24 Prill 2024

Sot filloi fushata zgjedhore

Prishtinë, 1 dhjetor - Në Kosovë filloi sot fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, të parat pas pavarësisë, ku të drejtë vote do të kenë rreth 1.6 milionë qytetarë.

Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u ka bërë thirrje subjekteve politike, që të zhvillojnë një garë korrekte të programeve dhe ideve, pa nxitur dhe provokuar urrejtje e mosdurim.

Në mesazhin drejtuar qytetarëve, Krasniqi thekson se Kosova me këto zgjedhje po hyn edhe njëherë në një sprovë të vështirë demokratike.

Presidenti në detyrë vlerëson se për një çast e gjithë bota do të kthejë sytë nga Kosova, për të parë kulturën demokratike, pjekurinë politike dhe seriozitetin e një shteti të shpallur dhe të njohur tashmë nga 72 vende, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 29 subjekte politike elektorale me 1265 kandidatë të tyre për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

KQZ-ja ka miratuar listën në bazë të së cilës numri i përgjithshëm i votuesve është 1.630.636. Prej kësaj liste votues të rinj janë 73.288 ose 4.4 për qind, ndërsa votues që mbushin 18 vjet janë identifikuar 35.735 ose 2.19 për qind.

Ndërsa numri i personave të vdekur të larguar nga lista e votuesve është 6.165. lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2010 bazohet në Ekstraktin e regjistrit civil. 


Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka kërkuar fushatë më të qetë nga ajo që është para në zgjedhjet e kaluara. Kjo njëherësh është kërkesë edhe e autoriteteve ndërkombëtare që veprojnë në vend.

“Mesazhet nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, nga të gjithë ata që janë të kyçur në këtë proces zgjedhor, kanë qenë që kjo fushatë të jetë sa më e qetë, sa më demokratike dhe sa më fer. Të përdorët një gjuhë jo e ashpër, një gjuhë politike e jo një gjuhë që e kemi dëgjuar në zgjedhjet e mëparshme”, është shprehur Daka.

Ajo ka rikujtuar adresat në rast të ndonjë ankese për parregullsi.

“KQZ-ja mund të pranojë ankesat eventuale, lidhur me fushatën zgjedhore. Një gjë e tillë mund të bëhet edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga vetë subjektet politike”, ka theksuar Daka.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka akredituar mbi 6,500 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjeve. Valdete Daka ka pohuar se akreditimi i mbikëqyrësve ndërkombëtarë do të vazhdojë deri më 6 dhjetor.

“Gjatë ditës, me siguri që do të akreditohen edhe vëzhgues të tjerë, të cilët kanë aplikuar. Afati i fundit për akreditim për OJQ-të dhe për vëzhguesit e subjekteve politike, është dita e sotme. Pothuajse nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë qenë të interesuara, kemi vëzhgues të akredituar”, ka thënë Daka.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)