19 Qershor 2018

Shtetet e Ballkanit Perëndimor komunikon normalisht me njëri-tjetrin

Montreal, 12 qershor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Ballkani Perëndimor asnjëherë nuk ka pasur rast më të mirë për të ndërtuar paqe të qëndrueshme.

Këtë mesazh, presidenti Thaçi e ka dhënë në panelin “Evropa në udhëkryq”, në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës (IEFA), që po mbahet në Montreal të Kanadasë.

“Sot, çdo shtet i Ballkanit Perëndimor komunikon normalisht me njëri-tjetrin, çdo shtet bashkëpunon me njëri-tjetrin. Duhet të shfrytëzohet ky momentum dhe BE-ja t’ia hapë portat Ballkanit Perëndimor”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, presidenti Thaçi ka thënë se ky dialog do të fillojë në ditët apo javët e ardhshme dhe do të jetë i vështirë.

“Nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë historik dhe është i pa alternativë. Dialogu duhet të përmbyllet me një rezultat ‘win-win’ edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, sipas një marrëveshjeje me vlera e standarde evropiane”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Edhe Kosova, edhe Serbia, aspiratë e kanë anëtarësimin në BE”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “ky vullnet i njerëzve nuk mund të realizohet pa normalizim dhe pajtim në mes dy vendeve dhe popujve”.

“Pres rol udhëheqës dhe me një dinamikë të re nga Bashkimi Evropian dhe mbështetje të fuqishme të SHBA-së, që ky proces të përmbyllet suksesshëm, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në të mirën e të gjithëve. Kosova është gati për dialog, për marrëveshje, sepse vetëm kështu do të mund të lëvizim të sigurt drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe të ruajmë marrëdhënien speciale me SHBA-në dhe partneritetin me miqtë e tjerë. Vetëm një Kosovë dhe një Serbi evropiane mund të perëndimizojnë rajonin”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke folur për zhvillimet në BE, presidenti Thaçi theksoi se ndonëse është e vërtetë që Bashkimi Evropian po përballet me kriza dhe sfida që e prekin vetë identitetin e BE-së, megjithatë qytetari evropian po tregon se më shumë se çdo ideje tjetër ende i beson idesë së integrimit dhe bashkimit.

Dy panelistët e tjerë, Pascal Lamy, President Emeritus i Institutit “Jacques Delors” dhe Bernard Spitz, President i “MEDEF”, pohuan se krizat që kishin prekur Evropën, kriza financiare e vitit 2008 dhe sidomos BREXIT, kanë rikthyer besimin e qytetarëve evropianë se vetëm thellimi i integrimit është zgjidhje për të ardhmen e kontinentit.

Këtë e dëshmon, sipas tyre, jo vetëm fitorja e Makronit në Francë, por edhe anketat me opinionin publik në shtetet anëtare të BE-së në dy vitet e fundit.

Presidenti Thaçi u shpreh optimist se BE-ja do të gjejë rrugëdalje.

“Rrugëdalja do të gjendet duke ndërtuar vizion të përbashkët, por edhe bashkëpunim tej Atlantik, bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Britaninë e Madhe”, ka thënë presidenti Thaçi.

                                                                                                                                      

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Qershor 2018 - Mbahet ceremonia e hapjes së edicionit të tretë të konferencës ndërkombtare të Universitetit të Prishtinës - UPISC. (Hotel 'Amazona', ora 9:00)

- Instituti Pedagogjik i Kosovës mban konferencën për media lidhur me publikimin e raportit të studimit “Përvojat e para në vlerësimin e performancës së shkollës në Kosovë”.  (Hotel 'Sirius', ora  9:30)

- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë organizojn simpoziumin shkencor “Vlera dhe ardhmëri të hardhisë dhe verës Vranç”. (Objekti i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë, Rr. “Xhelal Hajta – Toni” Nr. 486, në Rahovec ora 10:00)

- Vazhdimi i Seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Fillon puna e zhvarrimit  të  dëshmorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës në varrezat e fshatit Polac të komunës së Skenderajt, si dhe po të njëjtën ditë fillon rivarrimi në kompleksin memorial në fshatin Marinë të komunës së Drenasit. (Varrezat e fshatit Polac, ora 10:00)

- Drejtori i Inspeksionit nga Komuna e Gjilanit, Nevzad Rushiti mban konferencë me gazetarë. (Ndërtesa e Komunës së Gjilanit, ora 11:00)

- Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), në mbështetje të Zyrës së Bashkimit Evropian, do të organizojë një tryezë diskutimi me gazetarë të të gjitha komuniteteve të Kosovës lidhur me nxitjen e punës së përbashkët mes gazetarëve të komuniteteve të ndryshme dhe mediave në Kosovë. (Orion Conference Center, ora 11:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi organizon tryezë lidhur me prioritetet në fushën e Arsimit Parauniversitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në lansimin e kampanjës “Bëhu zëri im”, e cila nisë me marshin qytetar nga sheshi “Skënderbeu”, deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 12:00)

- Oda Ekonomike e Kosovës do te organizoje konference për media për te diskutuar mbi rëndësinë e anëtarësimit te Kosovës ne Organizatën Botërore të Tregtisë. (Oda Ekonomike e Kosovës, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në lidhje me problemet e mëdha të projektligjit për RTK-në. (Holli i Kuvendit pranë sallës S2, ora 13:00)