28 Mars 2024

VV: 500 ditë dështim të Komunës së Prishtinës

Prishtinë, 20 mars - Sot, Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mbajti konferëncë për media për të folur në lidhje me dështimin e realizimit të premtimeve të Komunës së Prishtinës edhe tash kur janë bërë më shumë se 500 ditë të kësaj qeverisje.

Kryetari i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia foli për dinamikën e realizimit të 100 premtimet e programit elektoral, raportin financiar për vitin 2018, raportimet nga terreni i pikave të Lëvizjes dhe monitorimin e organizatave që konfirmojnë se 500 ditët e para të këtij mandati, janë ditë të shkuara dëm.

“As 10% e premtimeve nuk janë realizuar e shumica e tyre as që kanë filluar. Edhe pse shumica e sfidave dhe problemeve që mund të përballet një ekzekutiv në fillimet e veta, ishin kaluar dhe u vendosën bazat për një mandat të dytë cilësor, stili i ri i qeverisjes Ahmeti-AAK-AKR rezultoi përfundimisht i dështuar”, tha Arben Vitia.

Ai po ashtu theksoi se mbi 60% e investimeve kapitale janë të parealizuara dhe kryetari nuk ka arritur të shpenzojë as shumën e mjeteve të bartura nga viti 2017. Ndërkaq të hyrat edhe pse nuk do të duhej të ishin për dekor në Komunë ato edhe si të tilla mblidhen kryesisht nga gjobat që u vihen qytetarëve.

Për këto 500 ditë ende nuk është realizuar ende ndonjë park edhe pse është themeluar drejtoria e parqeve që i ka shërbyer vetëm ndarjes së pazareve me partnerët e koalicionit. Është prezentuar plani për mbledhjën e pagesave nga komuna dhe hartimi një plani të ri për mbledhjen e mbeturinave në qytet ndërkohë qyteti është gjithandej me mbeturina.

Ndërkaq deputetja Fitore Pacolli foli për mosrealizmin e projekteve siç është ajo me çerdhet publike dhe reformimi i trafikut urban.

“Në mandatin e parë përkundër pengesave nga qeveria arritëm ta dizajnojmë e ta implementojmë për herë të parë modelin e cerdheve me bazë në komunitet. E pilotuam e në fund e replikuam në 5 cerdhe të reja. I bëmë gati për hapje dy cerdhe tjera atë në Kodër të Trimave dhe në lagjen Tophane."

"Çerdhe këto që kishim planifikuar t'i hapim në fund të vitit 2017, ende nuk janë hapur. U bënë më shumë se 15 muaj që ky Kryetar ua mohon çerdhen 250 fëmijëve e 30 punëtorëve mundësinë për të punuar. Ndërsa mbi 200 nëna i mbanë të bllokuara në pamundësi për të siguruar një vend të sigurt për fëmijët e tyre që ato të vazhdojnë punën apo shkollimin”, tha Fitore Pacolli.

Ajo po ashtu foli edhe për dështimin në reformim të transportit publik, ku pjesë e kësaj reforme nuk ishte vetëm blerja e autobusve, por edhe plani i mobilitetit ku përfshihej zhvillimi i një sistemi të integruar të transportit publik, qasje të lehtë e të sigurtë për këmbësor, shtigje të reja për biçikleta, reduktim i veturave dhe shtimi i formave alternative të transportit e parkingje të planifikuara. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me funksionalizimin e ndërmarrjes Prishtina Parking.

Në anën tjetër kemi edhe shkatërrimin e parkut të vetëm që ka Prishtina- Parkun Gërmia. Kryetari ka premtuar ndalimin e qarkullimit të veturave në parkun e Gërmia ndërkaq qarkullimi vazhdon.

Jeta e qytetarëve e sidomos fëmijëve dhe nënave dhe të moshuarve po rrezikohet çdo ditë nga mungesa e hapësirës së sigurtë për lëvizje dhe mungesa e trotuareve.

Kryetari duhet urgjentisht të vazhdoj projektin e vendosjes së pengesave dhe lirimin e trotuareve për këmbësor në shumë rrugë të qytetit përfshirë edhe rrugët nëpër lagje.

Prishtinë nuk është vetëm bulevardi Garibaldi, Prishtinë është edhe Kodra e Trimave e Kolovica, Vneshta e Kalabria, Mati e Arbëria, Hajvalia e Velania e plotë lagje tjera të cilat kryetari i ka harruar.
 

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)