18 Nëntor 2019

Serbët pajisen me dokumente të Kosovës

Mitrovicë, 26 shkurt - Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica gjithnjë e më shumë po aplikojnë për dokumentet e lëshuara nga organet shtetërore të Kosovës.

 

Një trend i tillë cilësohet si pozitiv nga organet komunale të Mitrovicës, ndërkohë që strukturat politike serbe nga veriu e gjykojnë si trend negativ dhe ftojnë sërish serbët që t’i refuzojnë dhe bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të përfaqësuesve politikë serbë të Mitrovicës, drejtuar qytetarëve të këtij komuniteti, që të mos aplikojnë për dokumentet e lëshuara nga organet shtetërore të Kosovës, është shtuar numri i atyre që pajisen dhe aplikojnë për këto dokumente.

 

Zëdhënësi në Komunën e Mitrovicës, Hysni Syla, thotë se ka një trend në rritje të aplikimeve për dokumente personale nga ana e qytetarëve serbë, krahasuar me vitin e kaluar.

“Është një numër i caktuar që dëshmon se qytetarët serbë i kërkojnë dokumentet e Republikës së Kosovës. Rreth 300 dokumente të lëshuara tregojnë se ata nuk hezitojnë që të vijnë në komunë dhe t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme, të cilat atyre u duhen. Është fjala për certifikata të lindjes, të vdekjes, të shtetësisë e të tjera”, thotë Syla.

 

Përveç certifikatave e dokumenteve të tjera, statistikat tregojnë se është rritur edhe numri i aplikimeve për pasaporta dhe letërnjoftime të Kosovës.

Duke e parë trendin në rritje të aplikimeve për dokumentet e shtetit të Kosovës, organet paralele serbe nga veriu i Mitrovicës u kanë dërguar apel serbëve që t’i bojkotojnë dokumentet e Republikës së Kosovës.

 

“Paralajmërohen qytetarët serbë që mos t’i marrin dokumentet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, si: pasaporta, letërnjoftime apo patentë shoferi, pasi në këtë mënyrë ata indirekt e pranojnë këtë shtet të shpallur njëanshëm”, ka apeluar Ivica Markoviç, kryetar i komunës paralele të Mitrovicës.

Ndërkohë, njëri nga liderët politikë të serbëve të veriut, Marko Jakshiç, thotë se nëse serbët duan ta bojkotojnë shtetin e Kosovës, duhet t’i refuzojnë edhe dokumentet që i lëshojnë organet e tij. “Serbët e Kosovës, nëse nuk duan të jetojnë në Kosovën e pavarur, nuk guxojnë të marrin kurrfarë dokumentesh të këtij shteti, sepse, në të kundërtën, ata e pranojnë këtë shtet fantom”, shprehet Jakshiç.

 

Sipas tij, nuk ia vlen që të aplikohet për këto dokumente, madje edhe nëse bëhet fjalë për ndihma sociale dhe arsye të tjera financiare. Mirëpo, krejt ndryshe nga politikanët mendojnë qytetarët serbë.

Ata thonë se pajisja me dokumente është e domosdoshme. “Mua si serb nuk më pengon. Njerëzit duhet të pajisen së pari me letërnjoftimin e Kosovës që t’i regjistrojnë makinat, t’i marrin pensionet dhe të përfshihen në programin social, për çka unë nuk i gjykoj aspak”, thotë qytetari Nikolla Jovanoviç nga Mitrovica.

Mendim të ngjashëm ka edhe një banore tjetër e këtij qyteti, Jellena Stamenkoviç. “Me sa di unë, shumë shqiptarë marrin pasaporta të Serbisë, për shkak të liberalizimit të vizave, e po ashtu edhe serbët i marrin dokumentet e Kosovës. Unë i përkrah të dyja palët dhe i arsyetoj, sepse kjo ua lehtëson atyre mënyrën e jetesës”, thotë Stamenkoviç.

Ajo i cilëson të paarsyeshme thirrjet e politikanëve që njerëzit të mos marrin dokumentet e shtetit të Kosovës, ngase pajisjen me dokumente e sheh në interes të secilit qytetar. Serbët e Kosovës janë ballafaquar këto vite në vazhdimësi me trysnitë nga Serbia dhe organet e saj paralele për t’i bojkotuar institucionet vendase.

 

Përderisa në pjesën qendrore e lindore të Kosovës komuniteti serb po lirohet ngadalë nga kjo trysni, strukturat paralele serbe vazhdojnë të jenë më të fuqishme në veri, ku edhe vërehet një ndikim më i madh i tyre te serbët lokalë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2019

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në të cilën do të prezentojë hulumtimin rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës përmes Programit Matra organizon tryezë në të cilën do të publikohet raporti me titull Qasja në Drejtësi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë. (Menza "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të Koalicionit te OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për media në te cilën do të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. (Qendra e Resurseve për OSHC, Forumi për Iniciativa Qytetare në Lagjen Pejton, ora 10:00) 

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të organizojë tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon prezantimin e studimit per Çështjen e Kompleksit të Trepçës dhe Çështjen e Reparacioneve për Krimet e Luftës të kryera në Kosovë në Kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me PPSE Swisscontact dhe SHB Sharri përuron shtegun turistik të ri Via Ferrata "Panorama". (Gryka e Lumbardhit, 4.5 km nga qendra e qytetit, ora 11:00 - transporti i organizuar nga Komuna e Prizrenit, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Në kuadër të aktivitet kulturor kushtuar "Ditet e Alfabetit", promovohet botimi 'Levizja Protestante te shqiptaret 1818-1908" te autorit prof. dr. David Hosaflook. (Biblioteka Kombetare "Pjeter Bogdani", ora 10:30)

- Muzeu Kombëtar i Kosovës hap ekspozitën “Bienalen e Akuarelit Edicioni i 2-të” e cila sjellë vepra arti të artisëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. (Muzeu Kombëtar, ora 19:00)

 

- Në kuadër të projektit ' Tell Me More' të perkrahur nga MKRS dhe DKRS dhe të implementuar nga Kuvendi i të Rinjve të Prizrenit do të realizohet shfaqja teatrale në Shtepinë e Kulturës " Xhemajli Berisha ". (Shtëpia e Kulturës në Prizren, ora 20:00)