28 Tetor 2020

Thaçi nderon presidentin Trump me urdhrin më të lartë shtetëror

Prishtinë, 18 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Po ashtu, presidenti Thaçi ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt.

I pari i shtetit, në letrën drejtuar presidentit Trump, ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo është letra e plotë e presidentit Thaçi drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump:

I dashur z. President,

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin tuaj personal në arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike.

Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot.

Më lejoni të ju siguroj që Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kemi punuar shumë në këto vite dhe jemi të përgatitur të japim kontributin tonë për paqe dhe siguri në botë. Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Është më e qartë se kurrë, që kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli juaj në këtë proces është jetik. Kosova është me të vërtetë e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundshme për përmbushjen e aspiratave të saj.  

President, kam privilegjin, si President i Republikës së Kosovës, që në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës, në arritjen e paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik, të ndaj për ju Urdhrin e Lirisë.

Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kishte qenë e mundur pa energjinë, synimin e qartë, dhe angazhimin direkt, të palëkundur dhe besnik të këshilltarit tuaj për siguri kombëtare, Robert O’Brien dhe të dërguarit tuaj special, ambasadorit Richard Grenell.

Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre, po ashtu kam ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për z. O’Brien dhe z. Grenell, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Washington.

Në emër të popullit të Kosovës, kam kënaqësinë t’ju ftoj që ta vizitoni Kosovën dhe të bindeni për progresin që ju e keni bërë të mundur. Do të ishte nder i madh t’ju mirëpres dhe t’ju prezantoj popullin më pro-amerikan në botë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Tetor 2020 - Qendra e parë shoqërore në Prishtinë “Termokiss” nisë programin pesë ditor “Krejt Ka Pak V - Me Zemër Ngat” me aktivitete të ndryshme. (Hapësira e Termokissit, ora 9:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësuesit e Divizionit të Skemave për Kategoritë e Luftës në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të  Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të  “Muajit të mundësive të barabarta për personat me aftësi të kufizuara”, që është muaji tetor, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës Osman Hajdari, do të vizitojnë personat me aftësi të kufizuara që janë të angazhuar në Administratën Komunale të Komunës së Prizrenit. (Objekti i Administratës Komunale në Qendrën për Shërbime të Integruara-One Stop Shop, ora 10:00)

- Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq raporton para Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim lidhur me raportin e punës së ministrisë, për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti së bashku me Zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj mbajnë tryezë konsultative me Organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane. (Objekti i Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi do të mbajë një konferencë për media. (Ministria e Drejtësisë, ish-objekti i Rilindjes, kati IX, salla 914, ora 11:00)

- Ministri i Tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqi raporton para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike lidhur me problemet që është duke u ballafaquar ministria në përgjithësi, në veçanti për prodhuesit dhe transportuesit vendor për CEFTA si dhe për subvencionet e ndara për biznese gjatë pandemisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. (Objekti i KRPP-së, ora 14:00)

- Ministrja e Financave Hykmete Bajrami raporton para Komisionit për Buxhet dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në Sistemin e Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 14:00)

- Forumi për Lidership dhe Diplomaci përmbyllë Projektin “Akademia për Lidership”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, sot mban tryezë me përfaqësues të institucioneve të vendit, organizatave që merren me përkrahjen e grave me kancer të gjirit, si dhe gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit. (Holli i Kuvendit, ora 15:00)

- Ambasada e Gjermanisë bashkë me Asociacioni për Evropën Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani organzojnë konferencën digjitale “Të rinjtë, migrimi dhe sfida demografike në Ballkanin Perëndimor”. (Onlne, ora 16:00)