23 Prill 2024

SHBA mbështet fuqishëm Kosovën në procesin e njohjeve

Prishtinë, 26 shkurt – Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu u takua sot në Prishtinë me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit Stuart E. Jones, të cilin e njoftoi për zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë, për sukseset e arritura dhe sfidat që ka Republika e Kosovës para vetes.

Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni.

Presidenti Sejdiu foli për të arriturat e Republikës së Kosovës në shumë fusha, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në planin e brendshëm, ndërsa theksoi edhe lobimin që po bëjnë institucionet e vendit me qëllim të sigurimit të njohjeve të reja.

Në këtë plan, Presidenti Sejdiu kërkoi nga Jones që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë mbështetjen e tyre të gjithanshme për Republikën e Kosovës.

Zëvendësndihmëssekretari Jones e siguroi Presidentin Sejdiu se SHBA mbështesin qartë integritetin territorial të Kosovës dhe do të vazhdojnë me mbështetjen e fuqishme për Republikën e Kosovës në procesin e njohjeve të reja, në procesin e integrimeve, në planin e zhvillimit ekonomik dhe në fusha të tjera.

Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një drekë pune me zv.ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropë, Stjuart Jones.

Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë për konsolidimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës, për sundimin e rendit dhe ligjit, për luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për shtrirjen e autoritetit të institucioneve kosovare në gjithë territorin e vendit.

Kryeministri Thaçi ka ripotencuar përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të vendit që në bashkëpunim të thellë me institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, të arrihet shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.

Kjo është në të mirë të paqes, të stabilitetit, të bashkëpunimit mes të gjitha komuniteteve, është në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik – u shpreh në takim kryeministri Thaçi.

Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë thellësisht e angazhuar për respektimin afirmativ të të gjitha të drejtave të komunitetve në Kosovë, duke inkurajuar pjesëmarrjen e gjithanshme dhe aktive të komuniteteve në jetën institucionale dhe politike të vendit – vazhdoi më tej kryeministri Hashim Thaçi.

Formimi i komunave të reja, përmes pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet e fundit lokale, ku qytetarët me votën e lirë zgjodhën udhëheqësit e tyre lokal, është një lajm shumë i mirë, që na inkurajon të gjithëve në avancimin e përkushtimeve tona të konsolidimit të mëtejmë të shtetit demokratik të Kosovës – tha z.Thaçi.

Në takim u bisedua edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Me këtë rast kryeministri i Republikës së Kosovës potencoi projektet madhore që do të fillojnë zbatimin këtë vit, siç janë ndërtimi i autostradës Vërmicë – Prishtinë – Merdarë, privatizimi i Postë Tekekomunikacionuit të Kosovës, koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re, Hidrocentralit të Zhurit dhe projekte të tjera të rëndësishme, që do të ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Nga ana e tij, zv.ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropë, Stjuart Jones riafirmoi qëndrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për respektimin e tërësisë territoriale të Kosovës, si dhe shprehu mbështetjen e plotë amerikane për të gjitha përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe integrimin e plotë të tyre në jetën dhe në institucionet e Kosovës.

Z.Jones në takim me kryeministrin Thaçi theksoi se këto angazhime të qeverisë, si dhe fokusimi në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, janë faktorët më determinues që ndikojnë në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe standardeve ndërkombëtare nga e institucioneve kosovare për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)