08 Mars 2021

Dorëzohet mikroskopi për skriningun e kancerit të qafës së mitrës në Spitalin e Pejës

Pejë, 22 janar - Duke shënuar Javën Evropiane të Kancerit të Qafës së Mitrës, Action for Mothers and Children mbështetur nga UNFPA, zyra në Kosovë, dorëzoi sot në Laboratorin e Patologjisë në Spitalin Rajonal të Pejës mikroskopin Olympus CX43 Binocular N5731700.

Ky donacion dhurohet pas lansimit të programit të skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Pejë, me ç’rast gratë që jetojnë në këtë komunë do të kenë mundësinë t’i bëjnë Pap testet falas.

Programi për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës është tejet i rëndësishëm për shëndetin publik, duke mundësuar zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar zhvillmin e këtij kanceri, duke shpëtuar kështu jetët e grave në vend.

“Ky program është tejet i rëndësishëm për gratë në Kosovë sepse shpëton jetët e tyre dhe ruan shëndetin publik. AMC ështe shumë falenderuese ndaj Spitalit Rajonal të Pejës për bashkëpunimin, dhe shpresojmë që ky mikroskop do tua lehtësojë punën patologëve në këtë spital, në mënyrë që sa më shumë gra të zbulojnë herët qelizat kancerogjene dhe të shpëtojnë jetët e tyre. Poashtu, falenderojmë UNFPA zyra në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.” u shpreh Hana Buçinca nga AMC, e cila është edhe udhëheqëse e këtij programi.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Dr. Visare Mujko-Nimani dhe Dr. Zarife Miftari nga UNFPA, Muhamet Haliti - Drejtor i mjekësisë në Spitalin e Pejës, Belkiha Vokshi e Mimoza Jusaj – patologe si dhe stafi i AMC-së.

Programi për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës mbështetet nga UNFPA zyra në Kosovë dhe implementohet në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Pejë. Deri tash, mbi 9000 gra kanë përfituar PAP-teste falas.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Mars 2021

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit I.L. për vepren penale 'Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti merr pjesë në aktivitetin “Shënimi i 8 Marsit- Dita Ndërkombëtare e Gruas”, me ç’rast do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve me përfitueset e bizneseve të vogla të Grave nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike  2021 – Masa 4, Faza e dytë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:45)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon aksion simbolik për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. (Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)

- Oda e Mjekëve të Kosovës ndan mirënjohje për mjekët në pension dhe për institucionet shëndetësore të rajonit të Mitrovicës që kanë kontribuar në luftën kundër pandemisë COVID-19. (Spitali i Përgjithshëm Mitrovicë, ora 10:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’rast do të bëhet publikimi i raportit “Pasuria e (pa)ndarë - Posedimi i pasurisë nga zyrtaret politike dhe bashkëshortet e zyrtarëve politik”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 10:30)

- Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës do të protestojë para ndërtesës së Qeverisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)  

- Universiteti ''Kadri Zeka'' do të shënojë 8 vjetorin e themelimit! (Ambientet e Universitetit në Gjilan, ora 11:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas mbahet marshi “Marshojmë s’festojmë kundër patriarkatit që vret”,  (Nisja nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)  

- Shoqata e Gastronomëve organizon marsh protestues në të cilin do të kërkojnë hapje totale për bizneset. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

 

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-se, ora 14:00)

 

- Grupi I çiklizmit “Marakli t’Biciklave” për nder të ditës së gruas - 8 MARSI organizon eventin e radhës Marsho dhe çiklo që do të mbahet nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit të Kosovës - Prishtinë. (Sheshi ''Zahir Pajaziti'' në Prishtinë, ora 14:00)

- OJQ “ETEA” dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojnë bashkëbisedim me temën “Mësuesia ndër vite”. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në lagjen Dardania, ora 16:00)

- Qendra e Artit dhe Komunitetit organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi - çdo ditë është 8 mars”. (Teatrin Kombëtar në Prishtinë, ora 19:00)