03 Qershor 2020

Shënohet progres në çështjen e komuniteteve

Prishtinë, 8 prill - Qeveria e Kosovës, përkatësisht Zyra për Çështje të Komuniteteve, edhe këtë vit shënoi 8 Prillin - Ditën Ndërkombëtare e Romëve. 8 Prilli shënon Kongresin e parë Ndërkombëtar Rom të vitit 1971 dhe përpjekjet e para nga komuniteti rom për t\'u bashkuar dhe për t’i dhënë fund diskriminimit me të cilin ky komunitet përballej asokohe gjithkund në botë.

Në këtë ceremoni festive në të cilën morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare: Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Patricia Reader, ministri për Komunitete dhe Kthim, si dhe zyrtarë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të diplomacive të akredituara në Kosovë, Kryeministri i Kosovës edhe njëherë ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie, si dhe gatishmërinë për krijimin e kushteve sa më të mira për një jetë normale për të gjitha komunitetet.

Kryeministri Thaçi duke vlerësuar përparimin në drejtim të integrimit të komunitetit romë në Kosovë, tha se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar të sigurojë që dispozitat e përcaktuara në Kushtetutë, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, do të mundësojnë qasje të barabartë të romëve në shoqëri, si qytetarë të barabartë të Kosovës.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, unë dua t’ju garantoj se këto angazhime e përbëjnë vetëm fillimin e përpjekjeve tona. Synimi ynë është të sigurojmë se qytetarët e komunitetit romë do të jenë të integruar plotësisht në Kosovën e re, me të njëjtat mundësi për arsim dhe punësim si çdo qytetar tjetër”, theksoi kryeministri Thaçi, në ceremoninë e kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Në vazhdim të fjalimit të tij, kryeministri Thaçi theksoi se komuniteti romë është një nga komunitetet që ka kontribuar në aspektin shumë-kulturor të shtetit të Kosovës. Ai vlerësoi lartë angazhimet e institucioneve të Qeverisë së Kosovës në drejtim të integrimit të komuniteteve jo-shumicë, e në veçanti përkushtimin në integrimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas, si pjesë e shoqërisë kosovare.

“Sa i përket komunitetit romë në Kosovë, Qeveria ka miratuar Strategjinë për integrimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës, 2009-2015. Ky plan gjithëpërfshirës i potencon të gjitha nevojat e këtyre komuniteteve, prej kthimit e strehimit deri tek arsimi dhe integrimi në jetën publike. Strategjia e trajton edhe çështjen gjinore dhe problemet e grave të këtyre komuniteteve”, bëri të ditur në vazhdim kryeministri Thaçi, duke siguruar se Plani  i Veprimit për zbatimin e kësaj strategjie do të fuqizojë institucionet e vendit drejt afirmimit të interesave të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.

Angazhimin e Qeverisë së Kosovës e vlerësoi lartë edhe Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, i cili theksoi se Qeveria e Kosovës ka shtuar përpjekjet e veta për të mbështetur komunitetin romë në fusha të ndryshme.

“Përgëzoj Qeverinë e Kosovës për angazhimin dhe përpjekjet e shtuara në integrimin e komunitetit romë. Strategjia për Integrimin e komuniteteve RAE është një dokument i politikave që përbën kornizën e qeverisë për të përmirësuar jetën e komuniteteve”, tha z. Feith. Ai në vazhdim u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit romë që të bashkojnë përpjekjet për implementimin e këtij dokumenti.

Ndërkaq, drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Patricia Reader vlerësoi lartë punën e bërë nga institucionet e vendit, por ajo theksoi se akoma duhet për t’u bërë në përmirësimin e kushteve të jetesës për këtë komunitet.

“ Ky vend mund të bëhet lider i Evropës për integrimin e minoriteteve”, theksoi znj. Reader. Në vazhdim të fjalimit të saj, ajo tha se duke miratuar strategjinë për integrimin e komuniteteve RAE, Kosova i është përafruar shteteve të Evropës.

Ceremoninë e përshëndetën edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Sasa Rasic dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të cilët theksuan përkushtimin e institucioneve që ata drejtojnë, në përkrahjen e integrimit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për të gjitha komunitetet, e në veçanti për komunitetin romë. Në fjalimin e tyre u veçua çështja e kampit në Mitrovicë, çështje kjo për të cilën ministri Rexhepi dha informacione shtesë duke theksuar se kjo çështje është në rrugë që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë të mundshme. Ata theksuan se e gjithë kjo do të arrihet edhe me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Qershor 2020

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku raporton Drejtorit te AKI-së Kreshnik Gashi lidhur me gjendjen e sigurisë gjate periudhës se pandemisë dhe situatën aktuale. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00) 

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e qeverisë, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë për votimin  për votimin e Qeverisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të vendos vazo dekorative gjelberuese në sheshin Bill Klinton. (Shshi Bill Klinton, ora 11:00)
  
- Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruan kontratën për Bursën Olimpike Tokyo 2020 me mundësin, Egzon Shala. (Zyret e KOK-ut në Shtëpinë e Sportit, 13:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mban konferencë për media. (Hapësira në hyrje të Presidencës, ora 16:00 )