23 Prill 2024

Thaqi: Kosova pret që opinion i GJND-se të jetë në përputhje me vullnetin e popullit

Vjenë, 8 shkurt - Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi para përfaqësuesve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën mbajtur sot në Vjenë të Austrisë ka thënë se Kosova e pavarur sot është e njohur nga 65 shtete, dhe, tanimë është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore dhe jemi duke punuar për anëtarësimin në Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim.

 

"Së bashku jemi duke zbatuar Kushtetutën, bazuar në planin e Ahtisaarit, dhe jemi duke i hartuar e zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës", ka thënë Thaqi.

Fjalimi i kryeministrit Hashim Thaqi para GDN-se:

Të nderuar Përfaqësues të Grupit Drejtues Ndërkombëtar;
 

Më lejoni të filloj duke ju përshëndetur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të jam këtu në këtë forum shumë të respektuar, në mesin e përfaqësuesve të shteteve të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme e shtetndërtimit të Kosovës.

Të nderuar përfaqësues,

Sot, unë do t’ju flas për zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, me një shoqëri demokratike dhe shumë-etnike. Do t’ju flas për progresin e bërë, sfidat tona dhe planet tona për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës, për ta sjellë më afër, për Kosovën, anëtarësimin në BE, NATO dhe strukturat tjera ndërkombëtare.

Kosova e pavarur sot është e njohur nga 65 shtete, dhe, siç e dini, tanimë jemi të anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore dhe jemi duke punuar për anëtarësimin në Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim. Së bashku jemi duke zbatuar Kushtetutën, bazuar në planin e Ahtisaarit, dhe jemi duke i hartuar e zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës. 

Në vjeshtë e kemi mirëpritur publikimin e Raportit Vjetor të Progresit 2009 dhe të Studimit për Kosovën nga Komisioni Evropian. Këto raporte e kanë hapur perspektivën Evropiane të Kosovës – me hapjen e perspektivës së liberalizimit të vizave, marrëdhënieve tregtare me BE-në dhe dialogut për Procesin e Stabilizim Asocimit.

Në anën tjetër, raportet i paraqitën sfidat që kemi dhe duhet të theksoj që sfidat e Raportit të Progresit janë në përputhje të plotë me prioritetet e Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës. Për t’i përmbushur këto prioritete, ne i kemi fuqizuar strukturat për integrim Evropian brenda për brenda institucioneve tona, dhe punën e tyre – me mbështetjen time të plotë – këto struktura po e zbatojnë me bashkëpunim më të ngushtë dhe me një dinamikë më të madhe të punës. Ne të gjithë e dimë që Kosova dhe populli i saj e ka synim të qartë anëtarësimin në BE, prandaj besojmë që përparimi i Kosovës në procesin e integrimeve Evropiane do ta shpërblejë këtë vullnet të qytetarëve tanë.

Pjesë e rëndësishme e integrimit përfshinë synimin për marrëdhëniet e mira fqinjësore. Kosova ka raporte shumë të mira me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Së fundi, ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh me Maqedoninë dhe me Malin e Zi. Kosova është e gatshme të bashkëpunoj edhe me Serbinë për të gjitha çështjet e interesit të ndërsjellë.

Unë besoj që kjo vazhdon të dëshmoj për rajonin tonë por edhe me gjerë që pavarësia e Kosovës ka qene faktor i paqes dhe stabilitetit rajonal, duke sjellë edhe më shumë bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira me fqinjët, me vendet e BE-së, dhe me çdo vend – Kosova do të jetë shtet mik.

Njohjet e pavarësisë po vazhdojnë por me një ritëm të ngadalshëm përkundër përpjekjeve tona për të lobuar për njohje sa më të shumta. Ndoshta, opinioni në pritje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të sjellë një fazë të re.

Kosova e ka bërë prezantimin e qëndrimit të saj para gjykatës, ndërsa unë sot përfitoj nga rasti t’i falënderoj përfaqësuesit e atyre shteteve që e kanë bërë prezantimin e tyre në mbështetje të Kosovës.

