16 Prill 2024

Thaçi pritet të nis konsultimet me partitë politike, VV kërkon zgjedhje

Prishtinë, 31 mars - Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të nis konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai tha se fokusi i tij do të jetë në shmangien e zgjedhjeve të reja dhe mos-shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Paralajmërimet e tij për këshillime me partitë politike për formimin e qeverisë së re, janë kundërshtuar nga lëvizja Vetëvendosje e cila i sheh ato si shenja të “përpjekjeve të tij jo kushtetuese”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, presidenti duhet të mendojë për datën e zgjedhjeve pas pandemisë së coronavirusit.

Në një postim më të gjatë në rrjetet sociale ai shkroi “Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike”.

Më 25 mars, parlamenti i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, i cili u hodh nga Lidhja Demokratike, pjesë e koalicionit qeverisës.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Por, po ashtu sipas Kushtetutës, “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti shkroi se “Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet."

"Nuk është e rastësishme që në versionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Së këndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes”, shkroi ai, duke ju referuar faktit se në vitin 2010 dhe në vitin 2017 qeveritë në Kosovë u rrëzuan me mocion mosbesimi dhe në të dyja rastet u organizuan zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)