18 Prill 2024

Siguria e dokumenteve kriter për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 26 shkurt – Sot,  Grupi Punues për Liberalizim të Vizave mbajti takimin e radhës dhe bëri të ditur së kanë dalë disa kritere, ose kërkesa konkrete si hartimi i ligjit për ripranim, rishikimi i mekanizmit për integrimin e personave të riatdhesuar si dhe  siguria e dokumenteve.

Në këtë takim morën pjesë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtarët e grupit punues të të gjitha institucioneve dhe persona të tjerë përgjegjës në këtë fushë.

Koordinatori i grupit punues për Liberalizim të Vizave, Besnik Vasolli në fillim të takimit, theksoi se ”ky është takimi rregullit i grupit punues për Liberalizim të Vizave, i cili po mbahet në baza mujore.

Në këtë takim u diskutuan të gjitha të arriturat të cilat janë bërë prej 15 janarit deri më 15 shkurt të këtij viti, gjithashtu në këtë takim janë informuar edhe për punët tjera të cilat janë bërë gjatë kësaj periudhe, të cilat kanë dalë si kritere kryesore nga takimi i fundit me ekspert të Komisionit Evropian, i cili është mbajtur prej 26 deri më 29 janar”.

Duke folur për kriteret e dala nga takimi me ekspertët e Komisionit Evropian, Vasolli, theksoi se kanë dalë disa kritere, ose kërkesa konkrete nga ai takim, ndërsa ne i veçuam tri më të rëndësishmet.

“Kriteri i parë është hartimi i ligjit për ripranim dhe mund të themi se ka pasur një progres të konsiderueshëm në këtë drejtim. Brenda tri javëve me ekspert të ministrive relevante, në bashkëpunim me ekspert të EULEX-it, ekspert të Komisionit Evropian, të ICO-së, kemi bashkëpunuar rregullisht dhe brenda këtyre tri javëve është hartuar drafti i parë, i cili shkon javën e ardhshme në Qeverinë e Kosovës për aprovim dhe shpresojmë se së shpejti do ta dërgojmë edhe në Kuvendin e Kosovës për aprovim”,- theksoi Vasolli.


Duke folur për kriterin e dytë, këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Vasolli, tha se “kriteri  tjetër është rishikimi i mekanizmit për integrimin e personave të riatdhesuar, ju e dini që në Kosovë rregullisht janë riatdhesuar qytetarët tanë dhe ne tani jemi në vazhdën e rishikimit të këtij mekanizmi që ta bëjmë sa më funksional, në mënyrë që ata njerëz që riatdhesohen në Kosovë të kenë një trajtim adekuat dhe sa më të mirë”.

Lidhur me kriterin e tretë, Vasolli, theksoi se ”kriter i tretë i caktuar nga ai takim është edhe siguria e dokumenteve. Ky është edhe kapitulli i parë i Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm, që do të thotë se nuk është vetëm lëshimi i dokumenteve biometrike, por është komplet mekanizmi i lëshimit të dokumenteve, i cili do të jetë shumë i sigurt dhe ne jemi duke u marrë me këtë proces në bashkëpunim me EULEX-in, por edhe me akterë të tjerë relevant. Jemi duke i shikuar të gjitha çështjet që kanë dalë dhe për të cilat duhet t’iu bëjmë zgjedhje. Jemi optimistë se të gjitha këto kërkesa t’i arrijmë brenda këtij gjashtëmujori dhe në këtë mënyrë të dalim me një raport të suksesshëm dhe më në fund ta marrim edhe ne Udhërrëfyesin zyrtarë për Liberalizim të Vizave”,- tha ndër të tjera, Vasolli.

Gjatë takimit disa nga anëtarët e grupit punues për Liberalizim të Vizave raportuan të arriturat gjatë kësaj periudhe njëmujore. Takimi i radhës do të mbahet pas një muaji. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)