24 Shtator 2018

VV: Qeveria ka rënë moralisht dhe me numra, duhet të bjerë edhe formalisht

Prishtinë, 13 mars - Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucioni më i lartë dhe i rëndësishëm i Republikës tonë parlamentare, tash e sa kohë është bllokuar nga deputetët e koalicionit qeverisës që nuk e lejojnë vendimmarrjen dhe zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

"Bllokimi i seancës së sotme të Kuvendit nuk ishte rasti i parë, por një praktikë e përsëritur rëndomtë që prej fillimit të vitit 2018. Debati për seancën e mbajtur sot në lidhje me interpelancën kundër rritjes së jashtëligjshme të pagave të qeverisë dhe për nevojën për rritjen e pagës minimale, është shtyrë tri herë."

"Sakaq, votimi për rezolutën e propozuar për këtë interpelancë është shtyrë dy herë. Siç ka ndodhur edhe herë të tjera, edhe për çështje të tjera, deputetët e koalicionit qeverisës marrin pjesë në fillim të seancave të Kuvendit por pastaj nuk votojnë dhe kështu pamundësojnë kuorumin në votim dhe bllokojnë punimet", thekson VV.

Në fillim të seancës së sotme kishte kuorum, por më tej punimet u ndalën sepse votimi nuk përmbushi kuorumin edhe pse mori shumicën e votave të atyre deputetëve të opozitës që votuan.

 Deputetët e koalicionit qeverisës sipas VV-së bëjnë numra akrobatikë në Kuvend gjatë votimeve për të prishur kuorumin, sepse koalicioni qeveritar thjesht nuk i ka numrat e votave në Kuvend për ta mbajtur veten në pushtet. 

"Ky koalicion pushteti ka rënë moralisht ende pa u formuar. Ai u krijua përmes dredhisë para dhe pas zgjedhjeve për interesa të ngushta. Ai e fryu qeverinë që të kënaqte të gjitha apetitet e mundshme të partive e individëve të ndryshëm që bëjnë pjesë në të deri sa emëroi edhe 70 zëvendësministra."

Ky koalicion sipas VV-së më tej qëndroi në pushtet përmes tradhtisë ndaj premtimeve që u ishin bërë qytetarëve para zgjedhjeve.

Sikur këto të mos mjaftonin qytetarët po përjetojnë një prej gjendjeve më të rënda socio-ekonomike të vendit, për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe faturave të shtrenjtuara, për shkak të rritjes së papunësisë dhe varfërisë, dhe si pasojë edhe e skandaleve me pasoja të rënda si përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit për arsimin e lartë duke rrezikuar njohjen e të gjitha diplomave universitare të Kosovës.

VV konsideron se ky koalicion ka rënë tashmë edhe moralisht edhe me numra në Kuvend dhe mbahet në pushtet me zor dhe padrejtësisht.

"Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mbeten peng e një koalicioni të tillë pushteti krejtësisht të dështuar e të papërgjegjshëm, që po bllokon vendimmarrjen në Kuvend."

"Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Demokracia është zgjidhja. Qeveria duhet ta japë dorëheqjen!", thotë në dund VV.

Kalendari

Ngajrjet e datës 24 shtator 2018

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)


- Misioni i OSBE-së do të publikojë dy raporte që kanë të bëjnë me legjislacionin dygjuhësh dhe respektimin e të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të shumta për shënimin e Ditës Evropiane të Gjuhëve. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:30)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e Diskutimit me temë "Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së: Ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik?". (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Në kuadër të Javës së Sportit Evripian Federate e çiklizimit te Kosovës organizon garën e hapur çiklistike për të gjitha kategoritë dhe grupmoshat nga 20 deri 100 km. (Gjilan, ora 11:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të shoqëroj Drejtoreshën e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, gjatë vizitës ku ata do të përcjellin një Vullnetare të Korpusit të Paqës në punë në shkollën e saj në një fshat të Kosovës. (Shkolla fillore “Nëna Tereza”, fshati Vranidoll, ora 11:15)

- Organizata ETEA, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do ta organizojë “Ditën e Librit të Ndaluar” me temën “Librat digjen, (por) idetë jo”, si përgjigje ndaj cenzurës, me theks të veçantë te cenzurimi i librave. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder do të nënshkruajnë marrëveshjen për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. (Ndërtesa e  Qeverisë, kati 11, ora 15:00)

- Mbahet diskutim i hapur me shkrimtarin dhe publicistin Veton Surroi mbi temën “Librat digjen, (por) idetë jo” me moderim nga Liridona Sijarina. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohen me Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 15:00)

- Organizohet shfaqja e filmit “Fahrenheit 451” në bashkëpunim me “Film n’park”. (Parku i Qytetit të Prishtinës, ora 19:00)