20 Prill 2024

Thaçi: PDK do ta integroj Kosovën në NATO dhe BE

Prishtinë, 1 dhjetor - Në ditën e parë të fushatës për zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka marrë pjesë në tubimet elektorale të PDK-së në Gjilan dhe Viti.

“Me fitoren e PDK-së fitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa këtë fitore e mirëpret edhe Uashingtoni dhe Brukseli” – theksoi me këtë rast kryeministri Thaçi

Në tubim madhështor në Gjilan, në prani të mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së, kryetari Thaçi fillimisht përgëzoi gjilanasit për suksesin e arritur me gjashtë fitoret e PDK-së në tri vitet e fundit në këtë qytet.

Në vazhdim, kryeministri Thaçi duke folur për përkushtimet e PDK-së për të thelluar edhe më tej fitoren e saj në Gjilan dhe në gjithë Kosovën, theksoi:

“Vota për PDK-në është votë për institucione stabile, për zhvillim ekonomik, është votë për shtetin e Kosovës. PDK është parti e integrimit, e cila do ta çojë Kosovën drejt rrugës së sigurtë të integrimit në NATO dhe BE ”.

Kryetari i PDK-së, kryeministri Thaçi në tubim ka folur edhe për investimet e bëra nga niveli qendror dhe lokal në Gjilan dhe ka theksuar se këto investime do të vazhdojmë edhe më fuqishëm të shtrihen në Gjilan dhe në gjithë Kosovën.

Para anëtarëve dhe simpatizantë të PDK-së në Gjilan, kryeministri Thaçi ka ripotencuar angazhimin e tij për hapjen e Universitetit Publik në Gjilan, gjatë mandatit të ardhshëm, si dhe ka theksuar se me qeverisjen e ardhshme të PDK-së në Kosovë do të hapen vende të reja të punës, do të ketë rritje substanciale të pagave të arsimtarëve, shërbyesve civilë, policëve, invalidëve, veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe kategorive tjera të shoqërisë kosovare.

Kryeministri Thaçi iu bëri thirrje qytetarëve gjilanas që të zhvillojnë një fushatë të qetë, të dinjitetshme dhe demokratike, ngase kjo është në interes të së ardhmes demokratike të Kosovës.

Jo rastësisht moto e Partisë Demokratike të Kosovës është SË PARI KOSOVA. Prandaj, tha Thaçi, kandidatët e PDK-së për Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, që vijnë nga rajoni i Gjilanit, do të prezantojnë në mënyrë dinjitoze projektet, idetë dhe vizionin e PDK-së, që është vizion i shtetndërtimit të Kosovës.

Në tubimin elektoral të PDK-së në Gjilan, foli edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa. Me këtë rast, ai u shpreh me tone shumë pozitive për mbështetjen që kryeministri Thaçi i ka dhënë zhvillimit të gjithmbarshëm të Gjilanit.

Z.Mustafa, ka shprehur bindjen se Partia Demokratike e Kosovës me punën e sinqertë dhe efektive që ka bërë në Gjilan dhe në gjithë Kosovën do të arrijë jo vetëm ta konfirmojë fitoren e saj, por edhe ta rrisë dhe fuqizojë edhe më shumë atë.

Në tubim, shefi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së në Gjilan, Izmi Zeka, ka bërë edhe prezantimin e kandidatëve të PDK-së nga Gjilani: Zenun Pajaziti, Basri Musmurati, Salihe Mustafa, Hydajet Hyseni, Shefik Surdulli dhe Njazi Idrizi.

Kryetari i PDK-së, kryeministri Thaçi ka marrë pjesë edhe në takimin parazgjedhor të PDK-së në Viti.

Në prani të kryetarit të komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, kryeministri Thaçi ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatët e PDK-së nga rajoni i Vitisë, Bilall Sherifi dhe Xhevat Bislimi.

“PDK ka kaluar përmasat partiake. Në të janë të mirëpritur dhe aty e gjejnë veten të gjithë qytetarët. PDK nuk hyn e vetme në zgjedhje, ajo hyn në zgjedhje bashkë me aleatët e saj, por aleancën kryesore e ka me qytetarët e Kosovës. Me mbështetjen tuaj do ta vazhdojmë mandatin tonë të ri, mandatin e integrimit të Republikës së Kosovës në BE dhe në NATO” – u shpreh Thaçi.

“Me fitoren e PDK-së fitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa këtë fitore e mirëpret edhe Uashingtoni dhe Brukseli” – theksoi kryeministri Thaçi.

“Gjatë jetës sime, unë kam pasur 3 qëllime kryesore. Qëllimi i parë ka qhenë çlirimi i Kosovës, qëllimi i dytë ka qenë pavarësia e Kosovës. Të dyja këto qëllime i kemi arritur bashkërisht. Edhe qëllimin e tretë, që është zhvillimi dhe integrimi i Kosovës në strukturat e BE-së dhe në NATO do ta realizojmë bashkërisht”  - tha kryeministri Thaçi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)