20 Prill 2024

Agani: Bisedimet me BB i hapën rrugë reformës në shëndetësi

Prishtinë, 16 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha sot se bisedimet e këtyre ditëve të Ministrisë me delegacionet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar i kanë hapur rrugë reformës legjislative në shëndetësi, gjegjësisht procedimit dhe miratimit të dy projektligjeve reformuese: Ligjit për Shëndetësi dhe Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

“Bisedimet me BB  dhe FMN-në kanë qenë bisedime shumë të rëndësishme, të cilat me përfundimet e tyre, i kanë hapur qartë rrugën reformës së shërbimeve shëndetësore në vend dhe paraqesin momentin kur në fund të tunelit të errët ku gjendet shëndetësia kosovare, po e shohim një dritë”, tha Ministri Agani, në një konferencë për media, përmes së cilës ai njoftoi opinionin lidhur me rezultatet që MSh i ka pasur lidhur më bisedimet me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar gjatë kësaj jave.

Konkretisht, ka shpjeguar më tej Ministri,  “me Bankën Botërore kemi pasur bisedime përmbajtësore përkitazi me aspekte të ndryshme të reformës shëndetësore në vendin tonë që është përkthyer në zgjidhje konkrete ligjore me Projektligjin për Shëndetësi dhe Projektligjin për Sigurime shëndetësore, dhe pas bisedimeve të shumta ne kemi ardhur deri të pajtimi i plotë përkitazi me atë që në Kosovë praktikisht duke filluar nga mesi i vitit që vjen me grumbullimin e kontributeve, të pagesave dhe të premiumeve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe që nga viti që vjen të fillojë reforma e sistemit të institucioneve publike shëndetësore në një ndërmarrje shtetërore të shëndetësisë, pra , Shërbimi Shtetëror i Shëndetësisë”.

Ministri Agani tha se këto janë koncepte unike reformuese për Kosovën, një model reformues i cili i reflekton nevojat e vendit, dhe paraqet momentin kur për herë të parë pas luftës në Kosovë po themelohet Sistemi i Sigurimeve Shëndetësore, i cili do të sigurojë një financim shumë më të mirë të shëndetësisë kosovare dhe një lëvizje të qartë nga pika zero.

“Me qëllim po e them nga pika zero, sepse gjatë këtyre gjashtë muajve të mandatit të gjithë kemi qenë koshientë me vështirësitë me të cilat gjendet shëndetësia kosovare , ato kanë vazhduar më mënyrë të pandashme, por ne, në mënyrë të vazhdueshme u kemi dhënë përgjigje këtyre vështirësive duke ofruar zgjidhje dhe perspektivë”.

Jam shumë i lumtur, theksoi më tej Ministri Agani, “që sot mund të konkludojë që projeksionet tona ligjore, zgjidhjet tona reformuese janë mbështetur nga Banka Botërore dhe nga FMN”.

Ministri foli edhe për dakordimin e hapave të mëtejmë të punës në reformën legjislative.

“Konkretisht, gjatë javës do të përfundojë drafti përfundimtar i dy projektligjeve, në dritën e bisedimeve që i kemi pasur me BB dhe FMN dhe ato do të dalin për miratim në Qeverinë e Kosovës deri në fund të shtatorit, dhe procedohen në Kuvendin e Kosovës, ku presim të miratohen në fund të muajit tetor ose në fillim të muajit nëntor”.

Ministri Agani shpjegoi se esenca e sistemit të ardhshëm të financimit të shëndetësisë kosovare do të bazohet në një model miks.

“Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të jetë institucioni që do t’i kontraktojë shërbimet shëndetësore si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat të shëndetësisë sonë, do të plotësohet dhe financohet nga Buxheti i Kosovës për kategoritë e qytetarëve që janë në asistencë sociale, pra për ato kategori të qytetarëve që nuk kanë mundësi t’i paguajnë kontributet për të siguruar kartelën e të siguruarit shëndetësor dhe ky fond do të plotësohet nga pagesat e kontributeve të qytetarëve në bazë të anëtarëve të familjes që do të jetë në një vlerë të cilën do ta përcaktojë Qeveria e Kosovës në fillim të çdo viti varësisht nga gjendja ekonomike e shtetit dhe nevojat shëndetësore të popullatës."

"Fondi do të plotësohet nga tatimet e ndryshme dhe nga akcizat, një pjesë e tyre nga ta marrim nga të ashtuquajtura mallra luksoze si alkooli, duhani, ndoshta edhe karburantet , nga ndotësit e mëdhenj të ambientit… Pra, janë këto burimet kryesore nga të cilat do të plotësohet Fondi i Sigurimeve Shëndetësore”.

Ministri Agani tha se me aktivizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, MSh pret që më 2013 ta dyfishojë buxhetin ekzistues që ndahet nga Qeveria e Kosovës për shëndetësinë

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)