01 Qershor 2020

Vushtrria, shembull i solidaritetit dhe i menaxhimit të mirë të krizës

Prishtinë, 8 prill - Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, vizitoi sot Komunën e Vushtrrisë, ku u prit nga kryetari saj, Xhafer Tahiri, së bashku me nënkryetarin, Besim Muzaqi, kryesuesi i Kuvendit, Nasuf Aliu, si dhe anëtarët e Shtabit të Emergjencave, komandantit të policisë, kapiten Kovaçi, drejtoreshës së QKMF-së, znj. Zahiti etj. 

Kryetari i komunës, Tahiri, e falënderoi kryetaren Osmani që ka zgjedhur ta vizitojë Vushtrrinë, sikur tha ai, në ditën më të rëndë të saj, pasi edhe tetë qytetarë të kësaj komune u konfirmuan si të infektuar me Covid 19.

Ai po ashtu e njoftoi kryetaren Osmani me hapat që shtabi emergjent dhe komuna po i ndërmarrin për menaxhimin e krizës së pandemisë, përfshirë dezinfektimin e të gjitha hapësirave publike, reduktimin e stafit, caktimin e Shkollës së Policisë si objekt karantinimi, angazhimin për mbarëvajtjen e mësimit online dhe sidomos me gatishmërinë që t'u ndihmohet familjeve në nevojë dhe bizneseve.

Kryetarja Osmani, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e saj dhe të Kuvendit që në këtë kohë të vështirë të ketë koordinim ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave.  Ajo kërkoi edhe një herë që në këtë kohë pandemie të merret shembulli i organizimit solidar në Vushtrri, për tu bërë bashkë në betejën ndaj pandemisë.

"Është dëshmuar që investimi në shëndetësi është i domosdoshëm për mirëqenien e shtetit", tha kryetarja Osmani.

Sipas saj, kjo situatë do të na ndihmojë të kuptohet më mirë roli dhe kontributi i punonjësve shëndetësorë në shoqëri. 

"Kosova ka kaluar kohë të vështira edhe më parë, por i ka tejkaluar ato, ngase ka pasur solidaritet moral e politik", tha znj. Osmani.

Ajo tha se do t'i lusë deputetët e Kuvendit që ata të jenë sa më afër institucioneve lokale dhe qytetarëve gjatë krizës së pandemisë.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Qershor 2020

- Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve 1 qershorit, kompania ndërtimore “Qami Construction” do të dhurojë gjak në Qendrën e Transfuzionit të gjakut dhe bën shpërndarjen e dhuratave për fëmijët të cilat janë të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë. (Qendra e Transfuzionit të gjakut në QKUK, ora 9:00)

- Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF organizon konferencën për media për publikimin e Raportit të Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve. (Kampusi Universitar të Universitetit të Prishitnë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit – AKP për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)
 
- Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS), me financimin nga FES, publikon hulumtimin “Qasja në mësimin online dhe kushtet e jetesës për familjet përfituese të Skemës së Asstencës Sociale gjatë Covid-19. (Hotel Sirius, ora 11:45)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime prezanton hulumtimit “A po ndryshon koncepti i atësisë në Kosovë?”. (https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSdlUfSJPvTqynWzbxg2lXiq2Csq7vFeKnBg_kVgfvyHCkfpkQ/viewform,  ora  16:00)