19 Mars 2024

Vetëvendosje me aksion kundër veprimit antikushtetues të Hashim Thaçit

Prishtinë, 19 mars - Sot, Lëvizja Vetëvendosje! përmes një aksioni simbolik ritheksoi edhe një herë veprimin flagrant antikushtetues të Hashim Thaçit, i cili i vetmuar në zyrën e tij dhe i braktisur nga populli, po rrezikon hapur jetën politike në vend dhe funksionimin e pavarur të institucioneve kushtetuese siç po bën me bllokimin e KQZ-së për më shumë se një vit.

Deputetja Drita Millaku foli për përgjegjësitë kushtetuese që ka presidenti Thaçi për garantimin e funksionimit të organeve kushtetuese, që e ka kthyer zyrën e Presidencës në të kundërtën e funksioneve dhe përgjegjësive dhe që po rrezikon sa integritetin shtetëror, po aq edhe ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend, cënimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve.

“Është bërë plot një vit nga kur KQZ-ja, ky institucion i rëndësishëm kushtetuese, është shndërruar nga Hashim Thaçi në një institucion ku testohen skenarët e Hashim Thaçit kundër opozitës e për të penguar veprimtarinë politike të subjekteve opozitare, por edhe për të shpërblyer deputetë e grupe deputetësh tregtarë për shërbimet ndaj tij”, tha Drita Millaku.

Gjatë këtij viti, KQZ-ja që do të duhej të kryente shumë punë, thjesht nuk ka ekzistuar. 37 asamblesitë presin për të marrë detyrën, por nuk kanë mundësi, sepse nuk ka KQZ për t’i emëruar ata.

Një deputet po humbet mandatin në mungesë të KQZ-së. Është paralizuar funksionimi i brendshëm i sekretariatit të KQZ-së, sepse Presidenti nuk i ka emëruar anëtarët, të cilët duhet të marrin vendime për punën e këtij institucioni.

Nga bllokimi i KQZ-së, 13 subjekte politike janë privuar nga fondi shtetëror që ia garanton ligji. Pamundësimi i fondit për subjektet politike, është veçanërisht pengesë për opozitën, sepse opozita për aktivitetet e saja politike të vetmin burim të mbulimit të shpenzimeve e ka fondin shtetëror.

Partitë në pushtet nuk e kanë këtë problem sepse po pasurohen përmes abuzimit. Andaj, Presidenti Thaçi përmes bllokimit të KQZ-së po synon të pengojë në fakt angazhimin politik të dy subjekteve opozitare.

Si institucion i rëndësishëm për demokracinë në vend, KQZ-ja nuk mund të përdoret për pazare politike, interesa personale apo grupore. Një pakicë qeveritare dhe politike po përpiqet artificialisht që të bëhet shumicë në KQZ, duke shkelur vullnetin e votuesve dhe Kushtetutën e Republikës.

Përbërja e KQZ-së është rrjedhojë e zgjedhjeve dhe e rezultatit zgjedhor. Ndërsa funksionet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të shihen në raport me organizimin e zgjedhjeve me integritet.

Prandaj, cënimi i integritetit të KQZ-së i cënon edhe zgjedhjet, kurse përbërja jokushtetuese prodhon veprime antikushtetuese.

Kjo çfarë ka bërë Presidenti me bllokimin e KQZ-së është cënim i demokracisë dhe shkelje e rëndë e ligjit dhe e Kushtetutës së Republikës, për të cilën duhet dhe do të përgjigjet ligjërisht.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)