Pa dashur t’a politizoj këtë proces, Kosova pret që ky opinion të jetë në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur. Më këtë rast, dua të ju falënderoj edhe ju, të nderuar përfaqësues, sepse shtetet që ju përfaqësoni po bëjnë shumë për njohjen dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Edhe pse kemi pesë shtete të BE-së të cilët ende nuk e kanë njohur pavarësinë, të gjithë ju në këtë sallë i ndani parimet e përbashkëta lidhur me Kosovën me të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Ato shtete, gjithashtu e mbështesin Rezolutën 1244 e KS të OKB-së dhe e respektojnë integritetin territorial të Kosovës. Duke pasur parasysh këtë qëndrim të përbashkët mbi Kosovën, e di që ekziston një rrugë drejt anëtarësimin në BE për Kosovën, dhe unë mirëpres këshillimin tuaj mbi mundësitë e arritjes së këtij synimi për vendin tonë.

Shtetet që ju përfaqësoni e kanë mirëpritur dhe vlerësuar mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve lokale të 15 Nëntorit 2009. Zgjedhjet e para të Republikës së Kosovës dëshmuan se institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës mund të realizojnë zgjedhje të lira, demokratike, të drejta dhe të pranueshme. Zgjedhjet u vlerësuan nga shtete të shumta dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë si të lira dhe të drejta, dhe si zgjedhje që i kanë përmbushur standardët ndërkombëtare.

Si çdo vend demokratik, në këto zgjedhje synuam pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve tanë, dhe ne këtë e kemi arritur me pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë të serbëve të Kosovës. Shqiptarët dhe serbët votuan dhe i zgjodhën përfaqësuesit e tyre legjitim, dhe, si rezultat i këtyre zgjedhjeve, u krijuan tri komunat e reja me shumicë serbe – Komuna e Graçanicës, e Kllokotit dhe e Ranillugut. Këto komuna tani po e fillojnë funksionimin e tyre me mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të Zyrës Civile Ndërkombëtare, dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Gjatë këtij viti, Qeveria do të ndërmerr masa në ngritjen e infrastrukturës publike të komunave të reja, me ndërtimin e rrugëve të reja, sistemeve të ujitjes, kanalizimeve dhe me ndihmë për strehim. Ministria për Kthim dhe Komunitete do të veproj si bashkërendues i programeve Qeveritare, së bashku me zyrën time për komunitete, dhe këto organe do të jenë, në vazhdimësi, shtytës të zbatimit të të drejtave të komuniteteve.

Po ashtu, Këshilli Konsultativ për Komunitete do të vazhdoj ta luaj një rol aktiv, si një kanal i drejtpërdrejtë i komunikimit ndërmjet institucioneve të pushtetit qendror dhe komuniteteve.

Natyrisht, Qeveria është pranë zhvillimit të këtyre komunave; por, këto komuna duhet të behën plotësisht funksionale dhe kjo nevojitet përkrahje edhe më të madhe. Qeveria tashmë ka miratuar një ndihmë fillestare financiare prej më shumë se dy milion euro për këto komuna të reja, dhe më shumë investime do të vijojnë. Megjithatë, ka nevojë për më shumë. Andaj, në këtë rast, shpresojmë që me ndihmën më të madhe, edhe nga shtetet tuaja, do t’ua mundësojmë resurset e nevojshme komunave të reja.

Përveç këtyre komunave, vlen të përmenden zhvillimet pozitive në Komunën e Shtërpcës dhe të Graçanicës, komuna këto me shumicë serbe.

