29 Mars 2024

Thellohen marrëdhëniet Kosovë - Shqipëri, edhe tri pika kufitare

Tiranë, 20 prill - Zëvendeskryeministri dhe njëherit edhe Minister i Punëve të Jashtme të Shqipërise Ilir Meta në takimin që zhvilloi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë së marrëdhëniet Shqipëri- Kosovë janë të shkëlqyera, me një dinamikë të ngjeshur dhe se bashku me ministrin Hyseni janë pajtuar për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e tregtisë, energjetikës, infrastrukturës, turizmit, arsimit, kulturës dhe investimeve të përbashkëta në këta sektorë.

Meta ka thënë se "duke evidentuar ecurinë e deritanishme të njohjes së Kosovës theksova se pavarësia e saj është e pakthyeshme". Ky realitet sipas ti është njohur tashmë nga shumica e vendeve anëtare të BE dhe shumë vende të tjera. Të tjera shtete pritet që ta njohin. Është bërë gjithashtu anëtare e FMN dhe e Bankës Botërore. Kosova e pavarur sipas tij është faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për perspektivën evropiane të saj dhe të gjithë rajonit.

"Rikonfirmova mbështetjen e fuqishme për institucionet e Republikës së Kosovës, në përballimin e të gjitha sfidave, përfshirë ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si kusht vendimtar për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Duke vlerësuar rëndësinë e integrimit të të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare, nënvizova se Shqipëria mbështet plotësisht angazhimin e autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare për forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në të gjithë territorin, si dhe për sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për të gjithë qytetarët e saj. Përshëndeta hapjen e “Shtëpisë së BE-së” në Mitrovicën e Veriut", ka deklaruar ministri Meta.

Sipas ministrave Meta dhe Hyseni marrëdhëniet Shqipëri- Kosovë janë të shkëlqyera, me një dinamikë të ngjeshur dhe në ngjitje. "Ne po punojmë që, përmes një partneriteti të veçantë, t’i shndërrojmë këto marrëdhënie në model të fqinjësisë së mirë në rajon. Njëherësh, shprehëm angazhimin e përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e tregtisë, energjetikës, infrastrukturës, turizmit, arsimit, kulturës dhe investimeve të përbashkëta në këta sektorë", ka bërë të ditur ministri Meta.

Tri pika të reja kufitare

Ai ka bërë të ditur po ashtu se lidhur me lehtësimin e qarkullimit të njerëzve në të dy anët e kufirit, më ministrin Hyseni kanë rënë dakort, që këtë vit, të hapen edhe tre pika të reja kufitare.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Meta ka thënë se Kosova po afirmohet gjithnjë e më shumë në proceset integruese rajonale.

"E sigurova Ministrin Hyseni se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë edhe në të ardhmen përfaqësimin e Kosovës në të gjitha nismat shumëpalëshe, në kuadër rajonal dhe më gjerë. Shpreha bindjen se edhe faktorë të tjerë në rajon do t’i kontribuojnë këtij qëllimi", është shprehur Meta.
 
Ndërsa Ministrii i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni ka theksuar se Ministrin Meta ka biseduar gjithashtu për bashkërendimin e veprimeve në fusha të ndryshme, në veçanti në rrafshin diplomatik dhe Kosova ka bashkërendim sistematik me shumë vende përkrahëse të saj, qoftë me BE, qoftë me SHBA.

Kosova sipas tij pret se vullneti i saj për të qenë pjesë e bashkëpunimit rajonal do të respektohet dhe nuk do të ndërpritet nga Republika e Serbisë. "Ne nga ana tjetër presim që Republika e Serbisë do t'i bashkëngjitet përpjekjeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të vendosur një paqe përfundimtare dhe afatgjatë në këtë pjesë të botës. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë, duke përfshirë edhe Republikën e Serbisë. Natyrisht me Serbinë mundemi dhe do të bashkëpunojmë si dy vende fqinje, të lira, të barabarta dhe të pavarura", ka thënë Hyseni.

Ai ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në bashkëpunim rajonal, si një parakusht esencial dhe i pazëvendësueshëm për integrime të mëtejshme euro-atlantike, të cilat Kosova i ka synim parësor. Dhe në këtë rrafsh Kosovën sipas tij e ka gëzuar dhe vazhdon ta gëzojë çdo përparim që Republika e Shqipërisë bën në këtë drejtim, Kosovën e ka gëzuar dhe vazhdon ta gëzojë çdo përparim që secili vend i Ballkanit Perëndimor bën në drejtim të integrimeve euro-atlantike, sepse vetë Kosova është pjesë e tyre dhe e sheh veten si pjesë të pandashme të këtyre proceseve.

Hyseni ka deklaruar se në këtë vazhdë Kosova pret që qoftë Samiti i shumëpërfolur i Sarajevës, qoftë ndonjë Samit tjetër do t’i japë Kosovës një udhërrëfyes të qartë si për liberalizimin e vizave ashtu edhe për proceset integruese.

 
Ministri Meta ka thënë po ashtu se Shqipëria dhe Kosova janë në një proces të intensifikimit të marrëdhënieve, të cilat bazohen në shumë vlera të përbashkëta mbi të cilat bazohet Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës, si dy vende që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, por njëkohësisht sipas tij Kosova aspiron të bëhet edhe anëtare e NATO-s, ku Shqipëria është tashmë e tillë prej gati një viti.

"Atje ku ndjehet domosdoshmëria për të rregulluar kuadrin ligjor të këtyre raporteve dhe këtu elementi tjetër që ne duhet të theksojmë përsëri, është autostrada  që lidh Shqipërinë me Kosovën, që absolutisht do të jetë një katalizator i gjithë marrëdhënieve dhe i gjithë shkëmbimeve tregtare, ekonomike, kulturore, njerëzore dhe do të ndikojë shumë si në një zhvillim sa më të shpejtë dhe dinamik të Shqipërisë, ashtu edhe në një zhvillim sa më të shpejtë dhe dinamik të Kosovës. Të jeni të sigurt se do të jetë një korridor për gjithë pjesët e Ballkanit Perëndimor. Por unë shpresoj dhe besoj se një ditë kjo autostradë do të lidhë Kosovën me jugun e Serbisë, dhe ndoshta edhe më tej", ka pohuar ministri Meta.
 
Lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Sarajevës, Meta është shprehur i bindur se se kjo gjë nuk vihet në diskutim, ashtu sikurse pjesëmarrja e Kosovës ishte evidente dhe kontribuese në mbarëvajtjen e Konferencës së Bërdos në Slloveni. Ai ka thënë se edhe Serbia do të marrë pjesë në Sarajevë dhe në këtë mënyrë të plotësohet e gjithë harta e bashkëpunimit rajonal dhe e bashkëpunimit të rajonit me BE, çka është e domosdoshme për të rritur më tej kredibilitetin e vendeve para BE.

Edhe Ministri Hyseni ka thënë që Kosova është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha nismat rajonale, për aq kohë sa sigurohet një format i barabartë për pjesëmarrësit. "Në mars të vitit të kaluar në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së me Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor ka qenë i instaluar një format të cilin e emërtuan formati Gimnik, i cili  mundësonte që të uleshim përreth të njëjtës tavolinë të gjithë Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor duke vendosur vetëm emrat e pjesëmarrësve para tyre", ka pohuar ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)