontrollit të duhanit në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi dhe shqyrtimi i disa Projektligjeve për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit bën përurimin e stadiumit në Sërbicë të Poshtme, projekt i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ku do të jetë i pranishëm kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DKRS-së, Emilija Redzepi. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:30)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët  votimi i Propozim rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë - Serbi. (Salla e Kuvendit, ora 10:30)

- Në nderim të ushtarit amerikan Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, që ka humbur jetën në një incident, që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur, Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta ulin në gjysëm shtizë flamurin amerikan. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- OVL e UÇK-së mban protestë gjithëpopullore me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”. (Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flet Albulena Haxhiu. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në të cilën do të behët shqyrtimi dhe aprovimi i Propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga rezervat e buxhetit komunal, nga kategoria pozicionit të pagave në kategorinë e Investimeve Kapitale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 14:00)

Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës.

- Mbahet një takim pune i organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në të cilin do të diskutohet dokumenti - Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. (Ndërtesa e re e Qeverisë ish-Rilindja, salla e konferencave, kati XVIII, ora 15:00)