25 Prill 2024

Agani: Viti 2011-vit i fillimit të rimëkëmbjes së shëndetësisë

Prishtinë, 28 dhjetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha sot se viti 2001 ishte një vit i vështirë për shëndetësinë kosovare, por në të njëjtën kohë edhe një vit i fillimit të rimëkëmbjes së saj.

Në konferencën përmbyllëse me mediat për këtë vit, Ministri Agani, pasi ka numëruar vështirësitë me të cilat është ballafaquar shëndetësia gjatë këtij  viti, duke filluar nga fakti se për disa muaj ky dikaster nuk kishte fare Ministër e deri te mungesa e skajshme buxhetore për shkak të buxhetit të vogël që është për shëndetësinë, tha se megjithatë, ky ka qenë një vit i angazhimeve të mëdha që ka pasur rezultate pozitive, efektet e të cilave qytetarët do t’i vërejnë gjithnjë e më shumë.

Në këtë aspekt, Ministri Agani ka theksuar përgatitjen e pakos reformuese legjislative: Projektligjit të ri për Shëndetësi, Projektligjit për Sigurime Shëndetësore dhe Projektligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale, që janë vlerësuar pozitivisht nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Komisioni Evropian dhe OBSH dhe të cilat, janë përgatitur brenda kohës së premtuar, por që për shkak edhe të disa konsultimeve dhe harmonizimeve shtesë me BB dhe FMN, do të mund të miratohen që në pjesën e dytë të janarit.

Rezultate për t’u veçuar Ministri Agani ka përmendur nënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, e cila është e vetmja kontratë e tillë që është nënshkruar në Kosovë dhe që po zbatohet nga ana e MSH-së.

Po ashtu krijimin e kuvendeve nismëtare për themelimin e Odave profesionale, disa strategjive si Strategjisë për Shëndetin e nënave, Adoleshentëve dhe Shëndetin Riprodhues, Strategjinë e Sistemit të Informimit Shëndetësor, Strategjinë e Parandalimit dhe Trajtimit të Infeksioneve infra-hospitalore dhe antibio-rezistente, Strategjinë për Cilësinë e Shërbimeve, Strategjinë për Shërbimet Emergjente, themelimin e Bordit Shtetërore për Kontrollin e kancerit dhe fillimi i punës në përgatitjen e regjistrit të kancerit.

Agani ka permednur edhe kyçjen e rreth 400 mjekëve në procesin e specializimeve, funksionalizimin e traktit operativ në SR të Mitrovicës, për nevojat e të cilit spital janë ndarë edhe 24 specializime për rajonin e Mitrovicës, ndarjen e 10 specializimeve për kandidatët nga Lugina e Preshevës, asgjësimin e mbi 340 tonë barnave me afat të skaduar, nxjerrjen e Regjistrit të dytë zyrtar të barnave, funksionalizimin e AKPM-së, etj.

Në funksion të menaxhimit të buxhetit, Ministri theksoi se MSH ka treguar një disiplinë shumë të lartë duke realizuar buxhetin në shkallën 97.34 për qind, ku vlen të theksohet menaxhimi shumë i mirë i buxhetit në farmaci 99.77 për qind por edhe në kategoritë e tjera, derisa të arritura ka pasur edhe në aspektin e ofrimit të shërbimeve siç është funksionalizimi i plotë i Kimioterapisë në Onkologji , krijimin e kushteve që brenda pak ditësh të nis edhe aplikimi i radioterapisë në sektorin publik (Onkologji-QKUK), fillimin e projekteve të infrastrukturës në QKUK si dializa, zgjerimin e Qendrës Emergjente, miratimin e statutit të ri të kësaj qendre...

Ministri ka numëruar suksese edhe në aspektin e Shëndetit Publik, ku është bërë parandalimi i epidemive në vend, IKSHP është pranuar si Qendër referente për zbulimin e virusit AH1N1, virusit të influencës dhe etheve hemorragjike, programin e suksesshëm të imunizimit si dhe suksese edhe në spitalet rajonale.

Ministri theksoi hapjen e perspektivës për partneritetin publiko –privat, marrëveshjet me 6 spitale private në Kosovë për ofrim të disa shërbimeve që janë deficitare në QKUK, raportet shumë të mira me Qeveritë e huaja dhe partneritetin që ka rezultuar me ndihma konkrete për shëndetësinë kosovare nga donatorët të cilët i ka falënderuar.

Ndërkohë, duke folur për sfidat dhe prioritetet për vitin 2012, Ministri Agani ka theksuar se prioritet do të jetë çrrënjosja e korrupsionit në shëndetësi, sigurimi i trajtimit sa më korrekt për pacientin i cili nuk guxon të shikohet si burim i të ardhurave, por duhet ofruar shërbimin e merituar, miratimi dhe zbatimi i pakos reformuese, funksionalizimi i kapaciteteve ekzistuese dhe atyre që janë në proces, zbatimi i partneritetit publiko-privat, zbatimi i objektivave që dalin nga Raporti i progresit, integrimi dhe funksionalizimi i sistemit shëndetësor në tërë territorin dhe anëtarësimi i Kosovës në OBSH.

Ministri Agani  ka parashikuar që edhe viti 2012 do të jetë i vështirë, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm dhe rrethanave të tjera, por ka shprehur bindjen se procesi i reformave nuk do të ndalet dhe do të rezultojë me sukses.

Ai ka shprehur mirëkuptimin e tij edhe për kritikët, por ka theksuar se “çdo reformë ka edhe reagime dhe se njeriu duhet të ndihet i shqetësuar kur nuk ka reagime, sepse, kur ka, atëherë është evidente se gjërat po ndryshohen dhe në MSH po punojmë që ndryshimet të jenë sa më pozitive, për çka nuk kemi dyshim”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)