Qytetarët e Kosovës të komunitetit serb dolën dhe votuan në zgjedhjet e 15 nëntorit duke dërguar një mesazh të qartë: mesazhin e zhvillimit dhe jetës më të mirë në kuadër të sistemit juridik dhe politik të Republikës së Kosovës. Tash në Shtërpcë dhe Graçanicë, ne e shohim një bashkëpunim të mirë në mes të shqiptareve dhe serbeve dhe ajo çfarë është më inkurajuese si rezultat i gjithë kësaj, shuarja apo largimi i “strukturave paralele”, apo të individëve të caktuara të cilët nuk i kanë respektuar institucionet e vendit.

Natyrisht, vota e tyre i ka legjitimuar udhëheqësit e tyre komunalë, të cilët e kanë për detyrë të përmirësojnë jetën e qytetarëve të tyre. Dhe kjo do të ndodhë sepse Qeveria që udhëheq unë është e përkushtuar shumë që të bëj investime në këto komuna të reja në mënyrë që të përmirësohet standardi jetësor dhe të drejtohet besimi tek institucionet shtetërore të Kosovës.

Kosova e ka një shoqëri shumë-etnike, dhe ne e çmojmë diversitetin e qytetarëve tanë. Ne nuk duhet të shkojmë më larg se sa vizita e paralajmëruar e Patriarkut Irinej, i cili do të vijë në Kosovë për kurorëzimin e tij në Pejë me 15 prill. Kjo vizitë është moment i rëndësishëm për Kishin Ortodokse Serbe, dhe ne do ta ruajmë trashëgiminë e kësaj kishe në Kosovë për besimtaret ortodoksë anekënd botës.

Procesi i integrimit të komunitetit serb në jetën politike dhe institucionale ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm në pjesën jugore të Kosovës. Kjo situatë e ka krijuar një dinamikë ideale, që ne të gjithë, në mënyrë të koordinuar dhe të vendosur, të bëjmë hapa të sigurt në vendosjen e rëndit dhe ligjit edhe në veri të Kosovës.

Në këtë aspekt, unë jam i bindur se qeveritë tuaja respektive janë të vendosur për të ndihmuar Qeverinë time, ICO-në dhe EULEX-in që, duke i koordinuar veprimet tona, ta arrijmë këtë qëllim jetik për shtetësinë e Kosovës. Nuk kam dyshim në përkrahjen tuaj për të vënë në funksion demokracinë dhe shtetin ligjor në veri të Kosovës.

Kjo gjë duhet të bëhet para së gjithash për arsye humane, që qytetarëve atje t’iu përmirësohet jeta përmes investimeve që do të behën; duhet të behët për shkak të domosdoshmërisë të vendosjes së rendit demokratik – qytetarët serbë në këtë pjesë duhet të jenë në gjendje që të zgjedhin udhëheqësit e tyre pa frikë dhe presione nga Beogradi. Dhe mbi të gjitha, duhet të bëhet për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, të cilin shtetet tuaja respektive e kanë njohur dhe e respektojnë në tërësi.

Dëshmi e këtij përkushtimi që e ndajmë të gjithë së bashku, është Plani për Integrimin e Veriut dhe për zhvillimin socio-ekonomik atje.

Unë jam në dijeni për debatet që janë zhvilluar brenda bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje. Unë jam në dijeni se ka qasje të ndryshme sa i përket zbatimit të këtij plani dhe këtë e konsideroj si një gjë normale.

Ju e dini se problemi i mungesës së ligjshmërisë në Veri është i vjetër (10 vjeçar) dhe Shtetit të Kosovës i ka shkaktuar humbje të mëdha si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë financiar.

Përkundër kësaj, ne jemi treguar të përmbajtur dhe do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm në veprimet tona. Dua të theksoj, ne do të jemi të kujdesshëm dhe të durueshëm por përfundimisht të vendosur për rëndin dhe ligjin në Veri të Kosovës – ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Plani Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës dhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së.

