29 Mars 2024

Vendi rrezikohet nga keqqeverisja që po degdis njerëzit nëpër botë

Prishtinë, 19 shkurt - “Derisa dështimet janë të pafundme dhe vetëm sa po shtohen për shtetin e Kosovës, natyrisht se ngriten pakënaqësitë e shumta të mijëra qytetarëve, që me mllef shprehin zhgënjimet ndaj shtetit të tyre, të cilin mllef më së miri mund ta shprehin nëpërmjet protestave”, thotë Liridona Bislimi për “Kosova Sot”

Qytetarët tanë në këtë përvjetor të pavarësisë, në vend se të ishin të gëzuar, me hidhërim, mezi po presin që t’u jepet mundësia për ta braktisur Republikën e kapur nga mafio-oligarkia politike e oligarkët e familjeve mafioze. Sipas analistëve e qytetarëve, populli duhet që të ngritët në protesta dhe revoltë popullore kundër planeve për ndarje të Kosovës, mossundimit të ligjit dhe degradimit ekonomiko-social.

Politologia Liridona Bislimi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se Kosova sapo mbushi 11 vjet shtetësi, dhe normalisht që duhet t’i gëzohemi datëlindjes së shtetësisë dhe çdo suksesi të Kosovës, por është edhe shumë e kuptueshme të shprehim zhgënjimin me qasjen e institucioneve shtetërore, pasi për 11 vjet Kosova është shndërruar në një shtet i mafisë dhe i krimit të organizuar  dhe këto 11 vjet nuk po konsiderohen edhe aq të suksesshme për shtetin më të ri në Evropë. Kosova nuk është ajo çfarë kemi pritur dhe ëndërruar.

“Ky 11- vjetor i pavarësisë, Kosovën e gjen në një situatë politike dhe ekonomike në gjendje të palakmueshme. Me gjysmën e popullatës të papunë, me emigrim të vazhdueshëm ne masa shqetësuese, ekonomi të pazhvilluar, shëndetësi të sëmurë dhe arsim të degraduar, si dhe ajo me shqetësuese është e ardhmja e Kosovës, e cila është tanimë më e pasigurt se kurrë, mes skenarëve për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh”, u shpreh ajo.

Të izoluar e të sulmuar

“Kosova mbetet ende vendi më i izoluar në Evropë, pa liberalizim të vizave. Lobimi i Serbisë dhe Rusisë për të penguar rrugën e Kosovës drejt institucioneve perëndimore është bërë më i ashpër se kurrë këtë vit dhe ka pasur jo pak pasoja për Prishtinën zyrtare. Në përvjetorin e kaluar, i cili shënoi dekadën e parë të pavarësisë, Kosova kishte 116 njohje nga shtetet e ndryshme, kurse sivjet, nuk dihet se cili është ky numër i njohjeve, ngaqë disa shtete kanë vendosur të tërheqin vendimin e tyre, duke pritur rezultatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shteti më i ri evropian, edhe këtë përvjetor e shënon pa e siguruar karrigen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, Kosova nuk e ka ende as mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, pasi pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin si shtet. Për shkak të “tentakulave” të Serbisë dhe Rusisë, Kosova vazhdon të përfaqësohet nëpër organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë, herë si shtet sovran, e herë si vëzhgues, e herë me fusnotë në emrin e saj”, theksoi Liridona Bislimi për “Kosova Sot”.

Kuadrot po ikin

Analisti Shefik Shkodra, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se fatkeqësisht, këtë përvjetor e festuan vetëm politikanët dhe oligarkët. “Shumë protokollare dhe improvizuese. Çështja sociale, më duket, është më e rënda. Gjithnjë duke u marrë të gjithë me atë anën politike, ka mbetur në fund të pusit problemi i punësimit. Punësimi nuk mund të bëhet vetëm në sektorin administrativ, as vetëm në tregti. Në sektorin privat do të duhej të zgjerohej prodhimtaria. Fabrikat do të mund të kapërdinë një fuqi pune të mirë, duke bërë ofertë për investime në këtë vend. Investitorët do të ishin nga bota e jashtme, kapitalistët e huaj, por edhe diaspora shqiptare ka mundësi të ndërmarrë diç në këtë aspekt”, u shpreh ai.

