28 Mars 2024

“Serbia ta njohë edhe de jure shtetin e Kosovës”

Prishtinë, 22 shkurt - Dyvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës u shërbeu edhe një herë tjetër si rast analistëve, ekspertëve, politologëve, politikanëve të lartë, me një fjalë njohësve të mirë të rrethanave politike në Ballkan, që të shprehin konsideratat e tyre për shtetin më të ri në Europë, që e shpalli pavarësinë e tij më 17 shkurt 2008, dhe zhvillimet politike aktuale lidhur me të.

Emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre konsideratave, pa marrë parasysh qasjet dhe këndvështrimet, nga të cilët ata e trajtojnë këtë temë, është se, pavarësisht nga kundërshtimet dhe përpjekjet e Serbisë për të penguar në arenën ndërkombëtare njohjen e mëtejshme të pavarësisë së saj, Kosova është e humbur njëherë e përgjithnjë për Serbinë, madje ka qenë e humbur shumë vite më parë.

Eksperti i njohur për çështjet ballkanike dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare, Kristian Tomushat, në një intervistë që i dha ditët e fundit stacionit gjerman “Dojçe Vele”, vuri në dukje, midis të tjerave, se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një vendim i marrë nga vetë kosovarët dhe se nuk i takon atij ta komentojë atë.

“Megjithatë, tha ai, ky vendim sigurisht që duhet të kuptohet, sepse kosovarët, prej një kohe të gjatë, kanë jetuar në kushte të pazakonta. Së pari, për shkak të represionit të forcave jugosllave dhe, së dyti, sepse në Kosovë qëndroi vite me radhë administrata ndërkombëtare”.

Lidhur me atë se Kosovën, deri tani, e kanë njohur 65 shtete të botës, ndërsa supozohej se numri i tyre duhet të ishte më i madh, politologu i njohur skandinav theksoi se ka jo pak shtete që nuk e kanë bërë këtë vetëm, sepse kanë frikë nga lëvizjet secesioniste (shkëputëse) brenda vendeve të tyre. Por, megjithatë, për shkak të situatës që iu imponua dhe përjetuan kosovarët gjatë një periudhe shumëvjeçare, mendoj se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e pashmangshme”.

“Kosova është një shtet i pavarur dhe këtë askush nuk mund ta mohojë më. Dhe sa më parë ta pranojë Serbia këtë fakt, aq më shpejt do të përmirësohet edhe e ardhmja e Serbisë”, konsideron Kristian Shvarc Shiling, politikan gjerman dhe ish-përfaqësues i lartë i OKB-së në Bosnjë e Hercegovinë, duke shtuar më tej se “Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë dhe se nuk duhet ta shmangin dhe ta zhvleftësojnë njëra-tjetrën”.

Politologu i njohur serb dhe ish-ambasador i Serbisë në Francë, Predrag Simiç, nga ana e tij, vë në dukje se edhe veprimet që po ndërmarrin disa vende fqinje me Serbinë, tregojnë se në qarqet ndërkombëtare po merr formë konkrete mendimi se çështjes së pavarësisë së Kosovës duhet t’i jepet fund, madje para shpalljes së vendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Simiç, për të konfirmuar konsideratën e tij, thekson vendosjen kohët e fundit nga ana e Malit të Zi të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, si dhe deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, se Serbia dhe Kosova duhet ta lënë mënjanë çështjen e statusit dhe t’i përkushtohen bashkëpunimit rajonal.

“Duket qartë se Serbisë nga shumë burime po i vijnë sinjale se ka ardhur koha që të rrumbullakoset ajo që filloi më 17 shkurt të vitit 2008, madje duke mos pritur as vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës”, theksoi Simiç, duke lëshuar kritika të ashpra në adresë të Malit të Zi, që, sipas tij, i vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kosovën pa pritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, megjithëse këtë atij ia kërkoi Serbia.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)