25 Prill 2024

Serbia po e vazhdon qasjen destruktive ndaj Kosovës

Prishtinë, 12 korrik - Në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka bërë të qartë se është e papranueshme lëvizje e kufijve, ndërsa nga të gjitha institucionet ka kërkuar që të luftojnë më shumë krimin e korrupsionin dhe të shtojnë veprimet për përmbushjen e kushteve për integrimet euroatlantike dhe për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Në fillim të fjalimit të tij, presidenti Sejdiu ka theksuar se Republika e Kosovës, gjatë këtyre dy viteve e gjysmë të pavarësimit të saj, ka arritur të bëj hapa vendimtarë për t’i ndërtuar institucionet e saj demokratike; ka arritur të ketë Kushtetutën dhe ligjet, Gjykatën Kushtetuese, Agjencinë e Inteligjencës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të gjitha i ka bërë në përputhshmëri të plotë me Pakon e Ahtisaari-t, duke garantuar plotësisht të drejtat e komuniteteve pakicë, pra me një konsensus cilësor dhe të gjerë.

 Sejdiu ka shtuar se me këtë veprime, Kosova ka arritur t’i kryejë obligimet që mori ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të saj dhe hodhi poshtë të gjitha prognozat e këqija që u lansuan para pavarësisë së vendit. Sot me krenari mund të themi se është mbajtur stabiliteti i përgjithshëm, megjithëse jo pa sfida dhe probleme, kurse shteti ynë është bërë faktor e kontribues aktiv dhe i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon.

Pjesë e fjalimit të Sejdiut kanë qenë edhe zgjedhjet për pushtetin lokal, gjatë muajit nëntor, të cilat ishin të parat që u organizuan nga institucionet e vendit.

Këto zgjedhje, ka thënë ai, kanë dëshmuar se Kosova çdo ditë e më tepër po konsolidohet si shtet, duke ecur përpara edhe në procesin e decentralizimit dhe ka përmendur zgjedhjet në Parteshi.

Duke përmendur të arriturat në rrafshin ndërkombëtar, Sejdiu ka thënë se Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po e ndërton shtetësinë dhe po punon për thellimin e marrëdhënieve me institucionet, organizatat dhe aleatët e saj kudo në botë.

“Deri tani kemi njohjen nga 69 shtete dhe kemi ndërtuar një rrjet diplomatik solid, i cili po kryen punë të mirë për ndërtimin e imazhit dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës nëpër botë. Unë gjatë kësaj periudhe, mbështetur edhe në kompetencat kushtetuese, isha drejtpërdrejt i angazhuar që ky rrjet diplomatik të ketë shtrirje të duhur dhe të bëhet funksional”, ka theksuar Sejdiu.

Pas i ka konstatuar se edhe këtë vit, fatkeqësisht, Serbia po e vazhdon qasjen destruktive, me qëllim që të parandalojë njohjen e mëtejme të Kosovës, Sejdiu ka thënë se për ta ndërtuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, Republika e Kosovës duhet të ndërtojë raporte të mira me shtetet e të gjitha kontinenteve. Megjithatë, për t’i ndërtuar këto raporte është jetike që Republika e Kosovës të njihet nga këto shtete dhe të hapen rrugët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me to.

“Njëkohësisht, ritheksojmë se me Serbinë mund të bisedojmë kudo dhe kurdo për të gjithat temat që janë me interes për dy shtete sovrane dhe fqinje, por asnjëherë për çështjen e pavarësisë dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sepse kjo çështje është përmbyllur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008.

Nga ky Kuvend, ne ju themi sërish të gjithë atyre që flasin për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë, se ne e kundërshtojmë forcërisht çdo ide të tillë të pamatur, sepse çmojmë realitetet ekzistuese në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Pra, secili zot në shtëpi të vet, pasi që ne nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për t’i falur askujt.

Idetë për lëvizje kufijsh janë gjithmonë të rrezikshme, por ato janë veçmas të rrezikshme në rajonin tonë. Burizanët e këtyre ideve duhet ta dinë se një eksperiment i tillë do të hapte Kutinë e Pandorës për krejt Ballkanin Perëndimor, sepse çështje të ngjashme mund të hapeshin lehtë në të gjitha vendet e kësaj hapësire”, ka nënvizuar presidenti Sejdiu.

Një pjesë të madhe të fjalës presidentii Sejdiu ua ka kushtuar vizitave të tij në dosa shtetet të botës, në angazhim për njohjen e Republikës së Kosovës, por edhe disa vizitave të personaliteteve të ndryshme në vendin tonë.

Si komandant i përgjithshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ai ka vlerësuar edhe punën njëvjeçare të FSK-së, duke thënë se kjo forcë shumë shpejt do të jetë e gatshme të kontribuojë në paqen dhe sigurinë në botë.

“Konstatoj me kënaqësi se FSK-ja dita-ditës po rritet, profesionalizohet dhe modernizohet. Ajo po bëhet një institucion serioz dhe i besueshëm, reflektues dhe mbështetës për të gjithë qytetarët e Kosovës. FSK-ja shumë shpejt do të jetë në gjendje të marrë përgjegjësi shtesë.

Në takime me drejtuesit politikë e ushtarakë të NATO-s unë jo një herë kam kërkuar që pjesëtarët e FSK-së, qoftë edhe në mënyrë simbolike, të jenë pjesë e misioneve paqësore në botë dhe besoj se kjo ditë nuk është e largët.

Përveç bashkëpunimit të ngushtë që kam me Komandën e FSK-së dhe me Ministrinë e Forcës së Sigurisë, unë njëkohësisht kam mbajtur kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e misionit të KFOR-it në Kosovë, ekspertët e të cilit po e ndihmojnë profesionalizimin e pjesëtarëve të FSK-së sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë Sejdiu.

Një pjesë të fjalës së vet presidenti Sejdiu ia ka kushtuar edhe zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja në vendin tonë

“Ekonomia mbetet sfida kryesore e shtetit të ri të Kosovës, sepse ajo është parakusht për të gjitha zhvillimet e tjera në vend. Përderisa bota ka njohur krizën globale, këto vitet e fundit, ne në mënyrë konstante kemi pasur një rritje modeste të ekonomisë. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, sivjet kjo rritje mund të jetë përafërsisht 4 për qind. Ndonëse në aspektin statistikor ky duket një trend pozitiv, kjo rritje natyrisht që nuk është e mjaftueshme, kur dihet se në Kosovë kemi shkallë shumë të lartë të papunësisë dhe jemi ndër vendet më të varfra të Evropës.

Kam inkurajuar institucionet kompetente që sektorët strategjikë të ekonomisë së Kosovës të bëhen prioritet buxhetor. Po kështu theksoj se buxheti i Kosovës mund të ballafaqohet me deficit serioz, nëse nuk merren hapa urgjentë për stimulimin ekonomik”, ka thënë Sejdiu. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)