29 Mars 2024

Zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit, faktorizon qytetarin

Prishtinë, 30 maj - Vlerësimi i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, mësimet e nxjerra dhe reforma zgjedhore, ishin temë e diskutimeve në tryezën e sotme në Kuvendin e Kosovës, të organizuar nga Shërbimi për Hulumtime Parlamentare i NDI-së.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, Guvernatori, njëherësh ish-kandidat president të SHBA-ve, Howard Dean, kryetarët e komisioneve për ndryshime zgjedhore e kushtetuese, Haki Demolli e Arsim Bajrami, si dhe deputetë e përfaqësues të shoqërisë civile, diskutuan rreth praktikës së deritashme zgjedhore në Kosovë dhe ndryshimeve të paralajmëruara zgjedhore e kushtetuese.

Duke ligjëruar në temën Roli i Kuvendit të Kosovës në Procesin e Reformës Zgjedhore, kryeparlamentari Krasniqi dha një pasqyrë të traditës elektorale në Kosovë, duke u ndalur në zgjedhjet e fundit parlamentare, nga të cilat, sipas tij, kanë derivuar disa nevoja dhe obligime për ndryshime të Kushtetutës dhe të Ligjit Zgjedhor.

Kryetari Krasniqi u ndal veçanërisht në ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, duke arsyetuar zgjedhjen e tij të drejtpërdrejt nga populli. Gjithashtu, ai foli edhe për nevojën e ndryshimeve të sistemit të tërësishëm zgjedhor, në mënyrë që në të ardhmen të evitohen dobësitë e vërejtura deri tani.

Krasniqi tha se Kuvendi e ka krijuar bazën e nevojshme juridike për këto ndryshime, përmes miratimit të rezolutës, dhe ka krijuar dy komisione të veçanta, të cilat e kanë filluar punën në këtë drejtim. Ai e cilësoi të domosdoshme nevojën që ndryshimet të jenë të pranueshme gjerësisht.

Howard Dean nga Instituti Demokratik Kombëtar, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për qasjen në këtë proces, shfaqi optimizmin e tij për të ardhmen e Kosovës, si rrjedhojë e energjisë dhe gatishmërisë për të lënë anash dallimet politike, në mënyrë që shteti të jetë funksional.

Ai përmendi nevojën e vendosjes së interesave të shtetit para atyre politikë dhe rregullimin e menjëhershëm të problemeve.

“Dallimi ndërmjet demokracisë që funksionon dhe demokracisë që dështon, është aftësia e atyre që janë në udhëheqje, për t’i vendosur interesat e shtetit para atyre politikë”, theksoi Dean. Procesin e ndryshimeve ai e cilësoi si shumë të rëndësishëm dhe konfirmoi mbështetjen e SHBA-ve, por, siç tha ai, udhëheqjen duhet ta kenë vetë kosovarët.

Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, duke shpalosur defektet e sistemit dhe të procesit të kaluar zgjedhor, bëri një pasqyrë të punës dhe agjendës së komisionit brenda afat të përcaktuar nga Kuvendi.

Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor dhe të legjislacionit tjetër përkatës zgjedhor, Demolli e cilësoi si objektiv të komisionit që ai udhëheq, në mënyrë që në të ardhmen të minimizohen mangësitë e keqpërdorimit të ligjit.

Kryetari i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese, Arsim Bajrami, foli gjerësisht për nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë, duke u fokusuar në zgjedhjen e presidentit.

Bajrami tha se përmes zgjedhjes së drejtpërdrejt të presidentit, faktorizohet qytetari i Kosovës. Ai foli edhe për segmente të tjera të Kushtetutës të cilat duhet të ndryshohen, me ç’rast përmendi krijimin e kushteve për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndryshimet që prekin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionin e referendumit etj.

Njëri nga përfaqësuesit e NDI-së në këtë takim, Bardhyl Hasanpapaj, i cili moderoi tryezën, shpalosi shkurtimisht raportin mbi vlerësimin e zgjedhjeve  parlamentare të 2010-ës dhe foli për qëllimet e tryezës.

Gjatë takimit, me diskutimet e tyre kontribuuan edhe deputetën Ardian Gjini, Hydajet Hyseni e Afrim Kasolli, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)