18 Prill 2024

Vetëvendosje: Nuk mund të bashkohemi pa Mitrovicën

Prishtinë, 1 dhjetor - Lëvizja Vetëvendosje! hapi fushatën elektorale me një tubim madhështor, në palestrën sportive “Minatori”, në Mitrovicë.

Para mijëra qytetarëve, të cilët gjatë gjithë kohës brohorisnin "Vetëvendosje! dhe Albin Kurti”, tubimin e hapi kandidatja Drenushë Xhemajli, e cila i përshëndeti mitrovicasit dhe ftoi Xhelal Sveçlën dhe tre kandidatët për deputet nga Mitrovica që të flasin para qytetarëve.

Kandidati për deputet, Xhelal Sveçla, iu drejtua të pranishmëve duke thënë “Kemi vendosur që fushatën zgjedhore ta fillojmë në Mitrovicë, për të treguar se nuk është Mitrovica problemi i Kosovës, por tash Mitrovica do të jetë fillimi i zgjidhjeve të problemeve të Kosovës”. Ai prezantoi edhe pikat programore të Lëvizjes Vetëvendosje! për fushën e drejtësisë dhe sigurisë. “

Për ekonominë dhe energjetikën foli kandidati, Nazmi Mikullovci, i cili ndër të tjera tha, “Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa sovranitet. Mungesa e sovranitetit e ka sjellë Trepçën në gjendje të mjerueshme, mirëpo me punën tone do ta kthejmë atë në gjenerator të zhvillimit ekonomik, jo vetëm për Mitrovicën por për tërë Kosovën”.

Kandidati tjetër, Raif Qela, ndër të tjera tha “Jetojmë në një vend shumë të pasur me një popullsi që jeton në varfëri. Për çdo vit Kosovës i shtohen 20.000 të rinj të papunë. Për këtë gjendje të rëndë fajin e kanë qeveritë e pasluftës, por së bashku ne do ta ndryshojmë këtë gjendje”.

Ndërsa Faruk Mujka foli për rëndësinë e demokracisë direkte, duke thënë “Qytetarët me referendum do të vendosin për çdo çështje madhore për shoqërinë”.

Ambasadori William Walker u tha qytetarëve, “Kur u detyrova ta lëshoj Kosovën, në mars të vitit 1999, nuk kam menduar se pas kaq vitesh do ta gjejë atë në këtë gjendje të mjerueshme. Jam i bundur që 99 për qind e qytetarëve të Kosovës janë për ndryshime. Prandaj, i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkohen dhe më 12 dhjetor së bashku ta sjellim ndryshimin e nevojshëm”.

I përcjellur nga duartrokitje dhe brohoritje të shumta, Albin Kurti iu drejtua qytetarëve, duke thënë se “Vullneti i popullit është më i madh se institucionet, prandaj ai nuk duhet lënë jasht institucioneve por duhet të jetë brenda dhe përreth tyre.

Kurti vazhdoi duke thënë se “Lëvizja Vetëvendosje! do ta kthej kontrollin në pikat doganore 1 dhe 31. Në të gjitha lagjet dhe fshatrat e veriut të Kosovës, do të ketë stacione e nënstacione policore, për t’i mbrojtur shqiptarët”, tha Albin Kurti.

Albin Kurti e mbylli tubimin me porosinë “Nuk mund të bashkohemi pa e bashkuar Mitrovicën, prandaj më 12 dhjetor vendosni për veten, për Mitrovicën dhe për Kosovën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)