04 Qershor 2020

Von Sydow: Kosova në KE, pasi ta njohin 47 shtete

Prizren, 27 shkurt - Sfidë kryesore e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet e Këshillit të Europës, ka pohuar të enjten Björn Von Sydow, parlamentar i Këshillit të Europës dhe raportues mbi situatën politike në Kosovë.

Këtë e ka pohuar ai pas një takimi me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, dhe përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare, në mesin e tyre edhe të LDK-së, dhe partive pjesë e qeverisë së ardhshme të Prizrenit.

Kjo është vizita e dytë faktmbledhëse e Von Sydow në Kosovë, brenda dy vjetëve, nga e cila është ndarë i inkurajuar për avancimet e prezantuara nga strukturat komunale në Prizren, dhe për bashkëpunimin pozitë-opozitë për interesin e qytetarëve.

Ndërsa nikoqiri i këtij takimi, Ramadan Muja, i ka prezantuar traditën tolerante të Prizrenit, ku kultivohet bashkëjetesa, duke i kërkuar që Këshilli i Europës ta pranojë Kosovën në gjirin e tij.
Mirëpo raportuesi i KE-së për Kosovën ka spikatur se kushti themelor për anëtarësimin e vendit në KE është njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare.

“Aplikacioni përfundimtar për anëtarësim duhet të pranohet nga 47 vendet anëtare dhe të ratifikohet pastaj nga parlamentet kombëtare të këtyre shteteve. Dhe unë do të them se deri tani e kanë njohur vetëm 33 shtete të KE-së”, ka deklaruar Björn Von Sydow.

Por, ai ka theksuar se në Asamblenë Parlamentare ekziston një përkushtim për angazhim më të madh të Këshillit të Europës në Kosovë.
 
“Ky angazhim mëton të vështrojë dhe analizojë vendin për mënyrën dhe kushtet e jetesës së qytetarëve dhe popullatës në përgjithësi në Kosovë, ku përfshihen jo vetëm strukturat gjinore apo moshore, qofshin ato të përkatësive etnike të ndryshme dhe theks i posaçëm do t’u vihet tri sferave: të drejtave të njeriut; qeverisjes së mirë; dhe sundimit të rendit dhe ligjit”, ka theksuar Von Sydow.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020

- Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)
   
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
   
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)