04 Mars 2021

Vazhdojnë vizitat e zyrtareve serb pa autorizim

Prishtinë, 27 maj - Zyrtarët serbë kanë vazhduar edhe të mërkurën aktivitetet e tyre politike në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të Serbisë, që pritet të mbahen në fund të këtij muaji edhe në disa pjesë të Kosovës. Ata kishin hyrë përmes pikave kufitare 1 e 31 në veri, ku edhe pas një udhëzimi të EULEX-it për kthim prapa të zyrtarëve që synojnë të hyjnë pa autorizim në territorin e vendit, nuk janë ndalur nga Policia e Kosovës.

Hyrja e paautorizuar e zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës përmes pikave kufitare 1 dhe 31 ka shkaktuar disa paqartësi në mes të Policisë së Kosovës dhe misionit evropian për sundimin e ligjit.

EULEX-i, ditë më parë, udhëzoi Policinë e Kosovës që të ndalojë hyrjen e paautorizuar të përfaqësuesve politikë të huaj në territorin e Kosovës, mirëpo zyrtarë të lartë policorë thanë se i takon EULEX-it që t’i kthejë prapa politikanët serbë, të cilët, përmes pikave kufitare në veri, hyjnë në Kosovë pa lejen e institucioneve vendore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha se në ditët në vijim do të rishikohet mënyra e veprimit të strukturave policore dhe atyre të EULEX-it në veri.

“Në të ardhmën e afërt, me siguri se do të ketë diskutime për prezencën e zyrtarëve policorë multietnikë. Do të thotë, nuk është e nevojshme që të jenë vetëm zyrtarë nga komuniteti serb, por të ketë edhe nga komunitetet tjera në këto pika kufitare”, u shpreh Beka, duke shtuar se për pikat kufitare 1 dhe 31 fuqinë ekzekutive e ka EULEX-i, porse edhe Policia e Kosovës është e pranishme atje.

Ditë më parë, në veri të Mitrovicës qëndruan ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, dhe nënkryetari i parë i Partisë Demokratike të presidentit serb, Dushan Petroviq.

I pyetur se përse nuk janë kthyer prapa dy politikanët serbë, Beka tha hyrja e Bogdanoviqit në veri të Mitrovicës nuk ka pasur karakter politik. Përndryshe, theksoi ai, do të veprohej sipas ligjit.

“Në qoftë se hyjnë si qytetarë të thjeshtë, si qytetarë të rëndomtë dhe të njëjtit pastaj zhvillojnë ndonjë aktivitet, qoftë politik, ose ndonjë aktivitet tjetër, për të cilin nuk janë lajmëruar paraprakisht, atëherë mbetet edhe te Policia e Kosovës, mirëpo edhe te Policia e EULEX-it, pasi që kanë fuqi ekzekutive në pjesën veriore, sidomos në stacionet policore në veri, që të ndërmarrin masa siç ëshët paraparë në legjislacionin e Kosovës”, tha Beka.

Mirëpo, ligji duket se nuk është zbatuar nëse merren parasyh aktivitetet politike, të cilat i zhvilluan Bogdanoviq dhe Petroviq të mërkurën. Të përcjellë nga duartrokitjet e votuesve potencialë serbë të veriut, ata përçuan mesazhe politike në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet serbe të 30 majit.

Në fjalimin e tij, ministri serb për Kosovën, Bogdanoviq, theksoi se Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova.

“Kjo qeveri, presidenti ynë, nuk do të heqë dorë asnjëherë nga synimet tona të proklamuara, për ta ruajtur Kosovën në përbërje të shtetit sovran të Serbisë”, u shpreh ai.

Ndërsa, nënkryetari i parë i Partisë Demokratike të Boris Tadiqit, Dushan Petroviq, foli patriotizmin e presidentit Tadiq.

“Presidenti Tadiq është president i këtij vendi që prej vitit 2004, tash e gjashtë vjet. Me çdo vepër, me çdo hap dhe aksion, ka dëshmuar se kush është në fakt patriot dhe ç’do të thotë të jesh patriot. Ky në fakt është patriotizëm”, tha Petroviq.

/Evropa e lire/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Mars 2021

 - Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti takohet me përfaqësuesit e bankave. (Ndërtesa e BQK-së, ora 10:00 - mediat mund te marrin pamje)

- Oda e Mjekëve të Kosovës ndan mirënjohje për mjekët në pension dhe për institucionet shëndetësore që kanë kontribuar në luftën kundër Covid-19. (Amfiteatri i Telemjekësisë në QKUK, ora 10:00)

- Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti takohet me shoqatat e bizneseve. (Ndërtesa e BQK-së, ora 14:00 - mediat mund te marrin pamje)

- Dogana e Kosovës organizon konferencë për shtyp ku do të paraqiten rezultatet e doganës gjatë dy muajt e parë të vitit 2021 dhe luftimi i kontrabandës dhe informalitetit në muajt e fundit. (Drejtoria e doganës në lagjjen Emshir, ora 14:00)   

- Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti mban konferencë për media. (Ndërtesa e BQK-së, ora 15:00)