Ky plan nuk është plan i ri për bashkësinë ndërkombëtare e as për popullin e Kosovës; plani nënkupton vazhdimësinë e reformimit të pushtetit lokal dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike, ashtu siç është paraparë me Planin Gjithëpërfshirës. Ky plan është në interes të qytetarëve në veri sepse, me te, do të krijohet Komuna e Mitrovicës Veriore, e cila do të jetë në shërbim të të gjithëve. Pra ata do të votojnë për udhëheqësin e tyre legjitim dhe ai udhëheqës nuk do t’i shikoj interesat e ngushta personale sepse ai do te jetë i kushtëzuar me ligj dhe nga qytetaret e tij për të punuar për ta.

Ju e dini që kemi probleme të theksuara me korrupsion, kontrabandë dhe fenomene të tjera negative atje; prandaj, ky plan nënkupton shtrirjen e rendit dhe ligjit, autoritetit legjitim, qeverisjes së mirë, transparencës dhe zhvillimit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë edhe Komunat e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Qeveria që udhëheq unë është e gatshme dhe e vendosur të luaj rolin e saj duke vënë në dispozicion të zbatimit të këtij plani të gjitha resurset e veta njerëzore dhe materiale. Për këtë qëllim, jemi të gatshëm të formojmë grupe punese speciale ku do të jenë të përfshira edhe partitë opozitare sepse kjo çështje ka karakter nacional. Për më tepër, për këtë qëllim ne së shpejti do të vëmë në praktikë një fond të veçantë që do ta mbështes këtë Plan dhe angazhimet tona të përbashkëta për normalizimin e jetës në veri të vendit.

Me këtë strategji, ne nuk jemi duke imponuar diçka mbi pjesën veriore të Kosovës. Ne synojmë ta ri-theksojmë angazhimin tonë për këtë pjesë me investime në bashkësi që do të përmirësojnë jetesën dhe që do ta sjellin demokracinë në një rajon i cili ka vuajtur gjatë prej korrupsionit dhe udhëheqjes së dobët. Kjo strategji nuk nënkupton forcë apo pushtim. Ka të bëjë me shpresë. Beogradi i ka përdorur banorët e veriut të Kosovës si gurë shahu në një lojë të shahut politik. Ne duam t’iu ofrojmë këtyre qytetarëve një opsion më të mirë që vjen si rezultat i demokracisë dhe institucioneve transparente atje. Me ndihmën e ISG-së, mund të punojmë për funksionimin e kësaj strategjie.  

E kërkoj mbështetjen tuaj të plotë për këtë plan, mbështetjen e EULEX-it dhe bashkësisë ndërkombëtare, për integritetin territorial të Shtetit të Kosovës dhe përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve në veri. Modeli i komunave të reja dhe i Shtërpcës do të funksionoj në Veri dhe për Leposaviqin, Zveçanin, dhe Zubin Potokun; do të këtë institucione legjitime dhe demokratike, shërbyes civilë, dhe zhvillim, qeverisje të mirë dhe luftë kundër dukurive negative.

Duke kaluar tek ekonomia, rritja ekonomike gjatë vitit të fundit kap shifrën prej afërsisht 4%. Kemi rritje të eksporteve dhe të investimeve kapitale gjate vitit të fundit; megjithatë, ende kemi shifra shqetësuese të papunësisë dhe ulje të investimeve nga jashtë. Fatmirësisht, Kosova nuk është tronditur shumë nga kriza globale ekonomike dhe investitorët e huaj që kanë qenë këtu vazhdojnë të jenë këtu.

Unë jam i bindur që ky vit do të sjelle ndryshime dhe zhvillim ekonomik. Ky vit është viti i vendimeve të mëdha të Qeverise, për projektet që do të shpien përmirësimin e gjendjes së ekonomisë sonë. Gjatë këtij viti do fillojnë investimet private në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Investimet do të jenë moderne dhe parametrat e respektimit të mbrojtjes së ambientit do të respektohen rreptësisht. Këto kapacitete të reja, së bashku me privatizimin e sektorit të shpërndarjes së KEK-ut, janë çelës për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm në sektorin tonë energjetik dhe në ekonominë e vendit në përgjithësi. 