“Punësimet në këtë mënyrë mbeten vetëm për familjet e  oligarkëve dhe pushtetmbajtësve. Pjesa tjetër e qytetarëve të vendit, rinia, kuadrot e kualifikuara që të gjithë presin që sa më parë të largohen nga Kosova...Janë të pritshme të shprehen moskënaqësitë. Kjo është pritur mjaft, njëzet vjet pas luftës dhe 11 pas shpallje së pavarësisë”, vlerëson Shkodra. Ndërsa, njohësi i rrethanave politike Ali Hertica, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se që nga pas lufta e deri më sot ekonomia e tregut në fakt është bërë një ekonomi e mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale dhe matrapazëve, ku me këtë klasë politike, në të dyja nivelet, nuk do të shkapet asnjëherë shteti i kapur keq nga nëntoka kriminale e ekonomisë dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe të bizneseve të inkriminuara që zotërojnë gjithçka në saje të lidhjeve të forta korruptive, deri në ortakëri të fshehura me pushtetin e tejkorruptuar e të kriminalizuar në vend.

“Kjo piramidë kriminale mund të shembet vetëm me çlirimin e institucioneve të pavarura, duke ua dhënë mandatin kushtetues e ligjor institucioneve të drejtësisë”, potencoi ai.

Hidhërim në festë

Analisti Bislim Aliu, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se vërtet qytetarët e Kosovës janë lodhur dhe janë tepër të mërzitur nga papunësia dhe problemet e shumta jetësore në Kosovë. “Dhe, në vend që këtë përvjetor ta presin të gëzuar, ata janë shumë të hidhëruar dhe mezi presin që sa më parë ta braktisin Republikën e Kosovës, e cila që sa vite është e kapur nga mafio-oligarkia politike.

Shtrohet pyetja se deri kur a thua, qytetarët do të tolerojnë dhe do të lejojnë që ende plaçkitjet të vazhdojnë nga kjo kastë e udhëhequr që 20 vjet pas luftës dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Për këtë, gjithsesi populli duhet të ngritët në protesta, kundër planeve për ndarjen e Kosovës, mos sundimit të ligjit dhe degradimit ekonomiko-social. Ndaj, protesta është e vetmja formë që të largohen të korruptuarit dhe të inkriminuarit, nga skena politike dhe e lidhur ngushtë me familjet mafioze dhe bizneset e tyre të shumta!”, u shpreh Aliu.  

Qytetarët e humbën besimin te politika aktuale

Krahas analistëve, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë shumë të pakënaqur me lidershipin kosovar të pasluftës, andaj edhe duan një forcë të re të skenën politike vendore. Të anketuarit thonë se mezi po presin t’u jepet mundësia për ta braktisur Republikën e kapur nga mafio-oligarkia politike e oligarkët e familjeve mafioze. Qytetari nga Prishtina Festim Gërxhaliu, për “Kosova Sot”, thotë se të gjithë qytetarët tanë janë të zhgënjyer me këta pushtetarë, sepse kjo nuk është Kosova si e kemi dëshiruar. Ndërsa, qytetari Xhelal Kastrati nga Drenasi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se kjo nuk është Kosova e idealeve tona.

“E menduam ndryshe si një Kosovë e lirë demokratike me zhvillim e punësim dhe këto nuk janë askund të realizuara. Madje,  edhe pse dje ishte përvjetori i 11-të i pavarësisë sheshi kryesor në Prishtinë ishte i zbrazët, sepse populli më nuk e  ka atë euforinë e dikurshme, ngase  edhe është i zhgënjyer .Dje Prishtina ka qenë sikur të dielave të tjera e jo si në ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe që ka qenë festë”, theksoi ai. Sipas tij, të rinjtë janë të zhgënjyer dhe nuk ka punë. “Me këta politikanë, Kosova nuk ka zhvillim dhe duhet një klasë e re politike”, ka vlerësuar Kastrati.

(Kosova Sot)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)