25 Prill 2024

Thaçi: Marrëveshja e arritur është për Kosovën evropiane

Prishtinë, 7 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli kanë zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith dhe shefi i Misionit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac.

Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë për marrëveshjen e arritur mes liderëve politikë të Kosovës për tejkalimin e ngërçit politik të zgjedhjes së presidentit.

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë kanë përgëzuar kryeministrin Thaçi, liderin e LDK-së, Mustafa dhe atë të AKR-së, Pacolli për marrëveshjen e përbashkët për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, për fillimin e reformës së zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit nga populli dhe reformën e thellë të Ligjit për zgjedhjet.

Kjo marrëveshje e arritur mes tri forcave politike kosovare krijin klimën e duhur politike për të vazhduar me thellimin e reformave të gjithmbarshme në ekonomi, politikë dhe legjislacion, si dhe përshpejton përmbushjen e standardeve të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, - u tha në takim.

Nga ana e tij, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith në takimin me kryeministrin Thaçi, me Mustafa dhe Pacolli ka shprehur admirimin e tij për suksesin e plotë që do të prodhojë marrëveshja e arritur dhe ka shtuar se me këtë gjest të pjekur politik dhe qytetar, liderët kosovarë kanë dëshmuar se mbi interesat partiake dhe personale kanë interesat e zhvillimit dhe të integrimit të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin me ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, në prani të përfaqësuesit special të BE-së, Pieter Feith dhe shefit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, ka thënë se marrëveshja e arritur mbrëmë mes forcave politike të Kosovës është marrëveshje për Kosovën e reformave, për Kosovën evropiane.

Thaçi ka falënderuar gjithë përfaqësuesit e shteteve të BE-së në Kosovë, si dhe ambasadorin amerikan Dell, për kontributin e dhënë për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)