05 Tetor 2022

Agjencia evropiane miraton dozën shtesë të vaksinës

Bruksel, 4 tetor - Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) e ka miratuar sot dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer/BioNTech, për të gjithë personat 18 vjeç e lart.

"Doza përforcuese mund të merret të paktën gjashtë muaj pas dozës së dytë", tha EMA në një deklaratë.

Ekspertët e ilaçeve të EMA-s vendimin e kanë bazuar në të dhënat e ekspertëve se niveli i antitrupave rritet kur jepet një dozë përforcuese.

"Rreziku i efekteve inflamatore të zemrës ose efekteve të tjera anësore, shumë të rralla, pas një doze të tretë nuk dihen dhe po monitorohen me kujdes", shtoi agjencia.

Në disa raste të rralla tek të rinjtë, pas marrjes së dozës së tretë është paraqitur miokarditi, një inflamacion i muskujve të zemrës.

EMA gjithashtu vendosi që njerëzit me sistem të dobësuar imunitar mund të marrin dozë shtesë të vaksinës Moderna dhe Pfizer të paktën 28 ditë pas dozës së tyre të dytë.

Dy doza ndonjëherë nuk janë të mjaftueshme për të prodhuar antitrupa të mjaftueshëm te njerëzit me imunitet të dëmtuar.

Edhe pse deri më tash EMA nuk kishte dhënë miratimin për dozën përforcuese të vaksinës, disa vende të BE-së tashmë e ofrojnë një mundësi të tillë për qytetarët e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 tetor 2022

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues në Gjilan. (Salla e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama. (Ndërtesa e Komunës, ora 10:45)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve pret sekretaren e ambasadës së Malit të Zi, Fedisa Dacić ku edhe do të mbahet konferenca për media lidhur me Forumin Ekonomik Ndërkombëtar Ulqini. (Objekti i AKB-së, ora 11:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban takohet me Komitetin Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. (Selia e FFK-së, ora 11:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton në parim Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:30)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit organizon ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve të aseteve përmes likuidimit nr. SHAL 59. (Hotel Grand, ora 12:30)

- Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrime Evropiane. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komuna e Gjilanit organizon mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e prof. dr. Shqiponja Isufit. (Salla e teatrit të qytetit të Gjilanit, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban mban konferencë për media. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 15:00)

- Zhvillohet ndeshja Kosovë - Itali në kuadër të Kualifikimeve e Evropianit U17. (Stadiumi “Fadil Vokrri”, ora 16:00)