Po ashtu, ne do të vazhdojmë me investime kapitale në ndërtimin e rrugëve moderne, përfundimin e procesit të dhënies në koncesion të Aeroportit të Prishtinës, dhe privatizimin e Post-Telekomunikacionit të Kosovës.

Me lejoni të kthehem tek sektori energjetik duke dashur t’iu tërheq vëmendjen tuaj dhe të kërkoj mbështetjen tuaj lidhur me problemin e furnizimit me energji të qytetareve të Kosovës në Veri. Qëndrimi im i palëkundshëm është që Kosova, pra Korporata Energjetike e Kosovës, do të jetë furnizuesja e vetme e rrymës në territorin sovran të Kosovës. Fatkeqësisht, për momentin kemi jostabilitet në çështjen e rrymës në veri, dhe ka ndodhur një vjedhje e pronësisë së Kosovës në nënstacionin Valaç. Këto ngjarje po e cenojnë perspektivën tonë për zhvillim ekonomik dhe procesin e privatizimin të KEK-ut dhe kjo është e papranueshme.

Unë e kërkoj mbështetje tuaj në këtë problem, duke besuar se zgjidhjet që nuk janë në përputhje me qëndrimin e Qeverisë do të krijojnë situatë të paqëndrueshme.

Si Qeveri, ne do të vazhdojmë t’i kryem obligimit tona për qeverisje të mirë, sundim të ligjit, luftë të pakompromis kundër dukurive negative, zhvillim ekonomik dhe integrime Euro-Atlantike. Personalisht, dhe bashkë me gjithë Kabinetin tim Qeveritar, jemi të përkushtuar në punë, në adresimin e sfidave të identifikuar në Raportin e Progresit të vitit 2009. Unë e kam objektiv parësor për këtë vit që Raporti i Progresit për vitin 2010 për Kosovën të jetë pozitiv. Për këtë qëllim kam vënë në dispozicion të gjitha resurset njerëzore dhe materiale. Por unë dhe Qeveria ime nuk mund t’i adresojmë njëanshëm të gjitha sfidat që na presin.

Prandaj, pa asnjë hezitim, kërkoj partneritet nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që janë në Kosovë, në veçanti nga Komisioni Evropian, që të punojnë ngushtë me mua dhe Qeverinë time, që t’i bëjmë qytetarët e Republikës së Kosovës krenarë që janë pjesë e kulturës dhe qytetërimit Evropian dhe perëndimor.

Të gjithë e dimë që forcat e NATO-s në Kosovë e kanë mbështetur stabilitetin e vendit tonë dhe na kane ofruar siguri. Fakti që KFOR-i mund të reduktohet është dëshmi se sa kemi arritur deri më tani. Jemi të zotuar për mirëmbajtjen e stabilitetit në Kosovë përgjatë këtij procesi, natyrisht edhe pasi që të largohen trupat e KFOR-it nga vendi ynë. Përderisa tërhiqet NATO-ja, unë shpresoj që mund ta fillojmë një dialog për të diskutuar mënyrën më të mirë për ruajtjen e sigurisë në Kosovë. Si mund ta garantojmë një ambient të sigurt në Kosovë për të gjithë qytetarët e saj? Cilat janë obligimet e Kosovës? Si duhet të punojmë ne me bashkësinë ndërkombëtare për ruajtjen e stabilitetit që është aq i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor? Unë mirëpres diskutimin e këtyre çështjeve me anëtaret e ISG-së gjatë muajve në vijim.

Unë besoj fuqimisht në vazhdimin e bashkëpunimit të mirë dhe të ngushtë të institucioneve tona me Zyrën Civile Ndërkombëtare, me EULEX-in, Komisionin Evropian dhe me NATO-n; në arritjen e sukseseve të Kosovës dhe në përballjen me sfidat që kemi para nesh. Ne jemi të përqendruar në të ardhmen dhe unë pres sugjerimet tuaja për rrugën drejt zhvillimit dhe forcimit të Shtetit tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)