12 Gusht 2020

SHBA dhe BE dënojnë gjuhën e përdorur në parlamentin e Kosovës

Prishtinë, 11 korrik - Ambasada amerikane në Prishtinë dhe përfaqësuesja e posaçme e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, dënuan gjuhën politike që çoi në tensione dhe ndërprerje të punës së seancës së parlamentit të Kosovës një natë më parë.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten mbrëma se ka denoncuar në polici deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, pak pasi që seanca e parlamentit u ndërpre për shkak të tensioneve që përfshinë debatet për rishikimin e buxhetit të vendit. Deputeti Ukaj, u përfshi në një përplasje verbale me zonjën Osmani, por mohoi ta ketë kërcënuar atë.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada amerikane tha se “parlamenti ka humbur kohë me shpërqendrime dhe sulme personale në vend që të përmbushë përgjegjësitë e tij. Populli i Kosovës meriton më mirë”, ndërsa rikujton se edhe para dy muajsh kishte kërkuar nga të gjitha partitë “që të zbusin retorikën politike dhe të bashkohen në zgjidhjen e krizës ekonomike dhe shëndetësore”.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Aspotolova, shkroi ndërkaq se parlamenti i Kosovës ka nevojë për punë konstruktive për t’u përballur me sfidat që ka para vetes.

“Të gjithë duhet të përkushtohen për konsensus politik, të përmbahen nga dhuna e cila nuk ka vend në shoqëritë demokratike, aq më pak në parlament, e posaçërisht ndaj një gruaje - kryetare e parlamentit”, shkroi ajo.

Të premten deputeti Ukaj, u përfshi në një përplasje verbale me kryetaren e parlamentit, Vjosa Osmani, derisa po zhvillohej një debat më i ashpër ndërmjet dy deputeteve të parlamentit nga radhët e Partisë Demokratike dhe lëvizjes Vetëvendosje.

Në regjistrime shihet zoti Ukaj që afrohet tek vendi ku qëndron kryetarja e parlamentit pasi që zonja Osmani i kërkoi të ulej “ndryshe do të përjashtohej nga seanca” dhe më pas ajo i dha fund seancës duke theksuar se seanca ndërpritet “për shkak të pa edukatës së disa deputetëve”.

Më pas në një postim në llogarinë e saj në facebook zonja Osmani tha se “ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast”.

Instituti Demokratik i Kosovës, i cili mbikëqyrë punën e parlamentit, dënoi gjuhën dhe sjelljet siç thuhet joparlamentare të deputetëve ndaj kryetares së parlamentit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 Gusht 2020 - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi pret një grup të të rinjve. (Objekti i MKRS-së, ora 9:30)   

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë miraton listën e dëshmitarëve dhe përzgjedh listën e ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Grupi “Vullnetarët/Volunteers #COVID-19” së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Ministrën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe akterë të tjerë lanson Fushatën “Së bashku kundër #COVID-19”. (Sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)   

 Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes diskuton lidhur me situatën e Sigurisë në Republikën e Kosovës si dhe shqyrton raportin për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri pret në takim përfaqësuesit e Oranizatave Jo Qeveritare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00 - vetem pamje)

- Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj raporton para  Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 11:00)
 
- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri pret në takim përfaqësuesit e Oranizatave Jo Qeveritare do të ketë konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:30)
 
- Mbahet ceremonia e zbulimit te punimit “I love Kosova” nga Ministrja Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari. (Sheshi “Adem Jashari”, Skenderaj, ora 11:50)
 
- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi zhvillon një vizitë në ndërmarrjen sociale “Pastiçeria Snap cake” në kuadër të projektit ‘Praktika në Punë” i mbështetur nga Departamenti i Rinisë MKRS. (Skenderaj, ora 12:00)   

 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën shqyrtohet propozimi i deputetit Haxhi Avdyli, mbështetur edhe nga 41 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit,  mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës dhe Çeshtje tjera . (Në platformën ZOOM 5.0. ora 14:00)