04 Korrik 2020

Sejdiu mbështet përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje

Prishtinë, 13 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë në Konferencën e Dytë Rajonale për Politikat dhe Pjesëmarrjen civile të Rinisë.
 
Presidenti Sejdiu, pasi që i përshëndeti të pranishmit, foli për objektivat e institucioneve të Kosovës për fuqizimin e rolit të të rinjve në shoqëri dhe u angazhua për pjesëmarrjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse.
 
Presidenti Sejdiu duke vënë në pah se Kosova paraqet vendin me popullsinë më të re,  e cila njëherësh është më së shumti e atakuar nga papunësia e lartë, tha se kjo gjendje mund të ndërrojë nëse do të ketë një energji të shtuar të punës së institucioneve të vendit, dhe jo vetëm të institucioneve, por edhe në bashkëpunim me të gjitha veprimtaritë e tjera siç janë bizneset, shoqëria civile, si dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë dhe do të japin kontribut në mbështetjen e punës dhe të projekteve tona.
 
Pjesëmarrja e të rinjve në institucione të vendit, sipas Presidentit Sejdiu nuk duhet të jetë vetëm si dekor por edhe si hulumtim i institucioneve të vendit për përfshirjen e talenteve të rinj në institucione.
 
“Është fat që Kosova ka një strukturë jashtëzakonisht mirë të shkolluar të të rinjve, të cilët kanë përfunduar studimet brenda dhe jashtë vendit, dhe se ka një komunikim të mirë të pjesës më të madhe të tyre me botën, dhe është e mirë që shumica e tyre, pas kryerjes së studimeve kthehen në Kosovë, dhe paralelisht duhet të jetë  përgjegjësi e institucioneve të vendit që ky shans të shfrytëzohet duke u ofruar atyre mundësi paralele në kuptim të ofertës për punë”, theksoi Presidenti Sejdiu.
 
Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se nuk duhet të hezitojmë në pjesën e dorëzimit gradual, në transfer të natyrshëm, të përgjegjësive te gjenerata e re, sepse e ardhmja është te gjenerata e re, kur ajo bëhet me punë të ndershme kur ofrohet në mundësi të barabarta dhe të mbështetet depërtimi i tyre në institucione ku fjala dhe puna e tyre të ketë peshë.
 
Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve dhe të organizatave rinore nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian.
 
Konferenca e mbështetur nga “Forum Syd” (Suedi) është paraparë t’i kontribuojë debatit rajonal politik për pjesëmarrjen e rinisë dhe politikat rinore në Ballkanin Perëndimor dhe të shërbejë si platformë për këmbimin e përvojave, praktikave të mira dhe sfidave në krijimin e një ambienti që mundëson pjesëmarrjen aktive të të rinjve në shoqëri, zhvillimin e politikave rinore dhe zbatimin e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Korrik 2020

- Shoqata "Miqtë e Amerikës", do të organizojë aktivitet në nderim të 4 korrikut - Dita e Pavarësisë së SHBA ku aktiviteti fillon me pastrimin e sheshit Bill Clinton nga zjarrfikësat e Prishtinës. (Sheshit Bill Clinton, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi do të bëjë shenjëzimin e shtigjeve të biçikletave në hyrje të Fushë-Kosovës, te rrethi i kazermës “Adem Jashari”, bashkë me grupin e çiklistëve “Marakli t’biçikletave”. (Parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Në nderim të 4 korrikut - Dita e Pavarësisë së SHBA pjestarët e Qendrës së Mjekësisë Urgjente të Prishtinë do ta ngrisin flamurin. (Sheshi Bill Clinton, ora 11:00)
 
- Kryeministri merr pjesë në fillmin e fushatë së korrje shirjeve në Kosovë. (Zona Industriale në fshatin Shirokë, Komuna e Suharekës, ora 14:00)