22 Tetor 2020

Të premten Kuvendi vazhdon seancën dhe zhvillon seancë të re

Prishtinë, 22 shtator - Nën drejtimin e kryetares dr. Vjosa Osmani, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës është mbledhur sot së bashku me kryetarë të grupeve parlamentare, për të përcaktuar agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë.

Kryesia u dakordua që Kuvendi të mblidhet të premten, më 25 shtator, në orën 10:00, për të vazhduar me pikat e mbetura nga seanca e kaluar, ndërsa nga ora 13:00, të po të njëjtës ditë, të fillohet me seancë të re.

Pas dy pikave të rëndomta, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të procedohet me shqyrtimin e Propozim-amendamentit Kushtetues nr. 26, nëpërmjet të cilit Konventa e Stambollit përfshihet në Kushtetutën e Kosovës, e që ka të bëjë me ​parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Seanca do të vazhdojë me formimin i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të RTK-së, prej tyre një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera jo shumicë, propozimet e katër komisioneve parlamentare për ndryshimin e emërtimeve dhe fushëveprimtarive të tyre, si dhe zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë zgjedhja e Avokatit të Popullit.

Po ashtu Kryesia shqyrtoi kërkesën e nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci, për të ftuar për raportim kryeministrit Avdullah Hoti, për punën 100 ditëshe të qeverisë së tij.   

Ishte dakordim i anëtarëve të Kryesisë dhe kryetarëve të grupeve parlamentare që kjo seancë të jetë e veçantë dhe të mbahet gjatë javës së ardhshme, në konsultim me kryeministrin.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia procedoi për mendim në qeveri nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-054, për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2020  - Kryeministri Avdullah Hoti viziton Ministrinë e Shëndetësisë. (Ministria e Shëndetësisë, ora 9:30)

- Lëvizja Vetëvendosje organizon tryezën virtuale më temë 'Sa do të ndikojë moratorimumi një vjeçar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës?' (Online, ora 10:00)  

 - Admovere organizon promovimin e publikimit 'Të Damkosurit e Ballkanit - Shqiptarët dhe Kosova në tekstet alternative gjithëballkanike të historisë'. (Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery te Fontana në Ulpianë, ora 10:00)  

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim deputetët e komunitetit joshumicë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora ‪10:30 - vetëm pamje)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i njofton mediat se nesër do të lansohet data-baza per tregtinë në shërbime. (Ndërtesa e MTI-së, ora 11:00)

- Ministrja e Financave znj.Hykmete Bajrami dhe Auditori i Pergjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani raportojn para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin Vjetor i Auditimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësues të kompanisë “Kërveshi Partneres” dhe përfaqësuesi te OJQ, “Ngritja e Zërit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj - Stublla raporton para Komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e adaptimit të rrugës për Komunitetin RAE në rrugën “Rexhep Karaqi”. (Prizren, ora 12:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare dhe KOMRA Rrjeti i Pajtimit organizon debatin mbi Politikat e Kujtesës dhe Praktikat e Përkujtimit në Evropën Juglindore. (Debati do të transmetohet direkt në Facebook dhe Youtube kanalin e KOMRA Rrjeti për Pajtim, ora 17:00)

- Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgjon dëshmitë e Hidajete Pireva, Mjeke, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare-QKMF, Fushë Kosovë, Vlora Maholli, Mjeke, QKMF, Fushë Kosovë dhe Hajrie Hoti, Mjeke, QKMF, Prishtinë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Lëvizja Vetëvendosje!, mban konferencë për media në lidhje me skandalin e vjedhjes së më shumë se 2 milion euro nga Thesari i Shtetit. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 15:00)